Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ksamilin në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ku një turist i huaj humbi jetën pasi u godit disa herë me thikë pranë një prej ambienteve më të frekuentuara të zonës turistike.
I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit pranë lokalit “Principotes”. Fillimisht, bazuar në informacionet paraprake, viktima u raportua si shtetas francez me inicialet M.M., ndërsa më vonë, pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, Policia konfirmoi se bëhet fjalë për një shtetas portugez, me inicialet L.V., i lindur më 27 shtator 2005.
Konflikti që përfundoi në vrasje
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta.
Personi i dyshuar për vrasjen është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka goditur me thikë turistin dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës dyshohet se i riu kishte marrë disa goditje me mjet prerës, në shpinë dhe në kraharor. Plagët dyshohet se kanë qenë fatale dhe kanë shkaktuar vdekjen e tij.
Një nga pistat që po verifikohet nga grupi hetimor është edhe mundësia që në qendër të konfliktit të ketë qenë një femër. Ky element, megjithatë, mbetet ende për t’u provuar nga hetuesit.
Arratisja dhe arrestimi i Vatës në Levan
Pas krimit, Sokrat Vata u largua nga Ksamilit, ndërsa Policia nisi menjëherë kontrollet për lokalizimin e tij.
29-vjeçari u kap disa orë më vonë në Levan të Fierit. Sipas të dhënave të bëra publike, ai dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti, në përpjekje për t’iu shmangur Policisë.

Forcat “Shqiponja” dhe strukturat operacionale arritën të lokalizonin automjetin. Mjeti drejtohej nga një grua dhe në të ndodhej edhe një tjetër shtetas, rreth 35 vjeç.
Të tre personat u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprime të mëtejshme hetimore.
“Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi sot policia.
38 persona të shoqëruar, ndalohet edhe një punonjës policie
Burime bëjnë me dije se rreth 38 persona janë shoqëruar nga Policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Mes tyre ka persona që ndodheshin në ambientet e lokalit, klientë dhe pjesëtarë të stafit.
Gjithashtu, po verifikohet edhe roli i dy shtetasve turq që ndodheshin në automjetin me të cilin dyshohet se Sokrat Vata po largohej drejt Tiranës.
Dyshohet se ata mund ta kenë ndihmuar 29-vjeçarin të largohej nga vendi i krimit. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë nëse kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe nëse kanë pasur rol në largimin e tij.

Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe 24-vjeçari Moisid Matushaj, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Matushaj dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën të largohej pas vrasjes. Sipas të dhënave të hetimit, ai punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Vatën, në “Principotes”.
Policia po heton tashmë nëse ka pasur një përpjekje të organizuar për largimin e të dyshuarit nga vendi i ngjarjes.
Kush është Sokrat Vata?
Emri i Sokrat Vatës rezulton të jetë përmendur edhe më herët në një çështje penale në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave të bëra publike, në vitin 2023 ai ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion.
Në prill të vitit 2024, ai u përfshi në një tjetër ngjarje në Kent, ku, sipas të dhënave të autoriteteve britanike, nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe më pas përmbysi automjetin që drejtonte.
Në automjet u gjetën qese me kokainë dhe targa. Vetëm disa ditë më vonë, Vata u përfshi në një tjetër ndjekje policore në Cambridge, teksa drejtonte një automjet të raportuar të vjedhur.
Sipas të njëjtave të dhëna, pas ndjekjes ai u largua me vrap dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Më vonë u gjet i fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Gjatë kontrollit iu gjetën edhe 560 paund cash dhe rezultoi pozitiv për drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.
“Principotes”, vendi ku ndodhi vrasja
Ngjarja ndodhi në ambientet pranë “Principotes”, një prej strukturave turistike luksoze të Ksamilit, e pozicionuar përballë Tre Ishujve.
Vendi ishte i frekuentuar nga turistë dhe pushues edhe gjatë natës së ngjarjes. Sipas të dhënave të publikuara, mbrëmjen para vrasjes në ambientet e kompleksit ishte organizuar një aktivitet me një DJ francez, ndërsa ditët e hëna aty zhvillohen edhe të ashtuquajturat “Netët franceze”.

Pas ngjarjes, pushuesit që ndodheshin në zonë kanë shprehur tronditje dhe shqetësim, veçanërisht familjet me fëmijë.
“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët! Si t’u themi që është vrarë dikush? Ata do të tremben”, tha një prej pushuesve.

Një tjetër e cilësoi ngjarjen si një krim të rëndë, ndërsa një tjetër pushuese tha se ndihej e sigurt në Ksamil dhe vlerësoi masat e marra në zonën turistike.
Pronësia e “Principotes”
Në fokus të raportimeve të reja është edhe pronësia e strukturës turistike ku ndodhi ngjarja.
Sipas të dhënave të publikuara ne media, “Principotes” rezulton e regjistruar nën emrin e 70-vjeçares Kade Bulica, nga Kukësi, me një kapital prej 100 mijë lekësh.

Ajo është nëna e Bekim Bulicës, emër i cili është përmendur më herët në kronikat e zeza dhe në çështje të ndryshme penale.

Në maj 2024, gazeta prestigjoze franceze Le Monde publikoi artikullin “Overdose”, ku përshkruante një shqiptar të identifikuar me pseudonimin “Zamir”, i cili drejtonte një nga call center-at më të lulëzuar të kokainës në Paris.
“Zamir”, shkruan Le Monde, kishte rrëmbyer dhe rrahur me shkopa bejsbolli një prej shpërndarësve të tij që u largua me gjysmën e klientelës, e më pas e kishte përhapur videon e rrahjes në rrjetet sociale për të frikësuar të tjerët. Redaksia franceze ia ndërroi emrin Bekim Bulices sepse personi ishte nën hetim nga Brigada Franceze e Narkotikëve.
Sipas të dhënave të bëra publike, Bekim Bulica ka jetuar në Francë dhe është ekstraduar në Shqipëri në shkurt të vitit 2021, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për çështje që lidhen me kanosjen dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.
Emri i tij është përmendur sërish në vitin 2023, pas një ngjarjeje të dhunshme në Tiranë, ku së bashku me persona të tjerë dyshohet se sulmoi një punonjës policie dhe vëllain e tij.

Ndërkohë, në vitin 2022, nëna e tij regjistroi kompaninë “Tortuga Bay”, e cila më pas do të lidhej me strukturën turistike që sot njihet si “Principotes”.
Çfarë po heton Policia?
Pas arrestimit të Sokrat Vatës, hetuesit kanë tashmë në dispozicion të dyshuarin kryesor, por puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijon.
Në fokus janë konflikti që parapriu vrasjen, motivi i përplasjes, personat që kanë qenë të pranishëm në “Principotes”, mënyra e largimit të Vatës dhe roli i personave që dyshohet se e ndihmuan.
Po kështu, autoritetet po verifikojnë rolin e punonjësit të policisë të ndaluar dhe të dy shtetasve turq që dyshohet se transportuan të dyshuarin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit person të përfshirë.
Vrasja e turistit të huaj në një prej zonave më të frekuentuara të jugut të Shqipërisë ka tronditur pushuesit dhe ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi atë që ndodhi në një prej ambienteve më të njohura të Ksamilit./ Boldnews
Gazeta RD