Të rikthejmë rendin e vlerave

Franc NURI
Vrasja e një 20-vjeçari që kishte ardhur për pushime në Shqipëri është para së gjithash një tragjedi njerëzore. Por fakti që autori i dyshuar rezulton me precedentë penalë në Britaninë e Madhe për vepra të lidhura me narkotikët na detyron të shohim përtej kronikës së një dite.
Në Shqipëri droga është bërë tepër e zakonshme. Shumë të rinj e konsumojnë, të tjerë e kanë kthyer në aktivitet ekonomik, mënyrë pasurimi dhe madje në status shoqëror. Dikur një familje turpërohej kur djali merrej me drogë; sot dëgjon të flitet me krenari se “ka shtëpi bari në Angli”, “merret me mall” apo “ka bërë lekë”.
Ky është degradimi më i rrezikshëm: krimi nuk konsiderohet më domosdoshmërisht turp, por sukses.
Është përmbysur rendi i vlerave. Shkollimi, kultura, gjuhët e huaja, eksperienca, profesioni, aftësia dhe familja vlejnë gjithnjë e më pak përballë një kriteri të vetëm: sa para ke. Nuk pyetet më si i ke bërë, çfarë ke prodhuar apo çfarë vlere i ke dhënë shoqërisë. Ka rëndësi vetëm paraja.
Kur kjo mendësi normalizohet, zhvlerësohet edhe vetë jeta. Konfliktet për një shikim, një vajzë, një borxh, një klient droge apo një territor përfundojnë me thikë dhe armë. Krimi i organizuar nuk dëmton vetëm ekonominë; ai ndryshon kulturën e një shoqërie.
Edhe bumi i ndërtimit dhe turizmit duhet parë me sy kritik. Bregdeti shqiptar duhet të jetë burim mirëqenieje nga puna dhe investimi i ndershëm, jo lavatriçe për kapitalet që vijnë nga narkotrafiku. Një sipërmarrës që merr kredi, paguan taksa dhe ndërton biznesin e tij me vite nuk mund të konkurrojë me kapitalin kriminal që kërkon vetëm të pastrohet.
Shqipërisë i duhet ndryshim radikal kursi.
Mund të mësojmë nga vende të vogla si Singapori. Kur nisi transformimin, kishte rreth dy milionë banorë dhe pothuajse asnjë burim natyror të rëndësishëm. Zgjodhi të investonte te arsimi, kapitali njerëzor, profesioni, rendi dhe shteti funksional.
Edhe ndaj narkotikëve zgjodhi një politikë jashtëzakonisht të fortë: parandalim, edukim, rehabilitim të përdoruesit dhe ndëshkim shumë të ashpër të trafikantit. Për trafikimin e sasive të caktuara të drogës, Singapori parashikon ende edhe dënimin me vdekje. Ne nuk duhet dhe nuk mund ta kopjojmë këtë pjesë të modelit, por duhet të kuptojmë filozofinë: shteti nuk mund të jetë tolerant dhe laksist me një sistem që shkatërron breza.
Trafikanti duhet goditur rëndë penalisht dhe ekonomikisht. Përdoruesi duhet trajtuar dhe rehabilituar.
Në Europë, Franca jep një shembull të qartë. Për transportin, posedimin, shitjen apo blerjen e paligjshme të narkotikëve parashikohen deri në 10 vjet burg dhe deri në 7,5 milionë euro gjobë, të dyja bashkë. Për import-eksportin në bandë të organizuar, dënimi mund të arrijë deri në 30 vjet burg, krahas gjobës. Në sistemin doganor francez, sanksioni financiar mund të lidhet drejtpërdrejt me vlerën e mallit dhe të arrijë deri në shumëfishin e saj.
Shqipëria duhet të ecë në këtë drejtim: burg dhe goditje e rëndë financiare ndaj narkotrafikut. Nuk ka kuptim që trafikanti të bëjë disa vite burg, ndërsa familja apo ortakët të vazhdojnë të jetojnë me milionat e drogës. Krimi duhet të bëhet ekonomikisht i padobishëm.
Pasuritë e provuara si produkt i krimit të organizuar duhet të konfiskohen dhe t’i kalojnë shtetit për shkolla, qendra rehabilitimi, institucione publike apo shërbime sociale. Pasuria e krimit duhet t’i kthehet shoqërisë që krimi ka dëmtuar.
Por duhet të ndryshojmë edhe modelin ekonomik. Arsimi duhet të lidhet me nevojat e tregut dhe ekonomia duhet të shpërblejë profesionistin, teknikun, inxhinierin, mjekun, sipërmarrësin dhe njeriun që krijon vlerë reale.
Nuk mund të vazhdojmë të eksportojmë shqiptarët më të arsimuar dhe më të aftë, ndërsa boshllëqet i mbushim me krah pune më të lirë. Shqipëria duhet të synojë emigracion të kontrolluar, sipas nevojave profesionale, por mbi të gjitha të krijojë kushtet për rikthimin e shqiptarëve në vendin e tyre.
Narko-ekonomia mund të krijojë për pak kohë iluzionin e pasurisë, por fatura vjen më vonë: me korrupsion, vrasje, familje të shkatërruara, të rinj të varur dhe emigrim.
Nuk dua një Shqipëri ku ai që studion dhe punon ndershmërisht të ndihet inferior ndaj atij që pasurohet me trafiqe. Dua një Shqipëri ku respektohet ai që di, krijon, punon, ndërton familje dhe pasurohet ndershmërisht.
Kjo është beteja që duhet të fitojmë: të rikthejmë rendin e vlerave.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandali/ Rama i bën dhuratë Yeffet-it aeroportin e Vlorës, pasi ja grabiti Pacollit

Kontratat e majme për armët e kanë vënë në qendër të akuzave politike sipërmarrësin izraelit …