Ylli ASLLANI
Në shumë njësi vendore qytetarët po ngrihen për të mbrojtur bashkinë e tyre. Ndërsa disa deputetë që i përfaqësojnë, edhe kur janë të bindur se shkrirja e tyre dëmton territorin dhe komunitetet, heshtin ose shprehen pro.
Dhe justifikimi është i njohur:
“Nuk dal kundër familjes politike.”
Por çfarë ndodh kur “familja politike” bie ndesh me interesin e komunitetit i cili të ka zgjedhur?
Kë duhet të dëgjojë deputeti?
Partinë apo qytetarët?
Kryetarin e partisë apo mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit?
Sepse një deputet nuk zgjidhet për t’i qëndruar besnik një “familjeje politike”. Ai zgjidhet për të përfaqësuar qytetarët dhe për të mbrojtur interesin publik.
Në një demokraci normale, bindja partiake nuk mund të jetë më e fortë se ndërgjegjja, mandati dhe përgjegjësia ndaj zgjedhësve.
Përndryshe, kemi një deformim të rrezikshëm të demokracisë:
qytetari voton deputetin, por deputeti ndihet i detyruar t’i japë llogari partisë.
Dhe këtu lind pyetja më e thjeshtë:
Nëse një deputet e di se një vendim dëmton komunitetin që përfaqëson, por përsëri e voton vetëm sepse “nuk del kundër familjes politike”, kujt i përket në të vërtetë mandati i tij?
Qytetarëve që e zgjodhën?
Apo “familjes politike” që kërkon votën e tij?
Reforma territoriale nuk është çështje bindjeje partiake. Ajo tejkalon çdo afat deputeti!Është çështje e jetës së komuniteteve, e zhvillimit të territorit dhe e së ardhmes së qytetarëve.
Dhe përballë këtyre çështjeve, deputeti duhet të ketë vetëm një familje politike:
INTERESIN e QYTETARËVE!
Pasi kur një deputet voton kundër interesit të komunitetit që përfaqëson vetëm sepse nuk dëshiron të kundërshtojë ‘familjen politike’, problemi nuk është më vetëm te reforma apo te sistemi i zgjedhjeve…
Është edhe te morali dhe integriteti i vetë përfaqësuesit!
Gazeta RD