Nga Bislim AHMETAJ
-Tregim-
Në qeverisjen e Palloshit kishte disa rregulla të pashkruara, por të padiskutueshme.
Të gjithë anëtarët e kabinetit duhej të ishin formalisht të martuar.
Ashtu e kishin urdhëruar Palloshin eprorët e tij të Këshillit Suprem dhe ashtu kishte urdhëruar edhe ky të tijët.
Punë të parë, Palloshi martoi veten me një tender të hapur, duke respektuar të gjitha kërkesat e shpallura paraprakisht. Bashkëshortja e ardhshme duhej, minimalisht, të plotësonte këto kushte: të ishte grua e martuar, me fëmijë, pa fe, pa moral, edhe pse nuk ishte e thënë të ishte krejt e përdalë.
Në palloshllëkun e Palloshit, mungesa e moralit nuk nënkuptonte domosdoshmërisht sjelljen me seksin.
Seksi konsiderohej punë private dhe me të mund të bëje ç’të doje. Mungesa e moralit kishte të bënte me dinjitetin, parimet, identitetin dhe ato kritere të tjera shoqërore që nuk duhej të ekzistonin në karakterin dhe formimin njerëzor të anëtarëve të kabinetit të Palloshit, as në institucionet e tjera të hierarkisë së palloshllëkut të tij.
Në tenderin e shpallur për t’u martuar me Palloshin morën pjesë shumë gra që plotësonin pothuajse të gjitha kriteret e vendosura nga anëtarët e Komisionit të Këshillit Suprem. Vetëm tri prej tyre kaluan në listën e ngushtë.
Më pas, edhe pse njëra prej tyre u bë zyrtarisht gruaja e Palloshit, edhe dy të tjerat patën karriera të suksesshme.
Atë që bëri Palloshi me veten e bëri edhe shumica tjetër e kabinetit të tij.
Dikush u divorcua me burrin që kishte dhe mori burrin e dikujt tjetër; ai tjetri u martua me gruan e atij që ishte divorcuar.
Në fund, të gjithë rezultonin të martuar afërsisht brenda të njëjtit lloj.
Shumica e kabinetit, sipas porosisë së Këshillit Suprem, duhej të ishin femra.
Kjo, nga njëra anë, për të promovuar politikat feministe globale, por edhe për t’ua rikthyer dalëngadalë vëmendjen burrave tek epoka e matriarkatit, për të cilën flitej mbarë e prapë.
Ata tre-katër meshkuj që qarkullonin sa në një post ministror në tjetrin ishin të martuar me ish-gratë e Palloshit. Ato, edhe pse nuk ishin pjesë e kabinetit të tij, kishin pushtet të pakufishëm në vendimmarrjet e rëndësishme të Palloshllekut.
Për hir të së vërtetës, kjo nuk ndodhte me burrat e ministricave.
Ata, përveçse nuk kishin karakter, nuk kishin gjithashtu asnjë akses në vendimmarrjet e rëndësishme, madje as në ato të parëndësishmet, të Palloshllekut të Palloshit.
Ndonjëra prej grave ministre që kishte shfaqur ndonjë ambicie, sado të vogël, për t’i dhuruar sadopak pushtet bashkëshortit të saj, e kishte pësuar me sygjynosje.
Ishte burgosur si e padenjë për moralin e Palloshllekut.
Por tashmë ky rregull ishte vendosur dhe burrat e ministricave do të jetonin pa dinjitet, nën hijen e grave të tyre ministre.
Këtij shqetësimi ia kishte gjetur ilaçin vetë i pari i vendit, pa i vënë fare në sedër anëtarët e Këshillit Suprem, të cilët askush nuk i njihte dhe askush nuk e dinte nëse ishin apo ekzistonin gjëkund, përveç Palloshit.
Një ditë, ai urdhëroi verbalisht që burrat e ministricave të pajiseshin me qen të racave të ndryshme. Përveç socializimit të racave të ndryshme të qenve, do të socializoheshin edhe vetë burrat ndërmjet tyre.
Dhe kështu u bë.
S’kaloi shumë dhe të gjithë burrat e ministricave filluan të shiheshin gjithnjë e më shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit, në Parkun e Madh të qytetit, duke shëtitur qentë e tyre të racave të ndryshme.
Herë në grupe të vogla, herë të gjithë bashkë, ata kalonin orë të tëra duke biseduar për qenërimin, dietat ushqimore, veshjet, zinxhirët, rripat, higjienën e lëkurës, trajtimin e thonjve dhe dhëmbëve të katërputroshëve.
Me kalimin e kohës dhe shtimin e miqësisë mes tyre, nisën t’i kryqëzonin qentë e tyre me njëri-tjetrin.
Aq shumë kënaqeshin duke parë kafshët e tyre teksa çiftëzoheshin, saqë orgazmat e qenve i përjetonin sikur të ishin të tyret.
Miqësia e tyre nuk ishte burimore. Ajo ishte fryt i një vendimi të Palloshit dhe të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për këtë.
Prandaj nisën ta thërrisnin njëri-tjetrin me emrat e qenve të tyre.
Ndoshta edhe sepse nuk ia dinin emrin e vërtetë njëri-tjetrit.
Ose ndoshta sepse, diku thellë brenda tyre, kishte mbetur ende një grimë dinjiteti që kërkonte një mënyrë të vogël për t’u hakmarrë.
Kush e di?
Mbase, duke u thirrur me emrat e qenve, burrat e ministricave kishin gjetur më në fund një mënyrë për t’i kujtuar njëri-tjetrit se nuk ishin më shumë se aq.
Ose, më keq akoma:
ndoshta kishin filluar të harronin se dikur kishin pasur emra të përvetshëm, ndërsa tani ishin thjeshtë burrat e ministricave të Palloshit.
Tiranë me 24 Gusht 2026

Gazeta RD