Nga Boldnews.al
“Këtu kemi edhe Hysenin, ose siç e njohin të gjithë si Ceko. Ka mbaruar shkenca mjekësore dhe ka dhënë shumë për komunitetin”. Në këtë mënyrë, drejtuesi politik socialist i Qarkut të Beratit, Ervin Demo në prani të kryetarit të Partisë, Edi Rama, prezantoi kandidatin për zgjedhjet e përgjithshme të majit 2025, Hysen Buzali.
Në pak rreshta, Demo e paraqiti si profesionist shëndetësor, duke u munduar pa sukses të fshehë atë që beratasit tashmë e dinin se Hysen Buzali, ish-infermieri i dikurshëm, ishte shndërruar në një milioner në euro.

Në pamjet me regji të shpërndara nga kryeministria, nuk u shfaq asnjë pamje të ndonjë takimi përshëndetës mes Ramës dhe Buzalit. Megjithatë, në qarqet vendimmarrëse, ka më shumë rëndësi firma se sa fotot. Kjo ka ndodhur mes kryetarit dhe deputetit më të ri socialist.
Rama, leje hoteli në Qeparo për Buzalin
Mesditën e 27 Shkurtit 2025, në tavolinën e kryeministrit Edi Rama, ishin dosjet për plot 59 leje ndërtimi, të cilat duheshin miratuar prej tij, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).
Mes grupit të dosjeve, gjendej edhe aplikimi i një çifti bashkëshortësh nga Berati-Hysen dhe Frida Buzali-për ndërtimin e një hoteli në zonën e Qeparoit, në Bashkinë e Himarës.
Në atë moment, Hysen Buzali, dikur ish-infermier nga Berati, kishte krijuar një lloj emri në Tiranë, pasi disa kohë më parë kishte blerë Spitalin privat “Kontinental” për 1.8 milionë euro.

Por, askush nuk e dinte se, vetëm dy muaj pasi Rama do të firmoste lejen për hotelin e Buzalit në bregdetin e Qeparoit, (ish) infermieri-milioner do të shfaqej në një sallë të Beratit, si kandidat i socialistëve për Parlamentin e ri Shqiptar.
Rama “Lind Diellin” për Buzalin
Sipas dokumentave të konsultuar nga “Boldnews.al”, Hysen Buzali dhe bashkëshortja e tij do të ndërtojnë një hotel 3-katësh, me tre kate parkimi në tokë buzë detit, në zonën e Qeparoit.
Sipas detajeve të përshkruara në kërkesën për leje ndërtimi, godina do të ndërtohet në një sipërfaqe 906 metra katrorë. Trualli është ngjitur me pedonalen e zonës. Ndodhet 160 metra larg qendrës së Qeparoit së Sipërm dhe vetëm 16 minuta nga plazhi i Borshit.

Emri i investimit të ri të Buzalit është “Sunrise Hotel” (Hoteli “Lindja e Diellit”).
Projekti, i përshkruar në kërkesën për leje, tregon një godinë që është ngjitur me vijën bregdetare dhe, me aq sa duket, është një kompleks i përbërë nga tre godina të ndara, me një sipërfaqe totale ndërtimi 2052 metra katrorë
Infermieri-milioner
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, në Qarkun e Beratit, më i votuari në listën e hapur të kandidatëve të Partisë Sociliste rezultoi Hysen Buzali, me 8209 vota. Dhe kjo mbështetje duket se nuk është një rastësi. Pas zgjedhjes deputet, Hysen Buzali ka deklaruar pasurinë me vlerë miliona euro pranë ILDKPKI, me burim të pretenduar dhurata, të ardhura nga prindërit, nga pagat si dhe nga shitja e pasurive të paluajtshme.
Në vijim, është lista e pasurive të deklaruara nga Buzali:
– Shitje e pasurive, 303 mijë euro
– Shitje e pasurive, 186 mijë euro
– Shitje e pasurive, 100 mijë euro
– Paga nga Spitali Continental Tiranë, 60 mijë euro
– Truall dhe ndërtesë, 282 m2, 20 mijë euro
– Truall 304 m2, 59 mijë euro
– Depo 71 m2, 34 mijë euro
– Depo 69 m2, 34 mijë euro
– Apartament, 39 m2, 29 mijë euro
– Apartament, 93 m2, 71 mijë euro
– Kompania Royal-Farma, aksione dhuratë, 88 mijë euro
– Makinë 5 mijë euro, cash 10 mijë euro
– Llogari bankare, 43 mijë euro, 46 mijë euro
– Të ardhura nga prindërit, 38 mijë euro, 45 mijë euro
– Para te Eksos sh.p.k, 800 euro
– Tërheqje dividenti 23 mijë euro
– Paga nga Spitali Continental Lushnje, 1.6 mijë euro
– Paga Njësia Vendore e Kujdesit Shendetësor -Tiranë, 12 mijë euro
– Paga nga Ikeda sh.p.k, 10 mijë euro
Gazeta RD