Nga Bujar Leskaj
Të tmerruar nga fryma, shpresa e ngjallur nga protesta rinore dhe nga rezistenca e saj epike prej 85 ditësh, Rama dhe sekti i tij në pushtet kanë mobilizuar jo vetëm ushtrinë e “sprovuar” të patronazhistëve, por edhe “burinë” e rregjimit, ushtrinë e podkasteve zyrtare, komunikimeve direkte dhe profileve mbështetëse, për të dezinformuar dhe keqorientuar opinionin e qytetarëve, duke synuar margjinalizimin e protestës.
I. Armata e iluzionistëve dhe zëvendësimi i reformave me show
Sekti Rama ka angazhuar fort punonjës të shtetit, për të kryer lidhjen e administratës me rrjetet sociale, si dhe struktura të ndryshme publike, në shpërndarjen e pseudoarritjeve qeveritare dhe në kundërsulmet ndaj zërave kritikë në rrjet. Ka mobilizuar më shumë se kurrë më parë njerëz të afërt me pushtetin, analistë apo eksponentë të caktuar, për të mbrojtur modelet e qeverisjes në panele dhe në media, duke shitur iluzione.
Po përpiqet gjithnjë e më shumë për të mbuluar problemet e thella ekonomike, për t’i bërë qytetarët të harrojnë pakënaqësinë e ngritur ortek në vend, ndaj korrupsionit apo dështimeve administrative, përmes videove të montuara bukur, me zyra të transformuara, apo me projekte 3D.
Krijimi i platformave të reja qeveritare, apo nismat më të fundit të komunikimit po përpiqen t’i shërbejnë sektit në pushtet si fasadë dhe mjet propagande, për të treguar një realitet virtual, duke shpërfillur dhe harruar plotësisht problemet reale të qytetarëve.
Sekti Rama ka krijuar një rrjet të gjerë punonjësish në administratën publike, sidomos në atë qendrore, detyra e vetme e të cilëve është shpërndarja në rrjetet sociale e videove nga ERTV, televizioni i kryeministrit, si dhe i postimeve qeveritare, duke përdorur fondet dhe burimet shtetërore për qëllime propagande komuniste. Reformat e mirëfillta, të cilat kanë ngecur ose janë anashkaluar, po zëvendësohen nga podcastet qeveritare dhe show personal i gjoja “Liderit Rajonal”.
II. “Boria” komuniste dhe makina e prishur qeveritare
Rama harron se institucionet, njësoj si automjetet, maten nga motori që i çon përpara, jo nga boria që i bën të dëgjohen. Me një qasje komunisti të pandreqshëm, po i mëshon vetëm propagandës, me shpresë të kotë se do të shpëlajë trutë e të rinjve, sidomos të qëndrestarëve në protestë dhe të qindra mijëra të tjerëve të rinj dhe jo të rinj, që solidarizohen me protestën dhe e simpatizojnë atë. Dhe që shumë shpejt, në shtator, do të mbushin rradhët e saj.
Në vend që të inciojnë projektet për profesionistët e rinj, për inxhinierë, mjekë, agronomë, veterinerë, etj,, Rama dhe sekti i tij mbështesin me fonde dhe emërime në administratë propagandistët!
Mirëpo problemi nuk është se sa fort dëgjohet boria, por sa mirë punon motori. Mos investo te boria kur problemi është motori.
Rama qëllimisht bën sikur e harron këtë realitet. Në një sistem që funksionon, investimi shkon tek motori, tek kapaciteti që prodhon lëvizje dhe rezultat. Kur investimi shkon kryesisht tek boria, krijohet shumë zhurmë, por pak, ose aspak përparim.
Edhe institucionet, njësoj si automjetet, maten nga motori që i çon përpara, jo nga boria që i bën të dëgjohen. Burimet duhet të shkojnë tek kapaciteti, mekanizmat dhe rezultatet. Komunikimi duhet të pasqyrojë punën, dhe jo ta zëvendësojë atë.
Mirëpo këtë të fundit po përpiqet të bëjë Rama. Të zëvendësojë reformat që i ka dështuar ose nuk i ka nisur fare në këto 14 vite qeverisje, me show. Duke u sjellë si komunist klasik.
Makina e komunizmit nuk ecte, sepse e gjithë fuqia e motorit ishte çuar te boria. Metafora: burimet shpenzoheshin për zhurmën, propagandën dhe demonstrimin, në vend që të shkojnë tek motori, mekanizmi që prodhon lëvizjen dhe rezultatin.
Prandaj dhe “makinat e komunizmit”, sistemet qeverisëse të komunizmit në të gjithë botën u prishën dhe nuk ecnin më. Dhe njësoj si në barseletën historike për dështimet e komunizmit, u thirrën ideologët e saj, për të parë çfarë kjo makinë ka që nuk shkon.
Marksi thotë: “Unë projektova karrocerinë; për pjesët e tjera pyesni Engels-in.”. Engelsi thotë: “Unë u mora me suspensionin dhe drejtimin; motori është puna e Lenin-it”. Lenini kontrollon makinën, sheh motorin dhe në fund thotë: “Po si prisni të ecë, shokë, kur të gjithë fuqinë e motorit e keni çuar te boria?”. Makina e komunizmit ishte prishur. Kur e kontrolluan, zbuluan se motori nuk ishte lidhur me rrotat, por me borinë.
xxx
Kështu po sillet sot Rama, duke dashur të deformojë realitetin mjeran të braktisjes masive të vendit dhe dështimit të reformave për një ekonomi të qendrueshme dhe për qytetarët, me “bori” patronazhistësh dhe shërbëtorësh e pagamarrësish të qeverisë në rrjet sociale dhe mediat. Por nuk do t’ia arrijë dot. Orteku i protestës rinore dhe qytetare në shtator do ta marrë përfund me vete, për ta hedhur në koshin e historisë, aty ku e ka vendin.
Gazeta RD