Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference shtypi tha se, prej 3 muajsh protestohet ndaj një qeverie pa legjitimitet, kurse Rama ka zgjedhur ahengjet me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit,
Berisha: Java që kaloi u mbyll me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit.
Barkderrat e shtetit nuk kanë të ngopur.
Në një kohë kur prej mbi 3 muajve protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare.
Duhet ta mësoni ju se, Kuçi ka shumë gjëra për të cilat është i njohur, por edhe për shelegët dhe gatimin e tyre.
Dhe kjo ishte arsyeja e takimit në Kuç.
Korani nuk ka nevojë për komente.
Po cili ishte rezultati i këtyre takimeve?
Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime.
Çfarë doli nga Pogradeci?
U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit.
Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje?
Do më shkruante një mik i imi pensionist: dua ta falënderoj atë plakun që përqafoi Edi Ramën se na shpëtoi nga ulja e pensioneve.
Çfarë solli? Çfarë dëgjuan nxënësit, mësuesit e këtij vendi për vitin e ri shkollor?
Çfarë dëgjuan të sëmurët e Shqipërisë për shëndetin e tyre?
Çfarë dëgjuan mbi 30% e shqiptarëve, që janë në rrezik për kafshatën e gojës, janë të kërcënuar nga uria sipas të dhënave të fundit të FAO-s?
Dëgjuan se do merremi me ushqimin.
Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre?
Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?
Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë.
Gazeta RD