Nga Bislim Ajmetaj
-Portret i shkurtër i një njeriu të veçantë-
Në fakt ai e kishte emrin Shpetim dhe mbiemrin Stermasi.
I mëshonte fort dhe përherë përdorimit të këtij “nickname” për faktin që pas viteve të ’90-ta kur ai doli nga burgu me këtë emër u pagëzua ish-sigurimi i shtetit.
Por nuk e ndryshoj dot asnjëherë këtë shkurtim, pasi kështu e kanë thirrur shokët e fëmijërisë aty ku u lind e rritë tek Pazari i Ri.
Kështu e kanë thirrë bashkëvuajtësit e vet nëpër burgjet e diktaturës nga Spaçi në Burrel ku kaloj rininë dhe moshën e burrnimit.
Kështu e kanë thirrë edhe vartësit dhe eprorët pas viteve 92 kur punoj si komisar policie nga Burreli ku kaloj ma shumë se 15 vite si i burgosur politik e më pas në Tiranë dhe Elbasan.
Shpetimi ishte unik në prajtësinë e tregimit të vuajtjeve dhe sakrificave të tij mbinjerëzore për me mbetë njeri.
Ai fliste veç për sublimitetin e shokëve të tij të burgut dhe kurrë për vetën e tij.
Ndihet me fat dhe krenar që ka pas fatin me e nda vuajtjen dhe qelinë me njerëz të shquar të klerit katolik dhe atij mysliman në Burgun e Burrelit.
“Aty bamë universitetin- pohonte ai me përulsi.”
“Kur punova për katër pesë vite në policinë e shtetit në kohën e demokracisë jo vetëm që s’më shkoj asnjëherë mendja të hakmerresha ndaj askujt, por akoma jam i çuditur se çfarë kafshësh politike kanë qënë ata njerëz-bisha që na kanë torturuar e çnjerëzuar në emër të shtetit dhe politikës në kohën e diktaturës.”
“Shumë gjëra mund të ishin ba ma mirë në këto 30 e sa vite por aq keq sa ka qënë prapë është shumë mirë.”- thoshte Shik Stermasi.
Ai kishte miqësi të zgjeruar me shumë e shumë njerëz anë e mbanë Shqipërisë, por me qenin e tij kishte raporte ideale dhe unë një mik periferik i tij i jap plotësisht të drejtë.
Lamtumirë Shik Stermasi.
I lehtë të qoftë dheu i Tironës që e deshe si sytë e ty.
Gazeta RD