Profesori thirrje studentëve dhe pedagogëve: Ejani në Sheshin e Lirisë!

Profesori Lush Susaj ka folur në protestën e 87-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te situata e studentëve dhe arsimit në Shqipëri.

Susaj u bëri thirrje studentëve, pedagogëve dhe mësuesve që t’i bashkohen protestës, ndërsa akuzoi qeverinë se ka dështuar në përmbushjen e premtimeve për arsimin.

Ai solli në vëmendje “Paktin për Universitetin”, duke deklaruar se ai u shkel nga qeveria dhe se studentët nuk duhet të mashtrohen sërish.

Susaj tha se studentët dhe nxënësit përballen me kushte të vështira, rritje të kostove të jetesës, mungesë kampusesh universitare, konviktesh, qendrash shkencore dhe bibliotekash.

Në fund, profesori i bëri thirrje studentëve, pedagogëve dhe mësuesve të ngrihen në protestë, duke e paraqitur këtë qëndresë si një përballje politike me qeverisjen e Edi Ramës.

Lush Susaj: Të nderuar pjesëmarrës,

E mora fjalën sonte për të ndarë me ju kënaqësinë më të madhe dhe të vërtetën historike që, sikurse natën e parë, edhe sot, në natën, në ditën e 87-të, jo vetëm që nuk jemi demotivuar e dobësuar, po, përkundrazi, jemi më të fortë e më të bashkuar e më të vendosur se kurrë për t’i shkuar deri në fund rikthimit të demokracisë dhe pluralizmit real në Shqipëri.

E me këtë rast i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë, e në mënyrë të veçantë qytetarisë së Tiranës, e sidomos tiranasve autoktonë, që të vijnë në Sheshin e Lirisë. Sepse çdo grimcë e kësaj toke ka emrin tuaj, gjakun tuaj, mundin tuaj dhe historinë tuaj, e mos ta turpërojmë as mundin, as gjakun, as historinë.

Dhe të vijnë në shesh, sepse kjo është protesta, jo protestë e partive, jo protestë e partive që dolën nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës që ka pasur zyrat te kjo ndërtesa këtu përballë, por është protesta e çdo shqiptari në zemrën e të cilit asht Shqipëria, e çdo shqiptari që zemra e të cilit rreh për Shqipërinë, dhe asht gati me pushue për Shqipërinë.

Kjo është e vetmja protestë që do të shpronësojë njëherë e përgjithmonë të gjithë kakistokracinë, marrëzinë, oligarkinë, fëlliqësinë dhe prostitucionin politik shqiptar, i cili e ka sjellë vendin në këtë gjendje të pafavorshme, dhe po rrezikon edhe qenien e shtetit shqiptar.

Kjo është protesta e popullit shqiptar, e cila do të shpronësojë njëherë e përgjithmonë korrupsionin, duke shpallur korrupsionin tradhti kombëtare dhe të korruptuarit tradhtarë të kombit shqiptar.

Dhe dijeni mirë që vetëm atëherë zagarët e qeverisjes nuk do të mund të shtrijnë dorën mbi pronat shtetërore, as mbi pronat e shqiptarëve.

Kjo është protesta që mbjell bashkim dhe dashuri midis popullit dhe protestuesve, e jo urrejtje. E me këtë rast i bëj thirrje të gjithë njerëzve të jenë të durueshëm e të mos bien pre e provokimeve.

Çdo rënie pre e provokimeve, jo se cenon këtë protestë, se kjo është protestë shembullore, por i jep material atyre që e duan të keqen e Shqipërisë. Prandaj, kurajo e durim. Durimi është forcë dhe atdhetari.

Duhet të kemi parasysh, kjo është protesta që i kthen nderin dhe dinjitetin mësuesit dhe arsimit shqiptar. Jemi vendi që shpallemi me mbi 60% analfabetë funksionalë. Jemi vendi që nga 2015-ta e sot, për 10 vjet, kemi humbur 16 vende, 19 vende, më falni, 19 vende në renditjen ndërkombëtare.

Prandaj i kthen nderin dhe dinjitetin mësuesit, mjekut, ushtarakut, punëtorit, vajzës, nënës, gjithkujt, dhe ia heq nderin dhe dinjitetin e rrejshëm këtyre pushtetarëve injorantë që nuk dinë të lexojnë as shifrat numerike, të gjithë atyre që, me votën e vjedhur, i sulën fronit.

Kjo protestë do ta shpronësojë përgjithmonë elitën e rrejshme të komunizmit. Poshtë komunizmi, poshtë diktatura!

Çdo shqiptar që nuk e kupton se çfarë i ka sjellë komunizmi dhe diktatura Shqipërisë, kurrë nuk bëhet hajër, sepse ai nuk mund të quhet shqiptar.

Dhe po ju kujtoj edhe diçka tjetër për nxënësit dhe studentët. Duhet të keni parasysh, fillon shtatori. Vijnë fletë të reja për nxënësit dhe studentët e Shqipërisë.

Shkollat dhe universitetet e Shqipërisë nuk është se kanë ndryshuar shumë nga qershori. Siç i keni lënë, i gjeni. Veç i gjeni në kushte më të rënda, sepse janë rritur çmimet e qirave, janë rritur çmimet e ushqimeve, janë rritur çmimet e përballimit të shpenzimeve, kur punësimi dhe ekonomia nuk kanë pësuar të njëjtën rritje.

Nuk kemi as kampuse universitare, as konvikte, as qendra shkencore, as biblioteka. Studentët dhe nxënësit e Shqipërisë janë lënë në mëshirë të fatit.

Pakt për Universitetin i tregoi gjithë Shqipërisë dhe botës që nuk mund të ketë një mashtrim të dytë me besën. Ajo ishte besa e parë që u shkel nga qeveria, e kjo nuk do të përsëritet.

Çdo shqiptar që i beson të pabesit, pëson fatin që pësuan studentët dhe pedagogët.

Me këtë rast i bëj thirrje çdo studenti dhe profesori e mësuesi të ngrihet në protestë! Dhe pse? Sepse këtë rast nuk jemi në kushtet e vitit 2018-2019.

Ta dinë studentët dhe nxënësit e Shqipërisë se këtë herë, prindërit e tyre nuk do të shantazhohen, nuk do të tradhtojnë, nuk do të votojnë kundërshtarëve të fëmijëve të tyre.

Këto 70 ditë qëndrese janë të mjaftueshme për t’i treguar çdo shqiptari se çfarë do të thotë kur shet të ardhmen e fëmijëve. Se kur shet të ardhmen e fëmijëve, fëmija ikën e ta lë shtëpinë bosh, t’i lë shkollat bosh, t’i lë universitetet bosh.

Këtë e kanë bërë horrat.

Dhe së dyti, ta dinë studentët dhe nxënësit e Shqipërisë që mësuesit dhe nxënësit e Shqipërisë, pavarësisht edhe atyre që e kanë gëlltitur lugën e çorbës së prishur, nuk do t’i tradhtojnë, nuk do t’i lënë vetëm sikur në 2018-2019-ën.

Prandaj, thirrje kolegëve të nderuar: ejani në Sheshin e Lirisë, ejani me betimin e Zotit e me detyrën funksionale që keni për të qenë prindër të nxënësve dhe studentëve të Shqipërisë.

Dhe po e mbyll duke falënderuar Zotin që jemi bashkë, duke e falënderuar çdo protestues.

Rroftë Bashkimi Evropian, rrofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rroftë çdo shqiptar që kontribuon në protestë për prosperitetin e Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Protestuesit-Ramës: Në “Pasqyrën” tuaj vetëm mashtrim, në bulevardin tonë vetëm guxim!

Në ditën e 87 të protestës qytetare, protestuesit përmes pankartave kanë zgjedhur që të shfaqin …