“Kemi 30 mln euro mall”, media belge zbërthen dosjen e “Cinco”-s dhe mesazhin për Edi Ramën

Nga një biznesmen i njohur në jetën e natës në Shqipëri, te një prej emrave të dosjeve të mëdha të trafikut të kokainës në Belgjikë.

Media belge “Het Laatste Nieuws” sjell historinë e Ermir Ndreajt, i njohur si “Cinco”, teksa ka zbuluar mënyrën se si ai dyshohet se operonte në prapaskenat e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa në komunikimet e tij shfaqen miliona euro, laboratorë kokaine, transporte nga Ekuadori dhe një jetë luksoze.

Në një prej bisedave të zbuluara në dosje, Ndreaj flet edhe për investime prej miliona eurosh dhe, madje përfshin në llogaritë e tij edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Edhe kryeministri i Shqipërisë merr pjesë”, shkruante ai, pa dhënë në atë komunikim detaje të mëtejshme se çfarë nënkuptonte.

Sipas prokurorisë belge, Cinco nuk ishte thjesht një ekzekutues, por personi që organizonte  transportet, siguronte magazinat, drejtonte njerëzit dhe ndërhynte sa herë që një ngarkesë droge rrezikonte të zbulohej.

Artikulli i Het Laatste Nieuws: 

Për një periudhë, ai jetoi në Britsenlei me partneren e tij Elira, me të cilën kishte edhe sallonin e bukurisë Clinique Cinq. Në Shqipëri kishte një klub nate. Ermir Ndreaj 44 vjeç dukej në çdo aspekt si një biznesmen i suksesshëm, madje kishte edhe një orë me vlerë 200 mijë euro.

Por “Cinco” ishte gjithashtu personi që telefonohej sa herë që një transport, një magazinë apo një ngarkesë droge rrezikonte të dështonte.

“Kemi 30 milionë euro mall në duar, duhet ta largojmë sa më shpejt të jetë e mundur.”Si funksiononte biznesmeni në botën e krimit dhe pse do të pendohet që humbi orën e tij?

Ishte e martë, 15 shtator 2020. Koha ishte e kufizuar. Çdo vonesë kushtonte para dhe çdo gabim mund të ekspozonte ngarkesën. Mesazhi vinte nga Ermir Ndreaj, i njohur me pseudonimin “Cinco”.

Me disa udhëzime të shkurtra, ai organizonte gjithçka që nevojitej: një faturë që transportit t’i jepej një pamje ligjore, një shofer që nuk dinte asgjë dhe dikush “nga tanët” që do të shoqëronte ngarkesën për t’u siguruar se ajo do të përfundonte në vendin e duhur.

Ngarkesa ishte ajo që më vonë u quajt “kokaina e tonit”. Mijëra kanaçe me ton ishin transportuar nga Ekuadori përmes Antwerp-it drejt një kompanie ushqimore holandeze. Tani, qindra kuti duhej të dërgoheshin në një magazinë në Heirbaan, në Beveren-Melsele.

Në dokumente bëhej fjalë për një ngarkesë të zakonshme ushqimore. Në realitet, sipas dosjes gjyqësore, në një pjesë të kanaçeve ishte fshehur pastë kokaine. Në orën 18:34, Ndreaj njoftoi se transporti kishte mbërritur. Në magazinë u shkarkuan 796 kuti, me gjithsej 38.016 kanaçe ton.

Sipas dosjes, në 141 prej këtyre kutive ishte fshehur pasta e kokainës. Në orën 19:22, Cinco mori një foto të paletave. Vetëm shtatë minuta më vonë u hapën kanaçet e para.

Në papafingon mbi magazinë, kutitë ishin vendosur deri në mure. Mes mbetjeve të yndyrshme të peshkut dhe pirgjeve me konserva, pesë burra kërkonin atë që në të vërtetë kishte rëndësi.

Peshku nuk i interesonte askujt. Ajo që duhej nxjerrë ishte pasta e kokainës. Urdhri ishte i thjeshtë: gjithçka duhej hapur dhe sa më shpejt të ishte e mundur.

Vetëm një hapëse kanaçesh

Operacioni nisi në një mënyrë thuajse amatore. “Djemtë” kishin vetëm një hapëse të zakonshme kanaçesh. Kanaçe pas kanaçeje, i hapnin me dorë. Puna ecte jashtëzakonisht ngadalë. U blenë hapëse të tjera dhe madje edhe një dyshek, në mënyrë që burrat të mund të pushonin gjatë punës.

Kur punëtorët lodheshin, zëvendësoheshin me të tjerë. Por për Cinco-n, gjithçka përsëri po ecte shumë ngadalë. Një ditë më vonë, situata ndryshoi papritur.

Rreth orës 20:30, dikush vuri re njerëz që lëviznin dhe drita të ndezura në magazinat poshtë tyre.

A ishte policia? Filluan telefonatat. Njerëzit shanin. Gjithçka duhej larguar. Menjëherë. Burrat telefonuan Ndreajn. Sipas dosjes, shefi i tij, boshnjaku Sani Al Murdaa, i njohur si “Shade”, ishte krejtësisht i alarmuar.

Në grupin e komunikimit u dha urdhri që gjithçka të zhdukej menjëherë. Një bashkëpunëtor u nis “si i çmendur” drejt Melsele-s. Në fund, kriza u tejkalua. Të nesërmen në mëngjes, Cinco siguroi tre hapëse industriale elektrike për kanaçet.

Pikërisht këto orë tregojnë rolin që luante Ndreaj. Ai nuk ishte mes mbetjeve të tonit. Nuk ishte ai që hapte kanaçet. Ai ishte personi që telefonohej kur puna ndalonte ose kur operacioni rrezikonte të dilte jashtë kontrollit.

Sipas prokurorisë federale, Ndreaj nuk ishte një ushtar i thjeshtë, por krahu i djathtë dhe personi i besuar i boshnjakut Sani Al Murdaa, një bos i njohur i drogës me një rrjet ndërkombëtar dhe një nga figurat kryesore të dosjes “Kookwas”.

Al Murdaa merrej me linjat ndërkombëtare dhe kontaktet me furnizuesit. Cinco duhej të garantonte që operacioni në Belgjikë të funksiononte: organizonte transportet, gjente magazina, drejtonte njerëzit, shpërndante paratë dhe zgjidhte situatat e krizës.

“Ai është një person shumë dinak”, tha prokuroria federale. “Ai kontrollon dhe rikontrollon gjithçka dhe, nëse diçka shkon keq, fillon vetë të hetojë, me orë dhe ditë të tëra, derisa gjen një zgjidhje.”

Toni informal

Mesazhet e tij tregojnë pikërisht këtë. Kur një operacion vonohej, Ndreaj i shkruante një bashkëpunëtori përmes Sky ECC: “As nuk fle.”

Pak më vonë shpjegonte arsyen: “Kemi 30 milionë mall në duar, duhet ta largojmë sa më shpejt.”

Stresi ishte i dukshëm, por ai nuk rrinte duarkryq. Reagimi i tij ishte gjithmonë i njëjtë: mblidhte informacion, aktivizonte njerëzit dhe përpiqej të rikthente kontrollin.

Toni i tij me njerëzit përreth ishte shpesh tepër informal. Fjalët “bro”, “vëlla” dhe “vëllai im” përsëriteshin vazhdimisht në biseda. Por pas kësaj gjuhe miqësore fshihej një ndarje e qartë rolesh. Secili kishte funksionin e tij, secili duhej të bënte pjesën e vet dhe në fund gjithçka rrotullohej rreth një gjëje: parave.

Në botën kriminale, Ermir Ndreaj njihej prej vitesh si “Cinco”.

Pseudonimi nuk vinte nga ndonjë dosje penale, por nga jeta e natës shqiptare. Cinco Cavalli ishte klubi në Durrës me të cilin emri i tij u lidh për vite me radhë. Sipas të dhënave të bizneseve shqiptare, Ndreaj shiti pjesën e tij në Cinco Cavalli në vitin 2018. Por pseudonimi mbeti.

Ndreaj është me origjinë nga Bajram Curri, në veriun e Shqipërisë, por reputacionin publik e ndërtoi kryesisht si biznesmen në fushën e hotelerisë, jetës së natës dhe estetikës. Emri i tij u lidh me Cinco Cavalli në Durrës, Savoy Garden në Tiranë dhe Clinique Cinq në Antwerp dhe Tiranë.

Për një periudhë, Ndreaj jetoi në Britsenlei me partneren e tij nga Genti, Elira B. Në vitin 2020 u themelua Clinique Cinq, një sallon bukurie ku ai ishte i përfshirë sipas të dhënave të bizneseve dhe që më vonë falimentoi.

Ndërkohë, Elira drejton në emrin e saj një sallon në Tiranë. Sipas mediave shqiptare, ata janë ende të martuar. Nga jashtë, ai dukej kryesisht si një biznesmen. Por në komunikimet e përgjuara shfaqet një botë tjetër, ku qarkullojnë miliona euro dhe ku vazhdimisht bëhen llogari për investime dhe fitime.

Jeta luksoze

Prokuroria federale e përshkruan jetën e Ndreajt pas largimit nga Belgjika si një “jetë luksoze”, me avionë privatë, veshje të shtrenjta, udhëtime luksoze dhe orë të kushtueshme. Por më interesante se lista e luksit është mënyra se si vetë Ndreaj fliste për pasurinë.

Në një bisedë me Al Murdaa-n, ai bënte llogaritje për blerjen e një hoteli dhe pronave përreth tij. Investimi total, sipas tij, do të shkonte rreth 15 milionë euro. Ndreaj mendonte menjëherë për të ardhmen: brenda tre vitesh, sipas tij, prona mund të trefishonte vlerën.

Dhe më pas shkruante: “të gjitha zyrtarisht”.

Në fund bënte një deklaratë të habitshme: “Edhe kryeministri i Shqipërisë merr pjesë.”

Kjo tregon se paratë për Cinco-n nuk shërbenin vetëm për të financuar një jetë luksoze. Ai mendonte për investime, kthim të kapitalit dhe krijimin e një pasurie që do të rritej vit pas viti.

Ndërkohë, emri i tij u shfaq edhe në dosje të tjera të trafikut të kokainës në Antwerp dhe në kontakte me persona nga qarqe të ndryshme kriminale, nga rrethi i Nordin El H., i njohur si “Dikke Nordin”, deri te anëtarë të klanit asirian Y.

Si e tradhtoi veten Cinco

Në mars 2021 gjithçka ndryshoi. Pas thyerjes së Sky ECC, hetuesit mundën të lexonin komunikimet e personave të dyshuar si figura kyçe të trafikut ndërkombëtar të drogës. Edhe një llogari që më vonë do t’i atribuohej Ermir Ndreajt u vu nën vëzhgim.

Sipas dosjes, identifikimi i tij nuk u mbështet në një mesazh të vetëm, por në një seri gjurmësh. Në një moment, nga kjo llogari u dërgua një dokument gjyqësor në emër të Ndreajt.

Në një rast tjetër, përdoruesi shpërndau një artikull gazete për çështjen e “Frank de Tank”, ku përmendej edhe emri “Cinco”.

“Po bro, por nuk është normale. Pse më kanë futur mua në gazetë bashkë me atë kokëmadhi? Çfarë lidhjeje kam unë me të? Asgjë.”

Për hetuesit, ky ishte një nga elementet që çonte drejt identifikimit të Ndreajt. Edhe orët e tij të shtrenjta ndihmuan në identifikimin e tij.

Përdoruesi i llogarisë kishte shkruar se “RM”-ja e tij ishte vjedhur në Barcelonë. Hetuesit e lidhën këtë, sipas dosjes, me vjedhjen e orës Richard Mille të Ndreajt, ku kishte ndërhyrë edhe policia spanjolle.

Më vonë u shfaqën mesazhe për një Richard Mille që kushtonte rreth 200 mijë euro. Në dosje u përdor edhe një screenshot i komunikimeve të pretenduara me avokatin e tij, Walter Damen, për të lidhur llogarinë e Sky ECC me Ndreajn. Mbrojtja më vonë e kundërshtoi përdorimin e këtyre mesazheve për identifikimin e tij.

225 kilogramë kokainë

Dosja “Kookwas” tregon përmasat e operacionit në të cilin Cinco ndihmoi të organizohej logjistika në Belgjikë.

Të paktën tre transportime me ton mbërritën në Belgjikë përmes Antwerp-it. I treti ishte pikërisht transporti i përshkruar në fillim, i cili përfundoi në Beveren-Melsele.

Më pas u shfaq një problem tjetër: cilësia e kokainës. Kokaina që nxirrej nga pasta copëtohej dhe kthehej në grimca. Klientët filluan të kthenin blloqet. Ndreaj angazhoi persona që merreshin me përpunimin e kokainës në Holandë për të gjetur një zgjidhje.

“Kookwas” përfshinte gjithashtu laboratorë industrialë ku kokaina pastrohej dhe përpunohej përsëri. Në vende të ndryshme të Belgjikës, droga përpunohej sërish. Edhe këtu, sipas dosjes, shfaqet Cinco: jo si kimist, por si “fixer” – personi që zgjidhte problemet.

Përmasat e operacionit u bënë të qarta në Marcinelle.Në qershor 2021, policia zbuloi një laborator për përpunimin e kokainës me një sipërfaqe prej rreth 550 metrash katrorë. Sipas llogaritjeve në dosje, aty u nxorën 225 kilogramë kokainë nga ngarkesa me ton.

Nga tre transportet mund të jenë nxjerrë gjithsej rreth 550 kilogramë kokainë, teorikisht me një vlerë prej 16.5 milionë eurosh, nëse llogaritet me 30 mijë euro për kilogram.

Drejtësia e gjen Cinco-n

Ndërkohë, dënimet ndaj Ndreajt në Belgjikë u shtuan. Në fund të qershorit 2025, ai u dënua me 6 vite burg në çështjen “Frank de Tank”. Një javë më vonë, mori edhe 7 vite të tjera në një tjetër çështje droge.

Në shkurt 2026, iu shtuan edhe 12 vite burg për rolin e tij në çështjen “Kookwas”. Në atë moment, megjithatë, Cinco nuk ndodhej në një burg belg. Në korrik 2025, ai ishte arrestuar në Shqipëri në kuadër të një hetimi të SPAK, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Disa muaj më vonë, sipas medias shqiptare Zëri, ai kërkoi lirimin për shkak të problemeve shëndetësore. Gjykata e Posaçme e refuzoi kërkesën. Sipas mediave shqiptare, në atë kohë Ndreaj ndodhej në spitalin e burgut.

Edhe hetimi shqiptar vazhdoi. Më 8 korrik 2026, SPAK dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 15 të pandehurve. Ndreaj lidhet, ndër të tjera, me një episod droge në Guayaquil, Ekuador. Sipas SPAK, dosja në tërësi lidhet me 8.126 kilogramë drogë, prej të cilave 7.261 kilogramë ishin kokainë.

Ndreaj aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri.

Reagimi i avokatit

Ndreaj mohon se ka pasur lidhje me trafikun e drogës. Ai ka apeluar dënimet e marra në Belgjikë. Avokati i tij, Walter Damen, deklaron: “Klienti im është shpallur tre herë i pafajshëm dhe me të drejtë.”

Sipas Damen, në dosjet e tij nuk ka asnjë provë të vërtetë. Përkundrazi, ai pretendon se gjendja shëndetësore e Ndreajt nuk do t’ia kishte mundësuar kryerjen e këtyre veprave.

Avokati thotë gjithashtu se disa persona kanë dhënë deklarata kundër Ndreajt nën presion dhe më pas i kanë tërhequr ato gjatë marrjes në pyetje ose në gjykatë.

Edhe për hetimin shqiptar, Damen është kritik.

Sipas tij, SPAK ka përdorur “informacion shumë të kufizuar nga një dosje belge, pa paraqitur të gjithë dosjen dhe pa përfshirë elementet që janë në favor të klientit të tij”.

“Ne presim me durim procedurat e ardhshme të apelit dhe besojmë se aty të drejtat e mbrojtjes do të respektohen.”

About Redaksia

Check Also

Zjarret në Vlorë, rastësi apo interesa?

Nga Eralba KRESHPA Nënkryetare e PD Vlorë Përsëri zjarre në Vlorë. Përsëri flakë që përhapen …