Tabaku: Shqipëria mbetet pas rajonit në teknologji, qeveria po favorizon klientelizmin dhe tenderat

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar për të dhënat e fundit mbi eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, duke deklaruar se Shqipëria mbetet jokonkurruese në një prej sektorëve strategjikë të ekonomisë.

Sipas saj, vendi eksportoi 222 milionë euro shërbime TIK, ndërsa teprica neto e sektorit ishte vetëm 119 milionë euro.

Eksportet e TIK përbëjnë 0,89% të PBB-së, shumë më pak se mesatarja rajonale prej 3,57%.

Tabaku e krahasoi Shqipërinë me vendet e rajonit, duke theksuar diferencën e madhe me Serbinë dhe Kosovën.

Serbia eksportoi 4,13 miliardë euro shërbime TIK dhe siguroi një tepricë neto prej 3,23 miliardë eurosh, ndërsa Kosova eksportoi 348 milionë euro, 126 milionë euro më shumë se Shqipëria.

Shqiptarët Po Humbin Betejën e Teknologjisë: Qeveria Favorizon Klientët, Ndërsa Të Rinjtë Largohen

Ndërsa rënia e euros vazhdon të godasë industrinë përpunuese dhe eksportuesit vendas, modeli ekonomik i ngritur nga socialistët po u kushton gjithnjë e më shumë familjeve shqiptare.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është një prej sektorëve më të avancuar të ekonomisë globale. Shqipëria ka të rinj të talentuar, programues të aftë dhe mundësi të mëdha për t’u lidhur me tregjet e Bashkimit Europian. Megjithatë, ky potencial po shpërdorohet.

Ne eksportuam 222 milionë euro shërbime TIK, duke u renditur e parafundit në rajon për vlerën e eksporteve. Në raport me madhësinë e ekonomisë, renditet e fundit. Eksportet TIK përbëjnë vetëm 0,89% të PBB-së së Shqipërisë, kundrejt mesatares rajonale prej 3,57%. Në Serbi, ato përbëjnë 4,96% të PBB-së.

Serbia eksportoi 4,13 miliardë euro shërbime TIK, pra rreth 19 herë më shumë se Shqipëria. Teprica e saj neto arriti në 3,23 miliardë euro, ndërsa e Shqipërisë ishte vetëm 119 milionë euro. Madje edhe Kosova, me një ekonomi dhe popullsi më të vogël, eksportoi 348 milionë euro shërbime TIK—126 milionë euro më shumë se Shqipëria.

Shqiptarëve nuk u mungojnë as talenti, as aftësia për të komunikuar dhe aq më pak lidhja me tregun europian.

Ajo që i pengon është një sistem që ka shkatërruar konkurrencën dhe meritokracinë; një sistem që favorizon klientët e qeverisë dhe kontratat publike, në vend të sipërmarrësve të rinj, inovacionit dhe ideve të mira.

Ndërkohë, shumë të rinj të aftë largohen nga vendi. Ata mund të punonin në Shqipëri, të ngrinin kompani teknologjike, të krijonin vende pune dhe të ndërtonin familjet e tyre këtu. Por përballen me një ekonomi ku lidhjet politike shpesh vlejnë më shumë se aftësia.

Dhe ndërsa ditët e qeverisë i ha “Diella”, që tanimë njihet si krijesa e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, në bashkërendim me AKSHI-n, shifrat e shqiptarëve që largohen dhe të mundësive të humbura për më shumë të ardhura janë të qarta dhe tregojnë një realitet tjetër.

Ky model shpërblen më shumë paranë informale, privilegjet dhe tenderat sesa teknologjinë, dijen dhe punën e ndershme.

Shqipëria mund të ishte pararojë e rajonit në teknologji. Por për këtë duhen konkurrencë e ndershme, meritokraci, mbështetje për sipërmarrjet e reja dhe një shtet që investon te talenti—jo te klientët e pushtetit.

About Redaksia

Check Also

Zjarret në Vlorë, rastësi apo interesa?

Nga Eralba KRESHPA Nënkryetare e PD Vlorë Përsëri zjarre në Vlorë. Përsëri flakë që përhapen …