Kryetari i PD, Sali Berisha, para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, nënvizoi se kjo verë shkriu plotësisht propagandën e drejtësisë së re, ndërsa protesta qytetare e e pandalur në tre muaj, katandisi kryeministrin Edi Rama në një hiç.
Berisha tha se, ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës.
Berisha: Dje u arrestua nga policia mafiozi më i rrezikshëm i Shqipërisë dhe Evropës Juglindore pas padrinos, krahu i djathtë i këtij të fundit, Ergys Agasi.
Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e drejtësisë së re.
Edi Rama shpërfaqi hapur kontrollin e tij të plotë mbi Spakun e partisë dhe e nisi atë me pushime në Aruba së bashku me Agaçin dhe Olsin e tij.
Këtë verë, gju më gju me Sadushin e partisë, Edi Rama ndiqte koncertet folk të Petras në Vajzën e Ali Asllanit.
Këtë verë nga drejtësia e re pa bërë zhurmë u lirua nga qelia një nga hajdutët më të pangopur të këtij vendi, Ilir Beqja, që njësoj si Saimir Tahiri, si Jurgen Çyrbja, si Vangjush Dako, Alqi Bllako dhe shumë e shumë të tjerë u futën në burg për dy-tre vite dhe u liruan dhe asnjë qindarkë nga dhjetëra e qindra milionë euro që kanë vjedhur me Edi Ramën nuk iu kthye mbrapsht shqiptarëve.
Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e turizmit, sepse turisti 20-vjeçar u masakrua në hotelin e baronëve të krimit që mbrohen nga narkopolicia dhe Edi Rama.
Kujtojmë këtu këtë verë kryebotimin e saj, Albanian Files apo Librin e Kuq. Nuk bëhet fjalë për Librin e Kuq të Sulejmanit të Madhërishëm as të Karl Jungut, por për ‘Librin e Kuq’ të Sulltanit të Surrelit, i cili me 523 projekte dëshmon se e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal.
Këto janë 523 arsye për ta çuar Ramën në qeli dhe vetëm në qeli.
Dhe më e fundit, 500 milionë euro gjobë rrezikojnë shqiptarët të paguajnë për aeroportin e Vlorës pas ndërhyrjes së njëanshme që bën Rama dhe Lubi Balluku, të cilët mbrohen me 83 mandatet e krimit.
Kjo ishte vera që Edi Rama u ofroi shqiptarëve këtë vit. Zjarre, vrasje turistësh, qindra milionë euro të vjedhura.
Mirëpo, përveç këtyre, ishte edhe diçka tjetër këtë verë që Edi Ramën e rrënoi çdo ditë dhe e katandisi atë në pothuaj një hiç.
Dhe kjo ishte protesta madhështore qytetare e pandalur në tre muaj, ndonëse në temperaturat më të nxehta dhe terrorin e përgjithshëm politik. Në temperatura ku vera mund të skuqej në nxehtësinë e asfaltit, presione, kërcënime të egra dhe provokime të pandalura nga patronazhistët terroristë politikë, narkopolicia dhe kartelet qeveritare të drogës ndaj protestuesve paqësore.
Ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës.
Për nga gjatësia, protesta e dytë më jetëgjatë pas asaj te Rruga e Shpresës, duke shënuar për nga madhësia absolutisht protestën më masive që Shqipëria ka parë ndonjëherë që nga vitet ’90 gjer sot.
Gazeta RD