Nga qelia, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar tërheqjen e delegimit të kompetencave që i ishin dhënë Anuela Ristanit për drejtimin e institucionit.
Në arsyetimin e vendimit, Veliaj i referohet ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Kodit të Procedurave Administrative, duke theksuar se delegimi i kompetencave ishte parashikuar si një masë e përkohshme për të garantuar vijimësinë e funksionimit të Bashkisë së Tiranës.
Në dokument argumentohet se ushtrimi i kompetencave të deleguara duhet të bëhet në përputhje me autoritetin e kryetarit të zgjedhur dhe se delegimi nuk mund të shndërrohet në një burim autonom kompetencash.
Veliaj pretendon gjithashtu se gjatë periudhës së fundit ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë.
Sipas tij, kjo situatë ka cenuar zinxhirin e përgjegjësisë dhe drejtimit institucional, ndërsa delegimi i kompetencave, i cili fillimisht synonte garantimin e vijimësisë administrative, është kthyer në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të kryetarit.
Në vendim thuhet se këto rrethana përbëjnë një ndryshim thelbësor të kushteve në të cilat ishte dhënë delegimi dhe se tërheqja e tij synon garantimin e ligjshmërisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës, si dhe vijimin pa ndërprerje të shërbimeve publike për qytetarët.
VENDIMI:
Në mbështetje të nenit 8, pika 2 dhe nenit 64 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, si dhe nenit 113 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”;
duke mbajtur në konsideratë se urdhri nr. 366 (nr. 7461 prot.), datë 14.02.2025, “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, është nxjerrë si një instrument organizativ me karakter të përkohshëm, me qëllim garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe të shërbimeve të Bashkisë së Tiranës në kushtet e krijuara në atë kohë;
duke mbajtur në konsideratë se mandati i Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur si i tillë në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendimmarrja më e fundit e kësaj Gjykate ka eliminuar çdo paqartësi mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të këtij mandati, si dhe mbi autoritetin që buron prej tij;
duke vlerësuar se vendimmarrja më e fundit e Gjykatës Kushtetuese përbën një rrethanë të re dhe përcaktuese për raportet institucionale brenda Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon që ushtrimi i çdo kompetence të deleguar të zhvillohet në përputhje dhe në koordinim të plotë me autoritetin e Kryetarit të zgjedhur, mandati i të cilit është konfirmuar përfundimisht në planin kushtetues;
duke vlerësuar se, pikërisht për shkak të natyrës së tij të përkohshme dhe derivative, delegimi i kompetencave mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe ushtrohet në respekt të autoritetit kushtetues dhe ligjor të organit delegues, pa u shndërruar në një burim autonom kompetence të shkëputur prej tij;
duke konstatuar se, në periudhën pasuese dhe veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë;
duke konstatuar se kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt, duke krijuar një gjendje institucionale në të cilën delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues;
duke çmuar se këto rrethana, të marra së bashku dhe veçanërisht zhvillimet e fundit të sipërpërmendura, përbëjnë një ndryshim thelbësor të kushteve institucionale në të cilat delegimi është dhënë dhe e bëjnë vijimin e tij të papajtueshëm me nevojën për një zinxhir të qartë përgjegjësie, funksionimin normal të administratës dhe ushtrimin efektiv të mandatit të Kryetarit të zgjedhur;
me qëllim garantimin e ligjshmërisë, vijimësisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës, ofrimin e pandërprerë të shërbimeve publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Tiranës
Gazeta RD