Shkëlqim HYSAJ
Edi Rama dhe propaganda e tij po bëjnë gjithçka për ta zhvendosur vëmendjen e shqiptarëve nga keqqeverisja, korrupsioni, krimi dhe abuzimi me pushtetin, duke e kthyer debatin te një pyetje që nuk i takon qeverisë: “A duhet të largohet Berisha?”
Kjo nuk është rastësi. Është një strategji politike për të larguar vëmendjen nga përgjegjësitë e pushtetit.
Berisha është sulmuar politikisht prej vitesh, përmes përdorimit politik të institucioneve të drejtësisë deri edhe në vendosjen e tij nën masën kufizuese të lirisë, arrest shpie. Por edhe pasi u godit politikisht dhe juridikisht, propaganda e pushtetit vazhdon ta përdorë Berishën si temën kryesore të debatit.
Pse? Sepse sa më shumë të flitet për Berishën, aq më pak flitet për Ramën dhe qeverisjen e tij!
Ndërkohë shqiptarët përballen me pasojat e një pushteti autokrat, që ka qëndruar shumë gjatë në duart e së njëjtës mazhorancë, me saktë ne dorë të Edi Ramës, korrupsion, klientelizëm, arrogancë, përqendrim të pushtetit, mungesë të plotë transparence dhe lidhje të ngushta mes politikës dhe krimit.
Përgjigja e propagandës është gjithmonë e njëjtë:
“Problemi është Berisha!”
Jo!
Problemi që duhet të diskutohet sot është keqqeverisja e Edi Ramës kapja e të gjithë pushteteve nga krimi organizuar dhe përgjegjësia e tij për gjendjen e Shqipërisë.
Për Berishën, janë vetë demokratët që e vendosin. Ata caktojnë kryetarin e partisë së tyre. Nuk është Edi Rama ai që zgjedh kryetarin e PD-së dhe nuk është qeveria që vendos se kush duhet të drejtojë opozitën.
Kurse për qeverinë vendosin shqiptarët!
Prandaj është e papranueshme që një pushtet që ka përballuar kundërshtarin kryesor politik me gjithë fuqinë e tij politike dhe institucionale, tani të na shitet edhe si arbitër se kush duhet të jetë kryetar i opozitës.
Demokratët caktojnë vetë kryetarin e tyre.
Shqiptarët caktojnë vetë qeverinë e tyre.
Dhe për të dalluar protestuesit e vërtetë nga ata që bëjnë lojën e propagandës, mjafton të shikosh qëndrimin e tyre: kush kërkon largimin e të dyve, Ramës dhe Berishës, pa bërë dallimin mes pushtetit dhe opozitës, po i shërben pikërisht lojës së Edi Ramës.
Sepse sot beteja është për të larguar pushtetin që qeveris Shqipërinë, jo për t’i diktuar demokratëve se kë duhet të zgjedhin në krye të partisë së tyre.
Berishën e zgjedhin ose e largojnë demokratët.
Ramën e largojnë ose e mbajnë shqiptarët.
Të mos lejojmë që propaganda të zëvendësojë realitetin!
Shqipëria ka nevojë për llogaridhënie, drejtësi, luftë reale kundër korrupsionit e krimit të organizuar, largim të kesaj bande që ka uzurpuar të gjitha institucionet e vendit me çdo kusht, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira!
Gazeta RD