Çdo investim, Edi Rama e ka shndërruar në mjet plaçkitjeje!

Deklaratë e Partisë Demokratike Dega Vlorë, nga anëtari i Këshillit Kombëtar të PDSH, Rezenbrik Serjani

Rama dhe sekti i tij në pushtet, me papërgjegjshmëri ekstreme dhe me lojën e tyre të errët me oligarkët, i kanë vënë vlonjatët dhe të gjithë Shqipërinë përpara një situate jashtëzakonisht të rrezikshme me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Edi Rama ka nisur procedurat për prishjen e kontratës së Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në mënyrë të njëanshme, me një akt skandaloz dhe të paprecedentë, duke e futur Shqipërinë në një situatë me pasoja potencialisht shumë të rënda financiare dhe juridike.

Problemet midis dy partnerëve privatë në Aeroportin e Vlorës duhej të zgjidheshin mes tyre, përmes rrugës gjyqësore apo arbitrazhit, siç ndodh në çdo marrëdhënie kontraktore private. Por Edi Rama vendosi të bëhet palë në këtë konflikt, duke ndërhyrë në marrëdhënien kontraktore dhe duke ndërmarrë procedurën për prishjen e kontratës me koncesionarin.

Ajo që për më shumë se pesë vjet na u shit si një investim strategjik, motor zhvillimi dhe një pol i rëndësishëm ekonomik e turistik në Mesdhe, veçanërisht për Vlorën dhe gjithë Jugun e Shqipërisë, sot rrezikon të kthehet në një gropë financiare prej qindra milionë eurosh për taksapaguesit shqiptarë.

Nëse mosmarrëveshja për Aeroportin e Vlorës përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, arbitrat nuk do të shqyrtojnë vetëm pyetjen nëse koncesionari ka përmbushur apo jo detyrimet e tij.

Do të shqyrtohet e gjithë sjellja e shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së koncesionit.

Arbitrazhi do të pyesë:

Çfarë bëri qeveria për ta shpëtuar këtë investim?

A i përmbushi shteti vetë detyrimet e tij? A e monitoroi kontratën? A ndërhyri në kohën e duhur? A krijoi kushtet për realizimin e investimit? Dhe, mbi të gjitha: a ishte prishja e kontratës masa e fundit dhe e justifikuar, apo një vendim i marrë pasi projekti ishte futur tashmë në krizë?

Këto janë pyetje që Edi Rama nuk mund t’i shmangë.

Sepse kemi një koncesion ku shteti ka marrë përsipër edhe detyrime financiare. Sipas studimit të fizibilitetit, nëse të ardhurat minimale të parashikuara nuk realizohen, buxheti i shtetit mund të detyrohet të kompensojë koncesionarin. Vetëm për vitet e katërt deri në të shtatin, shuma e parashikuar arrin në 43.2 milionë euro.

Dhe kemi edhe një tjetër episod absurd: përurimin publik të Aeroportit më 8 maj 2025, në një kohë kur procesi i plotë i certifikimit dhe autorizimit për operim nuk kishte përfunduar.

Një aeroport nuk është një shesh inaugurimi elektoral. Është një infrastrukturë kritike, që kërkon standarde të rrepta teknike, sigurie dhe certifikimi.

Prandaj Rama duhet t’u përgjigjet shqiptarëve:

Çfarë ndodhi me Aeroportin e Vlorës? Kush e përgatiti këtë koncesion? Kush e monitoroi? Kush lejoi që konflikti mes ortakëve dhe problemet e projektit të arrinin deri këtu? Dhe pse qeveria zgjodhi prishjen e kontratës si rrugë të fundit?

Ne e kemi parë më parë se si përfundon papërgjegjshmëria e kësaj qeverie në përballjet ndërkombëtare.

Historia e Becchettit duhet të kishte qenë një mësim.

Por sot ekziston rreziku që e njëjta histori të përsëritet me Aeroportin e Vlorës.

Dhe, nëse Shqipëria humbet edhe këtë arbitrazh, faturën nuk do ta paguajë Edi Rama. Nuk do ta paguajnë ministrat. Nuk do ta paguajnë oligarkët.

Do ta paguajnë shqiptarët.

Që në krye të herës, Aeroporti i Vlorës ka qenë llokma e radhës që Rama, sekti dhe sistemi i tij klientelist duan t’ia marrin buxhetit të shtetit, duan t’ua marrin taksapaguesve shqiptarë.

Për të rrëmbyer këtë aset, i cili duhet të ishte në shërbim të qytetarëve shqiptarë, në shërbim të ekonomisë së vendit, Edi Rama zgjedh që ta rëndojë buxhetin e shtetit me 500 milionë euro, shuma e pritshme nga arbitrazhi, si pasojë e prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme, me vetëm një qëllim: dhurimin e këtij aseti ndaj klientëve të tij dhe ndaj vetes së tij.

Aeroporti i Vlorës nisi si projekt strategjik zhvillimi, vazhdoi me propagandë, u kthye në plaçkë elektorale dhe propagandistike dhe, në fund, nxori kokën e vërtetë: plaçka e radhës që sistemi i sektit Rama kërkon t’ua marrë shqiptarëve.

Çdo investim, Edi Rama e ka shndërruar në mjet plaçkitjeje!

About Redaksia

Check Also

Sot Klosi përballet me një nga vendimet më të rëndësishme të historisë së tij!

Nga Ylli ASLLANI Sot, Këshilli Bashkiak i Klosit përballet me një përgjegjësi të jashtëzakonshme: Të …