Sfida e vërtetë e Ripërtëritjes së PD

Nga Ndriçim KULLA

Partia Demokratike ka hyrë në një fazë në të cilën fjala ripërtëritje nuk mund të mbetet më një formulë politike, një slogan organizativ apo një premtim që përsëritet sa herë që partia përballet me betejat  më sfiduese. Unë jam nga ata që këmbëngul fort se PD nuk u provua në se humbi apo fitoi në këto zgjedhje, sepse qartësisht zgjedhjet u vodhën dhe nuk ishin të lira.

Luftoi dhe eci shumë përball luftës së regjimit, por edhe dobësi shfaqi dhe ato duhen konsideruar me seriozitet. Nëse PD pretendon me t 137 drejtë të sfidojë një pushtet që prej vitesh akuzohet për korrupsion, kapje të institucioneve dhe lidhje me krimin e organizuar, atëherë çështja themelore nuk është se sa emra të rinj do të vendosen në listat e saj, sa figura do të promovohen në media apo sa ndryshime do të bëhen në strukturat drejtuese, por nëse ajo është në gjendje të ndërtojë një mënyrë tjetër të të menduarit, të përzgjedhjes së njerëzve dhe të marrjes së vendimeve.

Vetë drejtimi i PD-së e ka shpallur ripërtëritjen si një proces  shumëdimensional që duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e partisë, ndërsa zgjedhjet e brendshme të majit 2026 sollën edhe një të dhënë që nuk mund të anashkalohet: pjesëmarrja ishte më e ulët se numri i anëtarëve të thirrur për të votuar, çka do të thotë se përballë gjithë diskutimit për organizimin e partisë mbetet ende problemi shumë më i madh i lidhjes së saj reale me anëtarësinë.

Prandaj, mendoj se PD nuk ka nevojë thjesht për një ripërtëritje administrative, por për një Ripërtëritje të  re të vetë mënyrës së saj të funksionimit, duke u kthyer te arsyeja për të cilën Ripërtëritja  u kërkua në radhë të parë. Ripërtëritja  nuk duhet të kujtohet si një etapë që përfundoi me zgjedhjen e strukturave të reja, por si një parim që duhet të vazhdojë të kontrollojë çdo hap të partisë. Nëse ajo lindi nga kërkesa që anëtari të mos trajtohej si një numër që nevojitet vetëm ditën e votimit, nëse lindi nga nevoja për demokraci të brendshme, hapje, konkurrencë dhe meritokraci, atëherë këto nuk mund të quhen parime të së kaluarës. Ato duhet të jenë rregullat mbi të cilat ndërtohet PD-ja që kërkon të marrë pushtetin.

Problemi i parë është pikërisht ky: duhet të vendosim nëse duam një parti që ripërtërihet në pamje apo një parti që ndryshon në substancë. Ndryshimi i brezave është i nevojshëm, por nuk është i mjaftueshëm. Një parti mund të ketë njerëz të rinj në moshë dhe të mbetet e vjetër në mentalitet. Mund të ketë gra e të rinj në drejtim dhe përsëri të funksionojë me të njëjtën kulturë të mbyllur, me të njëjtat praktika klienteliste dhe me të njëjtën logjikë ku afërsia me drejtuesin vlen më shumë se aftësia, kontributi dhe mbështetja reale që një figurë ka në shoqëri. Kjo do të ishte thjesht një ndërrim fasade.

PD duhet ta kuptojë se koha kur kandidati përcaktohej nga perceptimi i disa njerëzve brenda strukturave dhe pastaj i kërkohej elektoratit ta pranonte, duhet të përfundojë. Një parti që dëshiron të përmbysë një pushtet të konsoliduar autoritarist nuk mund t’ia lejojë vetes luksin të gabojë me njerëzit e saj. Kjo është një nga çështjet më strategjike të ripërtëritjes.

Së pari, PD duhet të ndërtojë një sistem serioz për testimin dhe përzgjedhjen e figurave.

Sondazhi nuk duhet të përdoret vetëm për të matur sa vota mund të marrë partia, por fillimisht për të zbuluar se cilët njerëz kanë besueshmëri reale në shoqëri. Duhet të testohet figura, jo vetëm emri i tyre brenda strukturave. Duhet të testohet reputacioni, aftësia për të komunikuar me qytetarin, integriteti, njohja e problemit të zonës, perceptimi që ka elektorati për të dhe mbi të gjitha aftësia për të sjellë vota të reja. Kjo nuk do të thotë që sondazhi duhet të bëhet një diktator i politikës së partisë, por duhet të bëhet një nga instrumentet e saj të rëndësishme të vendimmarrjes.

Një kandidat nuk duhet të zgjidhet vetëm sepse është i njohur brenda partisë. Duhet të pyetet se sa njihet jashtë saj. Nuk duhet të mjaftojë numri i viteve të aktivitetit politik. Duhet parë se çfarë ka bërë gjatë atyre viteve. Nuk duhet të mjaftojë pozicioni që ka mbajtur në strukturë. Duhet parë nëse ka aftësi të bindë qytetarin që nuk është anëtar partie.

PD ka nevojë për një sistem ku figurat të kalojnë nëpër disa prova para se të bëhen flamurtarë elektoralë. Sondazhe të pavarura, takime me qytetarë, debate të hapura, konsultime me strukturat, vlerësim profesional, kontroll të integritetit dhe analiza të kontributit të mëparshëm duhet të jenë pjesë e kësaj procedure.

PD nuk duhet të ketë frikë nga testimi. Përkundrazi, duhet ta bëjë testimin një kulturë të saj. Kur një figurë testohet dhe del se nuk është bindëse, kjo nuk duhet të shihet si një goditje ndaj saj, por si një mekanizëm që e shpëton partinë nga një gabim. Kur një figurë e promovuar nga strukturat del keq në sondazh, duhet të ketë kurajën të pranohet rezultati. Kur një figurë e panjohur për drejtimin del shumë mirë në perceptimin qytetar, duhet t’i jepet mundësia të hyjë në garë. Kjo do të ishte meritokraci në praktikë dhe jo vetëm në deklarata.

Në fund të fundit, PD nuk lufton vetëm për votat e demokratëve. Ajo kërkon të marrë votat e qytetarëve që nuk janë demokratë, të të zhgënjyerve, të të pavendosurve, të atyre që kanë humbur besimin te politika dhe sidomos të një pjese të të rinjve që nuk e shohin më politikën si vend ku mund të ndërtojnë jetën e tyre.

Kjo na çon te problemi i dytë: hapja e partisë duhet të jetë reale dhe duhet të lidhet drejtpërdrejt me meritokracinë.

Nuk mund të themi se PD është  plotësisht e hapur vetëm sepse pranë saj janë afruar disa njerëz të rinj.

Partia duhet të hapet përtej strukturave të saj tradicionale, por pa harruar ata që e kanë mbajtur gjallë në vitet kur ishte e vështirë të ishe demokrat, ata që kanë qenë në protesta, në fushata, në takime, në foltore, në degë dhe në betejat e përditshme të partisë. Hapja nuk duhet të kthehet në një tjetër padrejtësi ndaj qëndrestarëve. Nuk duhet të ndërtohet një ndarje midis “të vjetërve” që duhet të largohen dhe “të rinjve” që duhet të marrin gjithçka. Përvoja është kapital, ndërsa energjia e re është forcë krijuese. Një parti serioze i bashkon të dyja.

Ajo që duhet të largohet nuk është mosha, por kultura e vjetër politike. Nuk duhet të largohet një njeri sepse ka qenë gjatë në politikë, nëse ai ka aftësi, reputacion dhe kontribut. Por nuk duhet të mbahet në politikë vetëm sepse ka qenë gjatë aty, nëse nuk ka më aftësi të përfaqësojë askënd përveç vetes. Kjo është një diferencë shumë e rëndësishme.

Së treti, duhet ndryshuar marrëdhënia e PD-së me kritikën, me anëtarin dhe me vetë gabimin.

Një parti që pretendon të përmbysë një pushtet të tillë si ky duhet të jetë më e fortë se sa frika nga mendimi ndryshe. Ajo nuk mund të kërkojë nga njerëzit bindje absolute dhe pastaj të ankohet se nuk ka debate të vërteta. Besnikëria ndaj partisë nuk duhet të matet me numrin e herëve që dikush ka thënë “po”. Në politikë, ndonjëherë njeriu më besnik është ai që thotë “jo” në kohën e duhur dhe e shpjegon pse.

PD duhet të ketë një mekanizëm ku kritika dëgjohet përpara se gabimi të bëhet humbje. Sepse pas humbjes të gjithë bëhen ekspertë. Problemi është të kuptosh gabimin përpara se të humbasësh. Për këtë arsye drejtuesit nuk kanë nevojë vetëm për njerëz që i mbështesin; kanë nevojë edhe për njerëz që u tregojnë ku po gabojnë. Nuk ka parti fituese pa debat të brendshëm. Nuk ka parti demokratike pa tolerancë ndaj mendimit ndryshe.

Një nga mësimet më të hidhura të politikës është se partia fillon të humbasë përpara se të humbasë zgjedhjet. Humbja fillon atëherë kur drejtuesit nuk dëgjojnë më njerëzit, kur strukturat fillojnë të flasin vetëm me strukturat, kur sondazhet përdoren vetëm për propagandë dhe jo për korrigjim, kur qytetari zëvendësohet nga rrjeti social dhe kur partia fillon ta bindë veten se është më mirë nga ç’është në të vërtetë.

Prandaj PD duhet të mësojë edhe një kulturë tjetër, kulturën e pranimit të gabimit. Të pranosh se ke gabuar nuk të dobëson. Në politikë, ndonjëherë të dobëson pikërisht këmbëngulja për të mbrojtur një gabim vetëm sepse ai është bërë nga drejtuesi. Një parti që synon të qeverisë duhet të jetë në gjendje të thotë: këtë kandidat e zgjodhëm gabim, këtë aksion e ndërtuam gabim, këtë mesazh nuk e kuptoi qytetari, këtë figurë duhet ta rishikojmë, kjo strukturë nuk funksionon, këtë mënyrë komunikimi duhet ta ndryshojmë.

Kjo nuk është dobësi. Kjo është aftësi për të mësuar.

Së katërti, ripërtëritja duhet të lidhet drejtpërdrejt me objektivin politik: fitoren dhe qeverisjen.

PD nuk është thjesht një organizatë që duhet të rregullojë vetveten. Ajo është një parti që realisht pretendon të marrë pushtetin dhe të ndryshojë mënyrën se si qeveriset Shqipëria. Për këtë arsye çdo reformë e brendshme duhet të bëjë një pyetje shumë të thjeshtë: a na bën kjo më të aftë për të fituar dhe për të qeverisur?

Nëse jo, atëherë duhet rishikuar.

Këtu duhet të bëhet edhe një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e komunikimit politik. PD nuk mund të mbetet pafundësisht peng i lojës së kundërshtarit. Sigurisht që duhet ta denoncojë  diktaturën reale ,korrupsionin, abuzimin dhe kapjen e shtetit. Kjo është detyrë e opozitës. Dhe kto I ka bërë jashtëzakonisht mirë Por nuk mund të mjaftohet me denoncimin e pushtetit. Duhet të bindë qytetarin se çfarë do të bëjë ndryshe.

Një opozitë mund ta fitojë një pjesë të votës nga zemërimi ndaj qeverisë, por nuk mund të ndërtojë një shumicë të qëndrueshme vetëm mbi zemërimin. Qytetari duhet të shohë njerëzit që do ta qeverisin, jo vetëm njerëzit që denoncojnë  qeverinë. Duhet të shohë një ekip. Duhet të shohë profesionistë. Duhet të shohë njerëz me integritet, me histori pune dhe suksesi  pa tjetër  dhe me një ide të qartë për shtetin. Duhet të besojë se ndryshimi i pushtetit nuk do të jetë vetëm zëvendësim i disa individëve, por ndryshim i mënyrës së qeverisjes.

Pikërisht këtu bëhet jetike lidhja midis sondazhit dhe strategjisë. Në vend që të presim fushatën dhe pastaj të zbulojmë se cilët janë njerëzit më të besueshëm, PD duhet t’i testojë ata shumë kohë më parë. Duhet të dijë cilat figura kanë kredibilitet, cilat kanë potencial për t’u rritur, cilat zona i pranojnë, cilat tema i besojnë qytetarët dhe cilat figura duhet të kalojnë një proces përmirësimi përpara se të marrin përgjegjësi. Në këtë mënyrë sondazhi nuk është thjesht një numër që del në televizor, por bëhet instrument i strategjisë politike.

PD nuk ka nevojë për një tjetër revolucion personal. Ka nevojë për një sistem që funksionon edhe kur drejtuesit gabojnë. Ka nevojë për rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të personit. Ka nevojë për procedura që e detyrojnë partinë të dëgjojë qytetarin, të masë perceptimin, të testojë figurat, të vlerësojë performancën dhe të korrigjojë gabimet.

Në këtë kuptim, Ripërtëritja nuk duhet të shihet si diçka që ka ndodhur dhe ka përfunduar. Ajo duhet të jetë fryma e një procesi të dytë, më të pjekur dhe më strategjik. Sepse sot problemi nuk është më vetëm rikthimi i partisë te vetja. Problemi është kthimi i partisë te qytetari.

PD duhet të bëhet më e madhe se elektorati i saj tradicional pa humbur identitetin e saj. Duhet të ruajë demokratët e vjetër dhe të fitojë demokratët e rinj. Duhet të respektojë militantin, por të mos mendojë se vetëm militanti mjafton për të fituar. Duhet të mbajë pranë ata që kanë qëndruar në ditët e vështira dhe njëkohësisht të hapë derën për ata që nuk kanë qenë kurrë pjesë të saj. Duhet të krijojë një bashkëpunim të vërtetë midis historisë dhe së ardhmes.

Nëse kjo nuk ndodh, “Ripërtëritja” rrezikon të mbetet vetëm një fjalë tjetër e fjalorit politik. Në se kjo ndodh pushteti është fituar.

Sepse PD nuk do të përballet me një kundërshtar të zakonshëm. Ajo do të sfidojë një pushtet diktatorial, që ka ndërtuar prej vitesh mekanizma politikë, institucionalë dhe elektoralë dhe që, sipas akuzave të përsëritura të opozitës, është i lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Vetë PD e ka ngritur këtë pretendim edhe në diskursin e saj të vitit 2026, duke e paraqitur raportin e PPE-së si një vlerësim shumë të rëndësishëm të gjendjes së shtetit dhe të procesit zgjedhor. Përballë një pushteti të tillë nuk mjafton një opozitë që bërtet më fort. Duhet një opozitë që mendon më mirë, zgjedh më mirë, organizohet më mirë dhe mbi të gjitha bind më shumë. Kjo është sfida e vërtetë e Ripërtëritjes.

About Redaksia

Check Also

Po bëhet protesta si “Tokë e Xanun”

Nga Agim XHAFKA Kam qenë disa herë në protestat e përnatshme kundër qeverisjes 35-vjeçare. Dhe …