Teatri Kombëtar/ Kalaja: Prova të reja në SPAK kundër kompanisë “Tirana DC”, i përfshirë Veliaj dhe Mazniku

Kryetarja e Gjykatës së Apelimit në PD, avokatja Adriana Kalaja deklaroi para SPAK se, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kërkuar informacion mbi fazën procedurale të hetimeve për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Kalaja akuzoi SPAK-un për zvarritje prej më shumë se gjashtë vitesh, duke theksuar se kërkesat e Aleancës për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin e Teatrit, projektin dhe tenderin 19 milionë euro për kompaninë AGIKONS janë refuzuar 41 herë.

Avokatja theksoi se, ndërsa hetimet nuk kanë avancuar, Bashkia e Tiranës vijon me fondet për projektin e Teatrit Kombëtar.

Kalaja tha gjithashtu se janë depozituar prova të reja për kompaninë Tirana DC, të cilat ngrenë dyshime për përfshirjen e Erion Veliajt dhe, veçanërisht, Arbjan Maznikut. Ajo kërkoi sekuestrimin e kompanisë, masa sigurie për Veliajn, Maznikun, Redi Mollën dhe Mariglen Qaton si dhe hetim pasuror ndaj tyre.

Deklarata e plotë

Atëherë ne vijmë sot me një kërkesë me tre pika kryesore. Së pari, kemi kërkuar një informacion të hollësishëm, pa prekur sekretin hetimor, informacion i cili lidhet me fazën proceduriale ku ndodhen hetimet lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar. Dua të kujtoj këtu faktin që kallëzimi i parë për Teatrin Kombëtar daton me 31 dhjetor 2019, dhe siç evidentohet, përmbi gjashtë vite jo vetëm nuk ka asnjë avancim lidhur me këtë çështje, por nga ana tjetër ne kemi sot pas gjashtë viteve Tiranën pa Teatër Kombëtar.

Kemi Tiranën ku bashkia vazhdon me abuzimet me fondin për Teatrin Kombëtar dhe kemi apatinë e SPAK-ut, që jo vetëm nuk ka avancuar me hetimet, po ka refuzuar në mënyrë vijuese për 41 herë me radhë kërkesat tona të vazhdueshme për vënien e sekuestros preventive mbi truallin e teatrit, mbi projektin abuziv të teatrit dhe mbi të gjitha mbi tenderin prej 19 milionë eurosh të dhënë kompanisë AGIKONS vetëm për fillimin e punimeve. Pika e dytë që kemi ngritur lidhur me kërkesën tonë është depozitimi i provave shtesë që lidhen me kompaninë Tirana DC. Për kujtesë të publikut, kompaninë Tirana DC, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka kallëzuar fillimisht në 5 janar 2021.

Pastaj kemi ardhur dy herë me dy kallëzime shtesë sepse rezulton që kjo kompani, përveçse kishte një hapësirë shumë të madhe të mënyrës se si do ta ushtronte aktivitetin, aktivitet ky në fakt që u evidentua nga ne dhe që rezultoi i paligjshëm dhe me dyshime të forta për pastrimin e produktit të veprave penale nga Erion Veliaj, po kryesisht me provat e reja që sjellim sot që e lidhin me Arbjan Maznikun, i cili ka pasur cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të kësaj kompanie. Flitet për një shpenzim apo humbje që kjo kompani sot regjistron në 5 milionë euro, pa bërë asnjë aktivitet.

Flitet për një objekt të marrë me qira me një vlerë marramendëse dhe çuditërisht pronar i objektit të marrë me qira nga Tirana DC është djali i Shkëlqim Fushës. Pra, ka prova shumë të forta që lidhin jo vetëm Erion Veliajn me këtë aferë penale, kriminale dhe korruptive, por sidomos Arbjan Maznikun. Por duhet të theksoj, janë edhe dy persona të cilët ne i kemi kallëzuar, që me procedura ashtu siç kemi kallëzuar gjithmonë, me procedura janë amnistuar nga SPAK-u, siç është Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët kanë qenë administratorë të kësaj kompanie dhe të cilët kanë pjesë vendimmarrëse në të gjithë aferat korruptive të kësaj shoqërie.

Ndërkohë ne kemi kërkuar edhe si pikë të tretë, marrjen e masave emergjente për sekuestrimin e kësaj kompanie e cila vazhdon t’i shkaktojë dëm shtetit. Kemi kërkuar marrjen e masave të sigurimit personal ndaj Redi Mollës, Mariglen Qatos, por sidomos ndaj Arbjan Maznikut dhe Erion Veliajt.

Dhe për ta mbyllur, kemi kërkuar dhe hetimin pasuror të gjithë këtyre personave, të lidhur me këtë çështje shumë të rëndë penale. Sepse ju e keni si gazetarë shumë të lehtë për ta verifikuar, ndryshe nga ai bllokim që në mënyrë të paligjshme ju është bërë sot nga gjykata, por ju në shërbim të interesit publik mund ta verifikoni, shkoni tani tek selia e Tirana DC, shikoni që aty nuk ka as tre punonjës, ndërkohë paguhen 35 punonjës.

Dhe nga ana tjetër, që nga viti 2024 kur ne protestonim përpara bashkisë, prej dy vitesh nuk është dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit asnjë bilanc, sepse ata e dinë shumë mirë që dorëzimi i bilanceve do të tregonte edhe shkelje të rënda që lidhen me shpenzimet, të cilat janë të pajustifikuara dhe që në të gjithë elementët përbëjnë konsumimin e veprave penale për të cilat ne kemi kallëzuar, po kemi depozituar dhe sot kallëzimin penal. Ne jemi zotuar dhe zotohemi edhe sot përpara publikut, se do ta çojmë deri në fund kauzën për Teatrin Kombëtar.

Teatri Kombëtar, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, megjithëse nga 2021-shi është refuzuar të ekzekutohet nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, do të ndërtohet aty siç ishte dhe aty ku ishte. Dhe ndërkohë, ka dhe një kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka të njëjtat kërkesa si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku thotë që teatri duhet të ndërtohet sipas projektit të vitit 1938.

Kaq kërkojmë ne si qëndrestarë të Aleancës Mbrojtëse të Teatrit. Jemi të sigurt që këtë kërkon dhe opinioni publik, që nga ana e SPAK-ut dhe nesër nga ana e GJKKO-së të respektohet ligji dhe Tiranës t’i kthehen vlerat kulturore që ka patur, vlera për të cilën e bëjnë Tiranën një qytet të jetueshëm dhe një qytet i cili ka vlera në lidhje me historinë dhe identitetin e tyre. Ne do ta çojmë deri në fund këtë kauzë.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Qeveria po përpiqet të mashtrojë Brukselin me një VKM mjedisor, ligjin për zonat e mbrojtura nuk e prek

Nga Gazment BARDHI Qeveria po përpiqet të mashtrojë Brukselin me një VKM mjedisor, ndërsa ndryshimet …