Firmat e kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, për të njëjtin territor në Palasë të Himarës, duket se janë shkaku i një konflikti të dhunshëm të ndodhur këtë të Enjte në resortin “Regina” në Radhimë, mes pronarit të kompleksit, Vasil Bedinaj dhe drejtuesit të holdingut “Delta” në Tiranë, Luan Muça.
Burime nga grupi hetimor thanë për “Boldnews.al” se të dyja palët kanë deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore të Vlorës se janë pajisur me leje zhvillimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) për ndërtimin e komplekseve në zonën e Palasës, në Dhërmi.
Por, pasi kanë marrë këto leje, ata kanë kuptuar se në vendimet e nënshkruara nga kryeministri Rama, pronat e tyre kanë mbivendosje.
Është e paqartë se çfarë ka ndodhur me dokumentacionin dhe përse kjo situatë absurde nuk është verifikuar nga administrata e AZHT-së. Por, ajo që tashmë është tërësisht evidente, është fakti se firma e kryeministrit i vendosi në situatë përleshjeje dy biznesmenët e fuqishëm.
Reagimi “hileqar” i Ramës
Përplasja fizike, deri në përdorimin e armëve, ka nxitur kryeministrin Rama që të bëjë një reagim publik. Në rrjete sociale, ai e konsideroi ngjarjen si “konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve”.
Gjithashtu, Rama u shpreh se “toka që ndau me dhunë dy investitorë fqinjë…do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”.
Përtej retorikës publicistike, mbushur me stilistikë gjuhësore, reagimi i Ramës rezulton të jetë më së paku i mangët dhe me probleme të theksuara të karakterit ligjor. Një tentativë, me të cilën duket se do të shmangë të gjitha përgjegjësitë mbi firmat e dhëna prej tij, për të njëjtën pronë në Palasë.
Fqinjë?
Kryeministri Rama, në reagimin e tij publik, i konsideron sipërmarrësit Bedinaj dhe Muça si “investitorë fqinjë” në Palasë. Të dhënat e deritanishme nga grupi hetimor referojnë deklaratat e dy biznesmenëve që bashkohen në të njëjtën pikë-të dy kanë marrë leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) në të njëjtën pronë.
Pra, minimalisht Vasil Bedinaj dhe Luan Muça nuk janë “fqinj”, por, duke, iu referuar një praktikë aspak komode të viteve të komunizmit, ata duken se janë më shumë “fqinj brenda të së njëjtës shtëpi”.
Dhe, ashtu siç ndodhte rëndom me këto familje në kohën e komunizmit, mes tyre kishte sherre e konflikte të pashtershme.
Ngjashëm rezulton se ka ndodhur edhe me dy biznesmenët, të cilët, pasi kanë konstatuar anomalinë në vendimet e nënshkruara nga kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territorit, Edi Rama, kanë vendosur ta zgjidhin në mënyrë më të keqe të mundshme mes njëri-tjetrit.
Burime nga grupi hetimor thonë se, megjithëse të dy sipërmarrësit pretendojnë se kanë marrë leje zhvillimore, asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur dokumentacionin përkatës.
“Boldnews.al” kreu verifikim në faqen zyrtare të AZHT-së, në të cilën publikohen vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, por nuk arriti të evidentonte leje për të dyja kompanitë në zonën e Palasës.
“Pasqyra” e vërtetë e Ramës
Në këtë fillim shtatori, kryeministri Edi Rama prezantoi para deputetëve të tij dhe strukturave të larta drejtuese të Partisë Socialiste një platformë të vjetër, por me emër të ri-“Pasqyrë Albania”.
Rama e shfrytëzoi këtë aktivitet për të kritikuar, sipas tij, neglizhencën e administratës për të shqyrtuar problemet e qytetarëve. Ai tha se “Pasqyrë-Albania” do të ndihmojë në rritjen e transparencës së organeve qeveritare, duke e vënë theksin gjithnjë tek “nivelet e ulta të administratës”.
Megjithatë, rasti i përplasjes mes sipërmarrësve Bedinaj-Muça tregon se, më së paku, pasqyra e kryeministrit Rama është e thyer. Vendimet e nënshkruara prej tij për pronën në Palasë ende nuk janë zbardhur, megjithëse ai vetë e pranon se ekzistojnë.
Në reagimin e tij pas sherrit në Radhimë, kreu i qeverisë tha se “prona objekt konflikti do të kthehet në ullishte”. Një pronë private nuk mund të kthehet në “ullishte”, vetëm pse pronarët pretendentë tentuan ta zgjidhin problemin me konflikt.
Por, ajo që shkruan Rama për tjetërsimin e pronës në “ullishte” zbulon një tjetër detaj thelbësor, të cilin kryeministri e ka ditur ose, më së paku, e ka mësuar pasi ka nënshkruar lejet zhvillimore për resorte për të dy biznesmenët në të njëjtin vend-pronësia ka probleme.
A është verifikuar pronësia?
Dy biznesmenët pretendojnë se janë pronarë të të njëjtës pronë në Palasë. Me këto dokumenta ata kanë aplikuar në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe, siç deklarojnë të dy, janë pajisur me leje zhvillimore për ndërtim resorti.
Pra, dukshëm rezulton se ka një anomali me mbivendosje pronash, një situatë që shfaqet rëndom, sidomos në zonat bregdetare. Agjencia e Zhvillimit të Territorit është struktura përgjegjëse për shqyrtimin e dokumentacionit të aplikimeve, para se ato t’i paraqiten për vendimmarrje Këshillit të Rregullimit të Territorit.
Nga të dhënat e deritanishme, gjithësesi të pakonfirmuara me anë dokumentare, rezulton se kryetari i KKT-së, Rama, ka nënshkruar dy leje për të njëjtën pronë, pa verifikuar statusin real të tyre. Një neglizhencë fatale, për të cilën Vasil Bedinaj dhe Luan Muça nuk pritën ta zgjidhnin tek “Pasqyrë-Albania” e Ramës, por tentuan ta sqaronin me forcën e muskujve./Kapitali
Gazeta RD