Aktivistja Sidorela Vatnikaj theksoi se në 98 ditë protestë, kërkesat e protestuesve kundër qeverisë janë shtuar.
Ajo theksoi se ish zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK, vazhdon të jetë e lirë, ndërkohë që policia arreston protestuesit që kanë dalë në shesh dhe i mban në burg.
Vatnikaj shtoi se Edi Rama, ndonëse qytetarët i kërkojnë prej tre muajsh dorëheqjen, shkon pa turp në zyrën e tij në kryeministri.
“Në 98 ditë arsyet pse protestojmë janë shtuar. Mjafton se si qytetet digjen. Se si krimi shkon edhe kërcënon një biznesmen dhe zgjidhja që jep qeveria është shpronësimi i tokës dhe jo dënimi i kriminelëve.
Mjafton të shikosh se si Balluku, pronare e 300 apartamenteve, është e lirë ndërkohë që protestuesit arrestohen me dhunë dhe mbahen në burg. Se si në 98 ditë, ky kryeministër që i kemi thënë se nuk na përfaqëson më as ai dhe as modeli kriminal që ka ndërtuar, vjen si pa turp në kryeministri dhe mundohet që ta shesë situatën si normale. Në 98 ditë kërkesat tona nuk janë realizuar, por janë shtuar”, tha ajo.
Gazeta RD