Mashtrimi i Ramës dhe korrupsioni i KAYO

Nga Bujar Leskaj

Në tetor 1978, Kominati mekanik i Autoktraktorëve në Tiranë prodhoi traktorin e parë shqiptar tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe. Praktikisht bëri montimin të të gjitha pjesëve të traktorit kinez, të ardhura nga shteti i largët. Propoganda komuniste e shiti si prodhim real traktori, për t’i treguar botës se Shqipëria e vogël dinte të bënte gjëra të mëdha. Madje kryeministri i dikaturës Mehmet Shehu e ngau vetë për pak metra këtë traktor të montuar në uzinën në Tiranë.
I. Makina tregtare të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara
Pothuajse 48 vite më vonë, më 31 korrik 2026, Rama përuron me pompozitet dhe e deklaron “ditë historike” për ushtrinë një mashtrim të shëmtuar e të paturp.
I deklaron dhe i shet si “makina ushtarake të standardeve të NATO-s” të 37 mjetet ushtarake të quajtura “Ujku” dhe 3 kamionë vetëshkarkues të quajtur “Shkëmbi”, gjoja të prodhuar nga kompania “Timak Defense”, një strukturë në 20 përqind pronësi të KAYO-s korruptive të ushtrisë sonë dhe 80 përqind pronësi të kompanisë private “Timak” që monton pjesë alumini në automjete tregtare.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se standardi minimal i NATO-s (standardi “STANAG 4569”, niveli 1), ofron mbrojtje nga zjarri i armëve të lehta, plumba të kalibrit të vogël, granatat e dorës dhe copat e predhave të pashpërthyera.
Të 37 makinat “Ujku” që “Timak Defense” i ka shitur ushtrisë shqiptare në korrik 2026 jane makina fuoristradë tregtare “Toyota LandCruiser 76”, të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara.
Toyotat që ka blerë ushtria shqiptare nga Timak nuk ofrojnë mbrojtje ndaj asnjë lloj arme zjarri. Madje as edhe nga armët më të lehta dhe me kalibra më të vegjël. Ndryshe nga sa gënjen dhe mashtron Rama, makinat “Ujku”, në aspektin e mbrojtjes së personelit, nuk përmbushin as edhe standardin më të ulët të NATO-s.
Këto makina mund të adaptohen për të ofruar mbrojtje ndaj personelit, madje për të arritur nivelin 1 të standardit të NATO-s (STANAG 4569), por kjo do të kërkonte që ato të modifikoheshin me xhama antiplumb dhe karroceri të blinduar. Timak nuk ka bërë modifikime të tilla.
Çfarë ajo ka shtuar makinave Toyota është lyerja me bojën tipike të kamuflazhit ushtarak, për t’u dhënë pamje ushtarake, montimi i grilave metalike në xhamat anësorë, si dhe një skarë/shinë në çatinë e tyre për të mbajtur pajisje. Si dhe ka zëvendësuar logon e Toyotës me logon e Timak Defense.
Nuk dimë se sa i ka kushtuar buxhetit të Shtetit blerja e një makine fuoristradë tregtare, me shtesat-paçaure të mësipërme, në krahasim me çmimin tregtar te automjeteve Toyota LandCruiser 76.
Dhe këto “shtesa” thelbësore, Rama i shet si prodhim automjetesh ushtarake të ushtrisë shqiptare! Të paktën Mehmet Shehu e montoi krejt në Uzinën e Autotraktorëve traktorin kinez tip DT-54! Kryeministri i diktaturës ishte, në këtë propagandë shterpë, më origjinal se kryeministri ynë i sotëm!
II. KAYO: strkturë korruptive e rrezikshme, me në krye një figurë të errët
Struktura ushtarake KAYO, prodhim i fundit i korrupsionit inovativ Rama, administron prokurimet, mirëmbajtjen dhe logjistikën e pajisjeve ushtarake të vendit, duke përfshirë armatime, mjete, municione dhe shërbime ushtarake.
Kjo e bën atë një nga nyjet më kritike të sistemit tonë të mbrojtjes. Çdo devijim nga ligji në këtë strukturë cënon gatishmërinë luftarake të ushtrisë, sigurinë e personelit ushtarak dhe besueshmërinë e Shqipërisë ndaj NATO-s.
Autokrati Rama, me figurën e errët Ard Veliu, që në krye të policisë sonë ka një përvojë negative dhe tregues tejet negativë performance, ka gjetur “shesh për të bërë përshesh” në mbrojtjen tonë dhe në industrinë tonë ushtarake.
Në korrik të vitit 2025, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Për shumë muaj ky nënshkrim u pa thjesht si një marrëveshje normale midis dy qeverive, për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Vetëm në fillim të këtij viti, u zbulua se marrëveshja nuk ishte një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh, i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”. Të hetuar nga NATO për tendera të trukuar.
Në këtë biznes gërshetohet deliri i madhështisë së “Liderit Global”, Ramës, me korrupsionin galopant të sektit të tij, përmes Ard Veliut dhe KAYO-s, si dhe me mungesën e thekshme të përvojës në këtë fushë.
Denoncimet mediatike kanë ngritur pikëpyetje serioze për tendera të paracaktuar, ku fituesit duken të njohur para hapjes së procedurave, për mbivlerësim të pajisjeve ushtarake, shpesh me cilësi të ulët, për marrëveshje të mbyllura pa transparencë, nën justifikimin e “sekretit ushtarak” dhe konflikt të hapur interesi midis zyrtarëve të KAYO-s dhe kompanive private të huaja të furnizimit, sikurse është kompania “ES”.
Burime mediatike të huaja dhe vendase cilësojnë se qeveria shqiptare po shqyrton një skemë të ngjashme me atë të projektit “Smart City”, për të financuar faturën e rëndë që Shqipëria do t’i paguajë kompanisë private të huaj. Sipas këtyre burimeve, kompania e huaj do t’i gjejë vetë fondet me hua bankare, ndërsa Shqipëria do të garantojë kredinë e kompanisë me garanci sovrane shtetërore! Më tej, do të marrë përsipër shlyerjen e saj, duke përfshirë dhe interesat e majmë, për një kompani që sot po hetohet nga NATO për korrupsion me Agjencinë e tenderimeve të vetë NATO’s!!
Në allishverishet e Ramës me mbrojtjen shqiptare nuk hyn vetëm kompania private izraelite “ES”. Rama e ka edhe një “kumbar” tjetër ushtarak, sipërmarrësin shqiptaro-izraelit Ron Yeffet.
Biznesmeni me origjinë izraelite, me kompani të hapura në Shqipëri me kapital 100 lekë, më 17 qershor 2025, vetëm gjashtë ditë pasi sekti Rama, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 322, hapi rrugën për bashkëpunimin e KAYO me kompani private në industrinë ushtarake, bleu brenda kësaj dite 49% të “TIMAK”, një shoqëri që gjatë vitit 2024 kishte deklaruar rreth 518 milionë lekë xhiro dhe 135.8 milionë lekë fitim para tatimit, për vetëm 49 mijë lekë. Po brenda kësaj dite, bleu edhe 49% të “TIMAK Special Vehicles”, përsëri për 49 mijë lekë, ndërkohë kur kjo kompani kishte realizuar gjatë vitit 2024 rreth 151.6 milionë lekë xhiro.! Menjëherë më pas, shteti ynë uli pjesën e vet nga 45%, në 20%, në kompaninë e përbashkët “TIMAK Defense” dhe KAYO derdhi 2.58 miliardë lekë ose 29 milionë euro tek “TIMAK Defence”.
Këto praktika të errta të Veliut me shokë, nën bekimin e Ramës, përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por tradhti institucionale ndaj misionit të ushtrisë sonë! Korrupsioni në ushtri nuk matet vetëm me dhjetra miliona euro të humbura, por me pajisje jofunksionale në situata emergjente, me mungesë municionesh ose logjistike në momente kritike, me ulje të moralit të efektivëve dhe me humbje besimi nga aleatët tanë strategjikë.
III. KAYO: bankomat i Ramës dhe turp i Shtetit tonë!
Nëse korrupsioni në rrugë, shkolla apo spitale është krim ndaj qytetarëve, korrupsioni në ushtri është krim ndaj vetë Shtetit. Në emër të sigurisë kombëtare janë nënshkruar kontrata pa garë reale, me kompani me lidhje të drejtpërdrejta politike. Kjo nuk është keqmenaxhim, por skemë e organizuar vjedhjeje.
Nën flamurin e “sekretit ushtarak”, KAYO është shndërruar në një bankomat për klientelën politike të Ramës dhe të sektit të tij, ku tenderët shpërndahen, çmimet fryhen dhe cilësia sakrifikohet.
Sekreti ushtarak nuk është licencë për korrupsion! Ai nuk mund të përdoret për t’i mbyllur gojën medias dhe opinionit publik, për të shmangur auditin dhe për të fshehur kontrata të dyshimta.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, por paçavuret e “prodhimeve ushtarake” të Timak Defense dhe korrupsioni i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”, na shndërron në një republikë bananesh. Aleatët tanë kërkojnë transparencë, integritet dhe llogaridhënie. Çfarë marrin? Heshtje, mjegull dhe arrogancë zyrtare.
Çfarë mesazhi u dërgojmë partnerëve strategjikë, kur pajisjet ushtarake mund të rezultojnë pa standardet minimale të mbrojtjes së personelit të NATO-s, të amortizuara, me kontrata të fryra dhe me përgjegjësit të paprekshëm?
xxx
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria matet jo vetëm për buxhetin e mbrojtjes, por për integritetin e strukturave të saj. Çdo aferë korruptive e KAYO-s dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, ndërkohë që goditjen më të madhe e ndiejnë ata që mbajnë uniformën çdo ditë.
KAYO nuk është thjesht një strukturë ushtarake nevralgjike– është testi i fundit i seriozitetit të shtetit tonë. Ose luftojmë korrupsionin edhe aty ku është më i rrezikshëm, ose pranojmë se ushtria është kthyer në plaçkë politike. Dhe një shtet që lejon vjedhjen në ushtri, ka hequr dorë nga vetëmbrojtja.

About Redaksia

Check Also

Bajraktari: Berisha po lufton për Shqipërinë kundër rivalëve politikë që nuk lejojnë zgjedhje të lira!

Veprimtari i çështjes shqiptare, Harry Bajraktari në një postim në rrjetet sociale ka shkruar pas …