Zhupa: Mos e ktheni Muzeun Etnografik të Vlorës në beton dhe kafene!

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka kundërshtuar projektin e ri pranë Muzeut Etnografik të Vlorës, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si ndërhyrjet e reja mund të ndikojnë te karakteri historik i zonës.

Në një reagim të publikuar së fundmi, Zhupa është shprehur kundër shtesave, strukturave të reja prej xhami e betoni dhe ambienteve të shërbimit që shfaqen në projektin e publikuar prej saj.

Sipas deputetes së PD, Muzeu Etnografik, i lidhur me ish-Klubin Patriotik “Labëria”, duhet të ruajë jo vetëm godinën, por edhe karakterin, përmasat, siluetën dhe marrëdhënien e saj me hapësirën historike përreth.

Kumbaro me drejtuesit e shkollave: Telefonat ndalohen, ndryshon edhe dita e parë e mësimit

Zhupa sjell në vëmendje edhe lidhjen e godinës me historinë e qytetit. Në këtë ndërtesë, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria”, me Ismail Qemal Vlorën si president nderi, ndërsa një vit më pas aty u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe për vajzat e qytetit, e drejtuar nga Marigo Posio.

Pikërisht për këtë arsye, ajo kundërshton një model zhvillimi ku funksionet tregtare dhe hapësirat e reja mund të marrin më shumë peshë se vetë monumenti.

“Vlera e këtij muzeu nuk qëndron vetëm te muret që mund të mbeten në këmbë”, shkruan Zhupa, duke kërkuar ruajtjen e autenticitetit të godinës, materialeve, hapësirave dhe siluetës së saj.

Ajo e lidh shqetësimin edhe me përdorimin e xhamit, betonit, gurit dhe ambienteve të shërbimit pranë monumentit, duke argumentuar se ndërhyrjet e tilla duhet të jenë në përputhje me karakterin historik të zonës.

“Turisti nuk vjen në Vlorë për të parë një tjetër godinë të standardizuar me xham, beton dhe kafene”, shprehet Zhupa, duke kërkuar që prioritet të jetë ruajtja e historisë dhe identitetit të qytetit.

Debati vjen në një kohë kur projekti për Muzeun Hebraik në Vlorë ka sjellë diskutime pikërisht për godinat pranë Muzeut Etnografik. Ministria e Kulturës ka sqaruar se Muzeu Hebraik po ndërtohet në godinën ngjitur dhe jo në vetë godinën e Muzeut Etnografik, ndërsa ky i fundit parashikohet të restaurohet.

Edhe në një procesverbal të Këshillit Bashkiak të Vlorës të marsit 2024 bëhet dallimi mes dy godinave, ku thuhet se godina e Muzeut Etnografik nuk do të preket dhe se ndërhyrja lidhet me godinën pranë ish-Klubit “Labëria”.

Megjithatë, Zhupa kërkon që çdo ndërhyrje në këtë hapësirë të bëhet duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe karakterin historik të zonës.

About Redaksia

Check Also

Spahia: Faktet e Eurostat dhe Bankës Botërore grisën përfundimisht maskën e këtij pushteti hajdut!

Nga Bardh SPAHIA Shqipëria është damkosur zyrtarisht me rekordin më të zi në Europë, ku …