Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta për mënyrën se si po funksionon industria e mbrojtjes në Shqipëri, duke ngritur dyshime të rënda për kompanitë e përfshira në këtë sektor dhe origjinën e armëve e municioneve.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Ahmetaj deklaroi se nëse Shqipëria nuk po prodhon armët që pretendohet se prodhohen në vend dhe, në të kundërt, ato po vijnë nga shtete të huaja, përfshirë vende që mund të jenë nën embargo, atëherë çështja merr një tjetër dimension.
‘Ky është rrëfim penal! Nëse ne nuk prodhojmë, nëse siç del në audio-regjistrimin, bëhet fjalë për armë e municione të ardhura nga shtete të cilat mund të jenë dhe të sanksionuara, pra që janë me embargo’, deklaroi Ahmetaj.
Pjesë nga intervista në Task Forcë:
Basir Çollaku: Përshëndetje zoti Ahmetaj.
Arben Ahmetaj: Përshëndetje i dashur, po.
Basir Çollaku: Njëherë më vjen mirë që SPAK-u, pa të drejtë, ju ka marrë të pandehur, sepse po të mos e kishte bërë ne s’do t’i kishim këto pesë denoncime të mëdha që janë bërë… E dëgjova me vëmendje intervistën tuaj të mbrëmshme dhe mes shumë gjërave kishit dy momente që thashë t’ju ripyes. Ndër të tjera ju theksuat që kishit aksesuar materiale edhe për prokurorë e gjyqtarë që janë në sistem aktualisht, këta të vetinguarit, pavarësisht se vetingu u bë ashtu siç ju e thatë edhe dje. A do t’i shërbenin pra… a do i shërbenin materialet që keni ofruar për publikun shqiptar pavarësisht dremitjes së SPAK-ut, që kjo transparencë të shërbente si një veting i dytë real, dhe njëkohësisht për të parë shqiptarët se kush janë këta të toleruar nga qeverisja, të cilët janë dhe shokë e të përdorur të tyre, pyetja e parë. Dhe e dyta është… me sa kujtoj në ato tre orë përgjigje në atë material të reduktuar, e gjithë përgjigjja është për të njëjtën ngjarje apo ka edhe ngjarje të tjera dhe personazhe të tjerë rreth kreut të organizatës, të cilat do të sillen në një moment të dytë?
Arben Ahmetaj: Përsa i përket pyetjes së parë, faleminderit Basir… Besoj se nuk është detyra ime që të rendis çfarë ka ndodhur me vetingun. Madje theksova dhe një element tjetër dje, unë nuk kam ndërmend të merrem me asnjë familje, të askujt, ish-ministra, ministra, persona që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në intriga kundër meje, me arkitektin e madh Albanian Files, kreun e organizatës. As me prokurorë, as me gjyqtarë nuk merrem, nuk i hyj asnjëri në shtëpi. A kam? Patjetër që kam për të kuptuar se me çfarë përballem nëpër prokurorira e nëpër gjykata e nëpër intriga. Patjetër. Jo projekti i gruas që e ka marrë nga një kompani e lidhur me pushtetin, jo projekti i gruas tjetër që e merr nga organizata ndërkombëtare, jo fëmija e dikujt që është financuar në shkollë dhe nuk ka deklaruar të ardhurat ose shpenzimet në deklaratën e pasurisë. Nuk merrem unë me këto Basir. Unë do merrem me fenomenet konkrete. Kaq është detyra ime. Detyra ime është, pikë së pari t’i tregoj shqiptarëve se çfarë po i ndodh vendit, dhe e dyta, sigurisht, po që shqiptarëve ju intereson pak më pak, është që fëmijëve të mi unë mos t’u lë atë emër që tenton kreu i organizatës me segmentet e SPAK-ut dhe të drejtësisë të më lënë në kurriz. Jam i gatshëm të ndërroj gjithçka, madje dhe ditët e mia të jetës për t’i lënë fëmijëve të mi një emër të pastër.
Sonila Meço: E qartë. Dhe tek pjesa e përgjigjeve Ahmetaj?
Arben Ahmetaj: Unë mendoj në respekt të pyetjes suaj dhe tuajin personalisht, le të konsumojmë këtë që kemi parë se është shumë e rëndë. Stomaku jonë dhe stomaku i shqiptarëve tashmë ka shumë për të përtypur, për të kuptuar se ku ka përfunduar një që nisi si qeverisje dhe që po përfundon si organizatë kriminale. Pra, le të fokusohemi tek ato. Dhe po të më lejoni do të dal tek koncepti Kajo, se e lamë në mes të rrugës…
Sonila Meço: Po, mos e lini.
Arben Ahmetaj: Pra, koncepti Kajo cili është? Qeveria shqiptare krijon një instrument nëpërmjet një entiteti, pra ndërmarrje e cila në momentin e parë ka 100% të aksioneve, dhe më pas, kjo krijesë krijon bijat e saj. Sonila rëndom ju juristët… në rastin konkret 80 me 20. Pyesni kë të doni jurist, e keni Gencin aty, ka një mal me eksperiencë…
Sonila Meço: Ja këtu e kemi Gencin. Po.
Arben Ahmetaj: Nuk janë më, 80 me 20 nuk janë më bija të Kajos, është Kajo zar i ndonjë klienti, dhe Kajo merr vetëm një detyrë së bashku me bijat. Thithin para pa transparencë, pa procedurë, pa tender, duke cenuar parimin kryesor të ekonomisë së lirë e të tregut, konkurrencën, aq më tepër që bëhet fjalë për para të buxhetit të shtetit.
Sonila Meço: Pra, që ta kuptojë dhe publiku më thjeshtë Ahmetaj, e thënë ndryshe: Në qoftë se rëndomë duhet të sillte ai investitor, dhe të kishte investuar ato miliona që parashihte ligji, në fakt, ai jo vetëm që nuk e ka bërë këtë gjë, jo vetëm që është marrë paradhënie qindra miliona euro që ia ka siguruar ai, por rezulton nga ana tjetër që këto para janë vetëm të buxhetit të shtetit. Pra, në ndryshim nga çdo rast tjetër korrupsioni që ne mund të kemi folur, në të cilin mund të ketë pasur probleme me garën nëpër tendera, nuk janë kryer tendera, është bërë me kërkesë pak kërkesë e të tjerë, këtu është rasti ku ai që duhet të ishte investitor, në fakt bëhet investitor me paratë e shqiptarëve.
Arben Ahmetaj: Jo, ai bëhet investitor jo vetëm me paratë e shqiptarëve, por ai sjell si kontribut të vetëm afërsinë, lidhjen me kreun e organizatës. E dinit çfarë më tha një qytetar dje që më shkruajti, pasi unë shpjegova atë çfarë ishte Timak Defense, ku tregova që edhe kapitalin e kishin negativ, edhe makineri dhe pajisje ishin gjithsej 220 mijë lekë të reja…
Sonila Meço: 220 mijë, po. Dhe 14 punonjës, vetëm 14 punonjës.
Arben Ahmetaj: Ndërkohë që në Maqedoni, e njëjta industri e mbrojtjes, prodhojnë aty dhe vetëm llogarinë e pagave e kanë diku te 50 ose 70 milionë. Diferencat është qesharake, se jona është strukturë korruptive.
Sonila Meço: Sa janë pagat në vit këtu? Sa janë pagat në vit tek Timaku jonë?
Arben Ahmetaj: Pagat në vit janë njëri merr 860 euro mesatarisht në muaj herë 14 pra, herë 12, shkon diku tek 150 mijë euro…
Sonila Meço: Aty do të ndaloj tani. Armët duhet të prodhoheshin në Shqipëri. Kemi një pyetje nga Genci.
Arben Ahmetaj: Jemi duke folur për Timak Defense… Armët presupozohen të prodhoheshin nga vëllai tjetër që është Advanced Arm Technology, që i referohet edhe Ermal Nufi.
Sonila Meço: Më falni pak këtu zoti Ahmetaj. Dua ta dëgjojë pak publiku, çfarë ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, me kërkesë të Partisë Demokratike Shqiptare, Ermal Nufi. E ndjekim pak.
Sonila Meço: Ja pra deklarata përmend dhe AAT-në, të mos harrojmë, madje Ermal Nufi flet që ne jemi duke prodhuar armë.
Arben Ahmetaj: Sonila, unë do t’ju lë më pas që ta diskutoni vetë, po ky edhe Genci edhe Basiri kanë mundësi që t’i vënë pikat mbi i së bashku me ty. Po ky është rrëfim penal! Nëse ne nuk prodhojmë, nëse siç del në audio regjistrimin, bëhet fjalë për armë e municione të ardhura nga shtete të cilat mund të jenë dhe të sanksionuara, pra që janë me embargo… Sudani për shembull, rezulton nga Bashkimi Europian me embargo, ka një pjesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos e lidhur me çështjen e Darfurit, patjetër…
Gazeta RD