Tabaku: Çmimet e larta të karburanteve, taksat dhe mungesa e kontrollit po rëndojnë qytetarët

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguan ndaj çmimit të lartë të karburanteve në Shqipëri, duke e cilësuar si një faktor kryesor në rritjen e kostove për familjet, fermerët dhe bizneset.

Sipas saj, rreth 60% e çmimit përbëhet nga taksat, ndërsa përqendrimi i tregut dhe mungesa e kontrollit shtetëror ndikojnë gjithashtu në çmimet e larta.

Tabaku kërkoi ndryshimin e sistemit aktual, duke argumentuar se karburanti i shtrenjtë rëndon të gjithë ekonominë dhe qytetarët.

Deklarata

Çmimi i karburantit është një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve. Sot të gjithë paguajmë më shtrenjtë: nga transporti i fëmijëve te produkti në fermën e fermerit dhe te çdo biznes që detyrohet të rrisë çmimet për shkak të rritjes së kostos së karburantit.

Kjo rritje nuk është aq e importuar, sesa shkaktohet nga faktorë të brendshëm.

Së pari, janë taksat. Rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, duke e renditur çmimin e karburantit në Shqipëri ndër më të lartët në rajon, madje edhe ndër më të lartët në Europë.

Arsyeja e dytë lidhet me tregun dhe monopolet, si edhe me faktin se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve zotërojnë të gjitha hallkat e zinxhirit.

Arsyeja e tretë është mungesa e kontrollit dhe e mbikëqyrjes nga shteti, duke e kthyer karburantin në Shqipëri në një produkt luksi dhe duke i detyruar shqiptarët të furnizohen përtej kufirit.

Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Është sistemi i tregtimit me pakicë, nga i cili vuan qytetari shqiptar, fermeri dhe çdo prind që paguan më shtrenjtë për karburantin.

Ky sistem e ka kapur prej fyti ekonominë dhe sektorët kryesorë të saj. Duhet të ndryshojë dhe kjo është një prej arsyeve për të cilat qytetarët protestojnë prej më shumë se 100 ditësh.

About Redaksia

Check Also

Gazeta austriake: Prej 100 ditësh shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës!

KURIER Kundërshtarët e një projekti luksoz pronash të paluajtshme në një zonë të mbrojtur natyrore …