Avokati Franc Nuri ka ngritur shqetësime të forta për projektin e kamerave inteligjente në shkollat publike, duke e cilësuar atë si një hap drejt krijimit të një sistemi të gjerë survejimi të qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Nuri, paralajmëroi se përdorimi i kamerave inteligjente mund të cenojë rëndë të drejtën për privatësi.
“Kemi të bëjmë me një projekt që ngre shqetësime serioze për privatësinë e qytetarëve. Kamerat inteligjente nuk mund të trajtohen thjesht si një mekanizëm për rritjen e sigurisë në shkolla, pasi potenciali i tyre për monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave është shumë më i gjerë. Shqetësimi ynë është se qeveria po ndërton një sistem survejimi masiv, një lloj ‘Big Brother’-i shqiptar, ku qytetarët mund të jenë vazhdimisht nën vëzhgim. Për këtë arsye kërkojmë transparencë të plotë se çfarë të dhënash mblidhen, si përpunohen dhe kush ka akses në to”,- u shpreh Nuri ndër të tjera.
Nuri shtoi më tej se PD ka kërkuar zyrtarisht informacion nga institucionet përgjegjëse për mënyrën se si do të funksionojë sistemi, por përgjigjet kanë qenë të paplota, ndërsa Kryeministria dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk kanë kthyer përgjigje.
Gazeta RD