Protestuesit rrethojnë Kyeministrinë dhe bllokojnë akset rrugore

Protesta e 105-të kundër qeverisë dhe klasës politike ka hyrë në një fazë të re këtë të shtunë në Tiranë, ku krahas qytetarëve nga Shqipëria, në tubim është bashkuar edhe diaspora shqiptare.
Protesta është shoqëruar me flamuj kombëtarë, flamuj të Dardanisë, pankarta dhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë fjalimeve, përfaqësues të diasporës dhe protestues të tjerë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa kanë bërë thirrje për vijimin e rezistencës dhe bashkimin e qytetarëve.
“Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Edi Rama në burg”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë protestës.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit njoftuan se nuk do të vijonin me marshimin e zakonshëm, por do të rrethonin godinën e Kryeministrisë.
Qindra qytetarë u vendosën përreth godinës, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në shesh, duke e konsideruar këtë si një përshkallëzim të aksionit të tyre.
“Do qëndrojmë për shqiptarinë. Nata është e gjatë, nesër dita gjithashtu. Do rrimë këtu, të njihemi me njëri-tjetrin, derisa ta largojmë kryeministrin Edi Rama. Shqiptarët janë bashkë për t’i thënë stop tradhtarëve. Vetëm bashkë e sjellim ndryshimin”, u shpreh një prej protestuesve.
Gjatë mbrëmjes nuk kanë munguar as thirrjet drejtuar efektivëve të policisë, ku protestuesit u kanë kërkuar atyre të heqin kapelet dhe t’u bashkohen qytetarëve.
Ndërkohë, një grup protestuesish kanë vijuar me mosbindje civile, duke bllokuar rrugën pranë Kryeministrisë.
Protestuesit kanë deklaruar se qëndrimi i tyre do të vijojë gjatë natës dhe se rezistenca do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

About Krye Redaktor

Check Also

“Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale”/ Deklarata e kreut të gjyqtarëve

Përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë për pagat e magjistratëve vijon të thellohet, …