Nga Bujar Leskaj
Hedhja e idesë një vit më parë nga Rama për mundësinë e krijimit të një entiteti të veçantë, Shtet për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë ka përmasa reale rrezikshmërie për harmoninë tonë fetare dhe unitetin shtetëror. Trajtimi këto ditë i kësaj teme nga një i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump në Tiranë, i jep dimensione tejet shqetësuese kësaj tradhtie kombëtare nga Rama.
Dy mendje publike kurajoze tek ne, si intelektuali i njohur, doktor Milaim Nelaj dhe avokati Spartak Ngjela e kanë parë me qartësi dhe e kanë denoncuar fort në tre ditët e fundit këtë rrezikshmëri.
Shqipëria është një republikë parlamentare, e organizuar mbi parimin e shtetit unitar dhe të pandashëm. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon krijimin e entiteteve sovrane mbi baza fetare, etnike apo komunitare. Për këtë arsye, çdo ide që do të synonte krijimin e një njësie me atributet e një shteti brenda territorit shqiptar, do të kërkonte ndryshime të thella kushtetuese dhe do të hapte një debat të rrezikshëm e tejet të ndjeshëm për natyrën e shtetit shqiptar.
Një nga asetet më të çmuara të Shqipërisë është harmonia fetare. Myslimanë sunitë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë, duke ndërtuar një model të rrallë tolerance, i cili shpesh përmendet si shembull pozitiv në botë. Ky model është mbështetur pikërisht mbi parimin e barazisë së komuniteteve fetare përpara ligjit dhe mbi mungesën e privilegjeve politike apo territoriale për seicilin prej tyre.
Një Shtet Bektashi në Tiranë, si një entitet me status të veçantë, do të krijojë menjëhere perceptimin e trajtimeve të diferencuara mes komuniteteve fetare. Një precedent i tillë do të nxiste diskutime dhe projekte të ngjashme nga grupe apo komunitete të tjera, si për shembull komuniteti ortodoks në Jug të vendit, duke sjellë debate të panevojshme mbi autonominë, statuset speciale apo ndarjet territoriale.
Këto debate dhe ndasi nuk kanë qenë kurrë pjesë e traditës shtetformuese shqiptare. Ne jetojmë në Ballkan. Dhe në Ballkan, çështjet që lidhen me territoret, identitetet fetare dhe komunitetet kanë qenë historikisht burim tensionesh.
Për këtë arsye, çdo model që lidh sovranitetin me përkatësinë fetare do të interpretohet nga aktorë të ndryshëm në rajon si një precedent politik. Një shtet Bektashi në Shqipëri do t’i jepte shkas Kishës dhe komunitetit serb në Kosovë të kërkonin shtetin e tyre ngjashëm me atë të Baba Mondit në Tiranë!
Prandaj Baba Mondi, mos u mashtro nga Rama! Bektashinjtë kanë një rol të rëndësishëm në historinë kombëtare shqiptare. Ata kanë kontribuar në Rilindjen Kombëtare, në përhapjen e gjuhës shqipe dhe në forcimin e identitetit kombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo diskutim mbi statusin e institucioneve të tyre duhet të mbështetet mbi respektin ndaj këtij kontributi dhe mbi parimet kushtetuese që garantojnë barazinë e të gjitha komuniteteve.
Debati për një status të veçantë të Kryegjyshatës Bektashiane, por jo për një shtet të mirëfilltë të saj në Tiranë, duhet të zhvillohet në frymën e dialogut, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës sonë dhe të harmonisë fetare që kemi arritur.
Përmes shekujsh tashmë, ne kemi ndërtuar një model unik të bashkëjetesës fetare dhe ky model mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit.
Sot këtë rrezikshmëri të Shtetit Bektashi në Tiranë duhet ta denoncojnë të gjithë intelektualët dhe figurat me peshë publike, të gjithë patriotët që u dhimbset të qenit unik të shtetit shqiptar dhe jo lodër e pazareve të ndyra të Ramës! Edhe gazetarët me peshë në opinionin tonë publik duhet ta thonë të tyren.
NE të gjithë duhet ta ruajmë si sytë e ballit asetin themelor të Shqipërisë, si shtet laik dhe i pandashëm. Nuk mund dhe nuk duhet t’i hapim derën krijimit të një shteti fetar brenda trupit të saj, pavarësisht nga kontributi i jashtëzakonshëm në historinë tonë i komunitetit bektashi.
Baba Mondi nuk duhet të kthehet në vegël të Ramës!
Bektashizmi ka qenë dhe do të mbetet shtylla e shqiptarisë. Bektashinjtë nuk mund të përdoren nga segmente sioniste, kushdo qofshin ato! Bektashizmi nuk mund kurrsesi të shërbejë si Kalë Troje për Shqipërinë, për stabilitetin rajonal e më gjerë, apo të provokojë aleancat e saj strategjike me Perëndimin dhe me Turqinë.
Bektashizmi është fe shpirtërore , besim i pastër dhe i ndershëm. Baba Mondi, mos u bëj vegël e Ramës. Mos e kalo Shtetin Bektashi në Tiranë, këtë projekt të Shkatërruesit të Shqipërisë, njëlloj si ky vetë ka kaluar projektet korruptive KAYO, AKSHI, inceneratorët, PPP-të dhe të gjitha aktet e tjera korruptive të sektit Rama.
Gazeta RD