Rama mbron sërish Ballukun dhe sulmon SPAK-un: Hyri në territorin tim…

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje sërish sot ish zv/kryeministren Belinda Balluku e akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në 8 tendera por dhe korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Vetëm pak ditë pasi SPAK njoftoi se kishte sekuestruar vilën e dytë të Ballukut në Bregdet duke ia rënduar dhe pozitat penale, Rama iu rikthye gjuhës së sulmeve kundër drejtësisë, e njëjta që përdori dhe muaj më parë kur SPAK dërgoi kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut.

Çfarë deklaroi sot?

Në intervistën për Rudina Xhungën, Rama tha se prokurori dhe gjykatës u bënë bashkë në një dhomë që të bëjnë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, Parlamentin, Presidentin.

“Në rastin e Belinda Ballukut u faturua shumë keq një gjë tjetër që nuk kishte lidhje me të. U prodhua një masë absurde, e pandodhur në historinë e botës: pezullimi i ministrit nga detyra. Prokurori dhe gjykatësi u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, Parlamentin, Presidentin.

SPAK-u hyri në territorin tim si kryeministër dhe në territorin tonë si shumicë parlamentare që ka votuar qeverinë dhe në territorin e Presidentit që ka dekretuar ministrat. Pra nuk ka lidhje me personin. Çdo ministër, nëse do të pezullohej, unë do të mbaja po atë qëndrim”, tha Rama.

Çfarë deklaroi 6 muaj më parë?

Ndërkohë më 9 mars 2026 në mbledhjen e grupit parlamentar Rama deklaronte se Ballukun po e mbronte sepse ajo nuk kishte akuzë për korrupsion apo gjësendi tjetër…

“Ndaj saj është ngritur një akuzë jo për vjedhje, jo për korrupsion apo gjësendi tjetër të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në kryerjen e një vepre penale, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres, ka kryer veprën e mosbarazisë në tendera nga mesazhe të gjetura 6 vite më pas në celularin e një drejtori. Mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar, por të servirur më parë përmes “korrierëve” që dalin e hyjnë te “Stacioni i Trenit” si gjellë qensh, u vendos nga prokurori dhe gjyqtari pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar”, u shpreh Rama më 9 mars.

Vilat që Balluku i përfitoi nga korrupsioni

Ish numri 2 i qeverisë Rama e cila ka mbajtur dhe postin e Ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për përfitimin e një vile të dytë luksoze në resortin “Green Coast” në Palasë në këmbim të një tenderi në Unazën e Madhe të Tiranës. Përmes faturimeve fiktive dhe emrave të tretë, “Alko Impex” akuzohet se pagoi qindra mijëra euro për pishinë “infinity”, vaska hidromasazhi dhe pajisje të tjera luksi.

Kjo është vila e dytë e sekuestruar pas një tjetre po në zonën e Dhërmiut dhe ka rënduar situatën penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera” të kryer në bashkëpunim në 8 herë, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, më shumë se një herë. Me të në këtë aferë akuzohet biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” si dhe ish-futbollisti Igli Tare, pronari në letra i vilës, i cili akuzohet për pastrim parash.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për masën e sekuestros, shpenzimet për arkitekturën e vilës varionin nga rreth 290 deri në 410 mijë euro dhe u paguan nga kompania “Alko Impex General Construction”, e cila po shpërblehej në të njëjtën kohë me një tender prej 2.2 miliardë lekësh [rreth 23.9 milionë euro] për Unazën e Madhe të Tiranës.

Në qershor 2026, SPAK zbuloi vilën e parë që Balluku përfitoi një vilë me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kompanisë në një tender gjatë kohës kur Balluku ishte në krye të Albcontrol. Sipas SPAK, prona u fsheh përmes një skeme pastrimi parash ku u përfshi edhe ish-futbollisti Igli Tare.

A do kërkojë SPAK arrestimin e dytë?

Burimet për Syri Tv bëjnë me dije se shpejt SPAK pritet t’i drejtohet për herë të dytë Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke e vendosur sërish Edi Ramën dhe shumicën socialiste përballë zgjedhjes nëse do t’i hapin rrugë drejtësisë apo do t’i mbeten mbrojtjes politike që i dhanë ish-zëvendëskryeministres në kërkesën e parë.

BE po vëzhgon

Në pranverë, shumica socialiste e drejtuar nga Edi Rama e bllokoi kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë masës së sigurisë ndaj Ballukut. Kundër kërkesës votuan 82 deputetë, ndërsa Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali dhe Blendi Gonxhe nuk morën pjesë në votim. Vendimi shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare. Vetëm pak ditë më parë ambasadori gjerman përcolli mesazhin se pa luftuar korrupsionin në nivele të larta nuk ka integrim në BE.

About Redaksia

Check Also

Protesta/ “Observer”: Shqipëria noton në para droge, Rama nuk kërkon falje për varjen e Havzi Nelës

Gazeta e rëndësishme britanike ‘Observer’, publikoi një reportazh të gjatë për protestat që kanë kapluar …