Nga Arlind Bajaj – Sekretar për Organizimin, PD Vlorë
14 shtatori shënon 83 vjet nga Masakra e Gërhotit, ku 37 luftëtarë nacionalistë dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut.
Në fshatin Gërhot të Gjirokastrës, më 14 shtator 1943, datë e cila i përkiste Luftës Antifashiste në Shqipëri, u vranë 37 luftëtarë: komandant Hysni Lepenica, Sefer Imeraj, Hasan Xhaferi, Nano Gjoni, Hasan Gjoni, Abas Dauti, Agush Cane, Agim Selfo, etj.
Pas kapitullimit të pushtuesve italianë në Gjirokastër, komandantë e luftëtarë të Ballit Kombëtar, të udhëhequr nga Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar për Jugun, iu drejtuan fshatit Gërhot, pikërisht vendit ku ndodheshin kazermat ushtarake italiane. Sipas marrëveshjes, ata do të merrnin armët dhe italianët do t’i dërgonin deri në bregdet. Por në kazermat ushtarake italiane gjendeshin edhe krerët komunistë Bedri Spahiu, Shefqet Peçi, si dhe shumë ushtarë të tjerë komunistë, të cilët, përmes një marrëveshjeje me armikun e atdheut, për shkak të interesave të tyre personale dhe të drejtuesve të tyre, filluan vëllavrasjen në Shqipëri. Ata kërkuan nga fashistët italianë luftimin e menjëhershëm të çetës së Ballit Kombëtar. Pa hezitim, ata hapën zjarr ndaj kësaj çete, pa asnjë paralajmërim, duke lënë të vrarë 37 burra të shquar të atdheut.
Kështu, edhe sot, 14 shtatori na kujton trimërinë e këtyre dëshmorëve nacionalistë. Emri i tyre kujtohet edhe sot nga nacionalistët e këtij vendi.
Me nderim të thellë ngrihet lart emri i Hysni Lepenicës, këtij njeriu të shquar, të spikatur për trimërinë e tij, i cili, si gjithmonë, gjendej në krahun e duhur të historisë. Ai kujtohet sot edhe për veprat e tij të shquara në mbrojtjen e atdheut, të cilat datojnë që prej vitit 1920, kur ai mori pjesë në Luftën e Vlorës. Por, si përgjigje, këta nacionalistë të shquar, por edhe shumë të tjerë, në vitet e sundimit komunist në Shqipëri, morën përndjekjen dhe burgosjen. Kështu, kjo datë në historinë e Shqipërisë shënon edhe fillimin e masakrave dhe krimeve komuniste në Shqipëri.
Në nderim të Dëshmorëve Nacionalistë të Ballit Kombëtar!
Gazeta RD