Deputeti i PD. Klevis Balliu, i cili mban dhe postin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë ka bërë të ditur depozitimin e kërkesës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për KAYO-n, në një deklaratë për median nga Kuvendi, ripërsërit kërkesën për ngritjen e një komisoni hetimor për KAYO-n.
Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje serioze që lidhen me sigurinë kombëtare, kontrollin shtetëror dhe aktivitetin e kompanisë në sektorin e armëve dhe teknologjisë ushtarake dhe se ‘ato që po dalin në dritë, nuk mund të trajtohen më si një çështje e zakonshme administrative’
Balliu deklaroi se rezulton se emri Ron Yefet është i përfshirë në hetimet që lidhen me grupin e strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t dhe bën thirrje SPAK për të nisur hetimet.
Balliu tha se, SPAK duhet të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes Ron Yefet, Ergys Agasit, Ekos Resort, Timak Horse Club dhe personave e subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t. Sepse nëse këto marrëdhënie janë të ligjshme, transparenca duhet t’i sqarojë.
Deklarata
“Kemi përballë një kompani shtetërore që operon në një sektor strategjik, atë të armëve, municioneve dhe teknologjisë ushtarake. Kemi partneritete ku shteti shqiptar ngre pikëpyetje mbi kontrollin dhe pozicionin e tij. Kemi kontrata dhe pagesa me vlera të konsiderueshme, kemi pikëpyetje serioze mbi përzgjedhjen e partnerëve dhe mbi të gjitha, kemi materiale të bëra publike që kërkojnë verifikim të plotë mbi dyshimet për një skemë të mundshme të trafikimit, importimit dhe ripaketimit të armëve.
Dhe në qendër të këtyre pikëpyetjeve shfaqet emri Ron Yefet, një person që është lidhur publikisht me rrethin e Edi Ramës dhe me vetë Edi Ramën dhe që rezulton të jetë i përfshirë në marrëdhënie biznesi që lidhen me strukturat të Kajos. Për këtu shfaqet edhe një tjetër element që kërkon përgjigje.
Gjithashtu rezulton se emri Ron Yefet është i përfshirë në hetimet që lidhen me grupin e strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga organet kompetente, ajo e bën edhe më të domosdoshme verifikimin e plotë të marrëdhënieve të tij ekonomike dhe institucionale. Në këtë kontekst, një tjetër fakt që kërkon shpjegim është krijimi më 23 mars 2026 i shoqërisë Timak Horse Club, me pronar përfitues Ron Yefet dhe lidhja e aktivitetit të saj me Ekos Resort në Petrelë. Kronologjia kërkon vëmendje të veçantë.
Krijimi i kësaj kompanie ndodh vetëm pak javë përpara sekuestrimit të pasurive të lidhura me Ergys Agasin dhe pak ditë përpara ekzekutimit të sekuestrimit në Ekos Resort.
Kjo kronologji në vetvete nuk përbën provë të një vepre penale, por është një rrethanë konkrete që kërkon verifikim të plotë dhe shpjegim nga institucionet e drejtësisë. Pyetjet janë të qarta. Çfarë lidhje ka Ron Yefet me Ergys Agasin dhe rrjetin e Ekos Resort? Kush i dha të drejtën e përdorimit të këtij kompleksi? A ka pasur kontrata, pagesa, marrëveshje apo transaksione mes tyre? Çfarë marrëdhënie ka kjo kompani me aktivitetet e tjera të personave dhe subjekteve që janë nën hetim? Dhe a ka ndonjë lidhje mes këtyre marrëdhënieve dhe çështjeve të hetuara në dosjen e AKSHI-t? Këto nuk janë pyetje që mund të mbyllen me propagandë politike.
SPAK duhet të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes Ron Yefet, Ergys Agasit, Ekos Resort, Timak Horse Club dhe personave e subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t. Sepse nëse këto marrëdhënie janë të ligjshme, transparenca duhet t’i sqarojë.
Nëse nuk janë të ligjshme, drejtësia duhet të veprojë. Kjo nuk është më një histori për të fshehur pas propagandës qeveritare. Nëse rezulton se një kompani shqiptare është përdorur për të importuar armë nga vende të treta, për t’i ripaketuar apo paraqitur në një formë tjetër dhe më pas për t’i futur në tregjet ndërkombëtare, atëherë nuk kemi më përpara një problem të thjeshtë ekonomik. Kemi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe detyrimet tona si vend anëtar i NATO-s.
Dhe disa pyetje lindin pikërisht nga kjo çështje. Çfarë roli ka pasur Ron Yefet? Kush e ka ofruar me këtë strukturë? Kush e ka sjellë në marrëdhëniet me institucionet shqiptare? Kush ka negociuar? Kush ka firmosur? Kush ka kontrolluar armët që kanë hyrë dhe kanë dalë nga territori shqiptar? Dhe mbi të gjitha, a ka pasur Edi Rama dijeni për këto marrëdhënie dhe aktivitete? Sepse nuk mund të ndërtojmë një shtet ku njerëzit pranë pushtetit shfaqen në marrëdhënie me biznese strategjike, ku shteti financon, garanton dhe vendos në dispozicion asetet publike, ndërsa kur lind pyetja mbi përgjegjësinë, papritur askush nuk di asgjë.
Ne nuk po kërkojmë që parlamenti të bëjë punën e SPAK-ut. Përkundrazi, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim për vepra penale. Parlamenti ka detyrimin kushtetues të kontrollojë me kontrollin parlamentar dhe të zbardhë përgjegjësinë politike dhe institucionale. Komisioni hetimor duhet të verifikojë nëse janë respektuar ligji dhe procedurat, nëse ka pasur kontroll real shtetëror, nëse janë respektuar rregullat për importin dhe eksportin e armëve, detyrimet ndërkombëtare dhe interesat e sigurisë kombëtare.
Dhe qeveria ka vetëm një rrugë: të votojë pro komisionit hetimor dhe të hapë çdo dokument. Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, pse duhet të trembet nga hetimi parlamentar? Nëse KAYO është krijuar për interesin e mbrojtjes së vendit, pse lindin kaq shumë pikëpyetje mbi kontrollin real të shtetit mbi këtë sektor strategjik? Dhe nëse gjithçka është e ligjshme, pse vazhdojnë të mbeten pa përgjigje pyetjet mbi Ron Yefet, KAYO-n, marrëdhëniet me Ergys Agasin, Ekos Resort, dosjen e AKSHI-t dhe rrethin e ngushtë të Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë që siguria kombëtare të kthehet në një biznes privat, ndërsa institucionet shqiptare të përdoren si perde për marrëdhënie të paqarta. Kajo duhet të hetohet. Roli i Ron Yefet duhet të verifikohet.
Marrëdhëniet me institucionet shtetërore duhet të zbardhen. Lidhjet me Ergys Agasin, Ekos Resort dhe dosjen e AKSHI-t duhet të hetohen, dhe çdo përgjegjësi politike apo penale duhet të dalë para drejtësisë. Sepse kur bëhet fjalë për armë, para publike dhe sigurinë kombëtare, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. As Edi Rama, as njerëzit e tij, asnjë kompani private. Shteti shqiptar nuk mund të jetë mburojë për askënd.
Gazeta RD