Projektligji për pagat e magjistratëve që po zhvillohet në komisionet parlamentare, paralajmëron një krizë të thellë në nivel kushtetues.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi akuzoi drejtpërdrejt qeverinë dhe parlamentin për ngërçin e krijuar.
Ai theksoi se presioni dhe urgjenca e tanishme nuk janë faj i institucioneve të drejtësisë, por një dështim i pastër i Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave për të zbatuar vendimin brenda afateve.
Diskutimi u përqendrua te dyshimet nëse ndryshimet e propozuara, si rritja e koeficientit nga 0.36 në 0.38, e zbatojnë vërtet thelbin e vendimit të Kushtetueses, apo nëse përbëjnë thjesht një manovër për të anashkaluar detyrimet reale.
Faleminderit zonja Bogdani për gatishmërinë për të ardhur në këtë seancë dëgjimore në kohë të shkurtër. Në fakt e gjithë ky presion dhe urgjencë që po krijohet nuk është faji i asnjë institucioneve që kanë një muaj që reagojnë, po është së pari për ata që kishin detyrimin, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne jemi përpara pikërisht në këtë krizë që është krijuar dhe kjo është krizë në nivel kushtetues, vjen për shkak të qeverisë dhe të parlamentit.
A mendoni ju që projektligji që vjen, i cili unë jam dakord me atë që thoni ju, që Gjykata Kushtetuese tashmë ka përcaktuar standarde, ka përcaktuar jo vetëm kaq, ka shkuar më thellë, ka dhënë dhe afat dhe ka thënë çfarë ndodh mbas atij afati. Pra e ka limituar diskrecionin e kuvendit. Duke marrë parasysh edhe faktin që po, Kuvendi i Shqipërisë në çështje të këtij lloji në trajtimin për herë të parë ka diskrecion të gjerë, por mbasi është shprehur Gjykata Kushtetuese ka një detyrim të zbatojë çfarë i thotë Gjykata Kushtetuese.
Mendoni ju që rritja nga 0.36 në 0.38 dhe dispozita të tjera që janë aty, përfshirë ato për periudhën para datës 31 korrik, zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Pra ky projektligj ju thatë që duhet rishikuar tërësisht. Pra kjo vjen për shkak se ju gjykoni se nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese se si do ta zgjidhte këtë parlamenti, apo keni arsye të tjera? Dhe nëse keni arsye të tjera, a gjykoni që ky projektligj është, e zbaton kërkesat e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese?
Gazeta RD