Gjykata e Lartë le në burg Veliajn!

Shkërmoqen iluzionet e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi sot të mos ndryshojë masën e sigurisë ‘arrest me burg’, në të cilën ndodhet prej 10 shkurtit 2025.

Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e 13 marsit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës me një masë më të butë sigurie.

Vendimi u dha nga 3 gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni, Genti Shala dhe Valbon Çekrezi, pasi u mblodhën në Dhomën e Këshillimit për më shumë se një orë. (Mbledhja nisi në 09:30 dhe vendimi u njoftua në 11:11).

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar.

Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Rigjykimi bëhet në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të majit 2026, që vlerësoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar se përse ‘arresti në burg’ ishte e vetmja masë e përshtatshme dhe as proporcionalitetin e kësaj mase me funksionin e Veliajt si kryebashkiak.

Veliaj në burg prej shkurtit 2025

Kryebashkiaku i Tiranës mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit 2025, ndërsa paralelisht vijon procesi gjyqësor në themel, ku ai përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të palejuara në ambientet e paraburgimit, të cilat kryebashkiaku i ka mohuar. ​

Ai akuzohet zyrtarisht për 9 episode të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të zgjedhur”, për “pastrim të produkteve të veprës penale-pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Brenda vendimi jashtë protesta

Mbledhja e sotme në Dhomën e Këshillimit është bërë me dyer të mbyllura, pa prezencën e palëve por mbështetur mbi aktet që kanë paraqitur palët në këtë proces.

E ndërsa gjyqtarët po vendosnin jashtë ambienteve të gjykatës u mblodhën disa protestues.

Aktivisti Edison Lika tha përpara shpalljes së vendimit se, çështja nuk lidhet me dëmin që sjell qëndrimi i kryebashkiakut në burg, por me lirimin e tij dhe faktin që ai vijon të mbajë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa pas vendimit u dëgjuan brohorimat e tyre “Rama n’burg Veliaj n’burg”. Avokatët shqiptarë dhe të huaj të Erion Veliajt kanë paralajmëruar se do ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

About Redaksia

Check Also

Garo: Nafta në Shqipëri 2.48 euro më e shtrenjtë se në Gjermani dhe Norvegji, përgjegjës është vetëm Edi Rama!

Deklarata zëdhënëses së PD, Floriana Garo: Shqipëria dje shënoi çmimin prej 2.48 euro për litër …