Nga Atird Hoxha – Kryetar i grupit të keshilltarëve demokratë në Keshillin Bashkiak Vlorë
Sezoni turistik i vitit 2026 përfundoi dhe bashkë me të vjen momenti për të bërë bilancin real të asaj që ndodhi në Vlorë. Jo bilancin e deklaratave politike, as atë të shifrave që publikohen për numra rekord imagjinarë të turistëve, por një bilanc që duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta. Çfarë mori turisti në këmbim të parave që shpenzoi? Çfarë përfitoi qyteti? Dhe çfarë u përmirësua realisht krahasuar me sezonet e mëparshme?
Vlorë nuk ka asnjë njësi matëse për numrin e vizitorëve. Ose unë, deri tani, nuk kam parë një të tillë nga administrata, qoftë qendrore apo ajo vendore. Një destinacion turistik duhet të vlerësohet për nga infrastruktura, pastërtia, trafiku, transporti, siguria, shërbimet publike, çmimet dhe cilësia e ofertës turistike. Prandaj, para se të shpallim një tjetër “sukses historik” të turizmit, duhet të garantohet furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike që për turp vazhdojnë të jenë problem. Për këtë kam përcaktuar disa sektorë që unë i konsideroj shumë të rëndësishëm, por që secili mund të ketë edhe të tjerë.
Infrastruktura dhe trafiku
Infrastrukturë shumë e dobët, për të cilën pushteti përpiqet të bëjë makijazh në pak rrugë kryesore, por që është e pamundur të fshihet problematika në tërësinë e territorit të Bashkisë Vlorë. Trafiku është një problem që përsëritet çdo sezon. Edhe këtë sezon, në shumicën e ditëve, nyjet kryesore dhe dytësore kanë përballuar trafik të rënduar, kaos në lëvizjen e mjeteve, rritje të kostove, stres dhe zhgënjim për turistët e huaj dhe vendas. Nëse qyteti dhe zonat turistike vazhdojnë të kenë probleme me infrastrukturën, vendparkimet, transportin publik dhe qarkullimin, ku është suksesi?
Pastërtia dhe menaxhimi i mbetjeve
Pastërtia është një nga treguesit më të drejtpërdrejtë të cilësisë së një destinacioni turistik. Dhe këtu nuk duhet të shohim vetëm Lungomaren apo zonat që preferohen për fotografitë dhe propagandën, që edhe ato nuk kanë shkëlqyer, por edhe lagjet, plazhet dhe zonat periferike. Turistët nuk flenë të gjithë në Lungomare, ata zgjedhin destinacione të ndryshme dhe shërbimet duhet të jenë të shtrira në të gjithë territorin njësoj.
Nuk mundet që Bashkia Vlorë të akordojë më shumë se 8 milionë euro për këtë sektor dhe turisti, por edhe qytetari që paguan taksat, të shohë kontenierë të tejmbushur me mbeturina edhe për ditë me radhë. Kjo nuk është më thjesht një problem estetik. Është një problem serioz i menaxhimit të parave publike dhe i mënyrës se si administrohet një qytet që pretendon të jetë një nga destinacionet kryesore turistike në Europë. Nëse paguajmë miliona euro për pastrimin, qytetari ka të drejtë të pyesë: ku shkojnë realisht këto para dhe pse rezultati që shohim në terren është ky?
Cilësia përballë çmimit
Vlorë nuk mund të jetë konkurruese nëse çmimit të përcaktuar nuk i përgjigjesh me shërbim. Nëse duam të jemi një destinacion serioz, duhet të rrisim cilësinë e shërbimit, standardin e strukturave akomoduese dhe ofertën turistike.
Por këtu dua të them një konstatim personal. Çdo vit sakrifica është e madhe dhe duhen përgëzuar të gjithë operatorët që, pavarësisht vështirësive dhe kostove të shumta, vazhdojnë të investojnë në struktura të cilat në shumë raste janë ndër më modernet dhe bashkëkohoret.
Një nga problemet e mëdha që po përballojnë është mungesa e fuqisë punëtore dhe e kualifikuar. Edhe këtë vit kemi parë një numër të konsiderueshëm punonjësish të ardhur nga vende të huaja. Nuk dua të paragjykoj askënd për këtë, por kjo nuk mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për një sektor strategjik të ekonomisë shqiptare. Për biznesin kjo ndoshta është një zgjidhje momentale, por jam i sigurt jo me më pak kosto.
Shteti ynë nuk duhet të mjaftohet me marrëveshje me shtete të caktuara për të siguruar fuqi punëtore, por duhet të jetë garant për kualifikimin dhe trajnimin real të tyre, jo vetëm në certifikata që ndoshta i marrin në zyrat e formimit profesional në shtetet përkatëse, siç ka qenë praktikë vite më parë këtu në Shqipëri.
Çfarë mbetet për Vlorën?
Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme. Pas largimit të turistëve, çfarë mbetet?
Por për fat të keq, nga komunikimet që kam pasur me operatorë turistikë të sektorëve të ndryshëm, vlerësimi që më është përcjellë është se këtë vit ajo që do të duhet t’i mbetej biznesit dhe ekonomisë së qytetit është të paktën 20% më pak se viti i kaluar.
Dhe kur kujtojmë se edhe viti i kaluar ishte në të njëjtat vlera, imagjinoni një qytet turistik që për dy vite rresht humbet një pjesë kaq të madhe të të ardhurave.
Kjo sjell një qytet më pak të zhvilluar. Shërbime që e kanë më të vështirë të përmirësohen. Investime që e kanë të vështirë të quhen të qëndrueshme. Të ardhurat që ulen për biznesin ndikojnë në të gjithë zinxhirin ekonomik të qytetit të Vlorës, duke sjellë reduktim të vendeve të punës dhe të të ardhurave të familjeve.
Porti dhe aeroporti, dy infrastruktura që ndikojnë drejtpërdrejt në turizëm
Qeveria ka vendosur të ndryshojë funksionin e portit ekzistues, duke e shkatërruar funksionin që ka pasur prej shekujsh dhe të ndërtojë Portin e Integruar në Triport, nga një prej klientëve të qeverisë Rama, Pëllumb Salillari. Por ende shumë larg përfundimit të tij. Ndërsa porti aktual Rama ia dhuroi Samir Manes për të ndërtuar aty 18 kulla.
Por problemi është se Vlora nuk mund të jetojë me premtime për atë që do të ndërtohet nesër, ndërkohë që sot qyteti duhet të përballet me pasojat e një tranzicioni të gjatë dhe me mungesën e një vizioni të qartë për infrastrukturën e tij portuale.
Dhe në krah të portit kemi aeroportin.
Më 8 maj 2025, tre ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, propaganda qeveritare zhvilloi fluturimin e parë certifikues dhe atëherë u deklarua se aeroporti do të ishte funksional në pranverën e vitit 2026. Sot jemi në shtator 2026 dhe Aeroporti i Vlorës ende nuk është vënë në funksion. Arsyeja dihet: konflikt i organizuar Pacolli & Ademi. Shqipëria në arbitrazh, ministria ndërhyn për ta marrë në administrim, Rama & Balluku & Yeffet fërkojnë duart për llogarinë e radhës.
Pra, ndërsa flasim për rritje të turizmit dhe shifra rekord, Vlora vazhdon të presë dy prej infrastrukturave që do të duhej t’i jepnin një tjetër dimension zhvillimit të saj turistik. Por që po u japin një dimension milionave që përfitojnë Rama dhe të tijët.
Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture. Është çështje e drejtpërdrejtë e ekonomisë së Vlorës.
Turizmi nuk duhet të jetë vetëm një sezon veror
Turizmi duhet të jetë një ekonomi që funksionon gjatë gjithë vitit.
Vlorë ka potencialin për ta bërë këtë. Ka detin, historinë, natyrën, klimën, kulturën, gastronominë dhe një pozicion gjeografik që shumë qytete të tjera do ta dëshironin.
Por potenciali nuk mjafton.
Duhet vizion, infrastrukturë, shërbime, transport, siguri, pastërti dhe mbi të gjitha një qeveri që e kupton turizmin si ekonomi dhe jo si një mundësi për të prodhuar vetëm statistika dhe propagandë.
Gazeta RD