Agjencia e lajmeve, Associated Press ka shkruar mëngjesin e sotëm për vërdiktin i cili pritet të jepet sot në Hagë nga Gjykata Speciale për katërshen e UÇK-së. Në artikullin që kryesisht i kushtohet ish-presidentit Hashim Thaçi, thuhet se ai sot do të mësojë fatin e tij, pasi gjyqtarët ndërkombëtarë në Hagë do të shpallin aktgjykimin në gjyqin e tij për krime lufte.
Shkrimi i AP
HAGË, Holandë – Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mësojë të mërkurën fatin e tij, kur gjyqtarët ndërkombëtarë në Gjykatën Speciale në Hagë të shpallin vendimet në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj tij.
Thaçi përballet me disa akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe përndjekje, së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luftoi kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në Kosovë, ata konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë.
Mijëra persona u mblodhën gjatë fundjavës në Prishtinë në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Protestuesit mbushën sheshin qendror të kryeqytetit, ndërsa shumë prej tyre mbanin flamuj kuqezi shqiptarë.
Portretet e katër ish-luftëtarëve të UÇK-së janë vendosur në mbarë qytetin, së bashku me një orë të madhe dixhitale që numëron ditët deri në shpalljen e vendimit të së mërkurës.
“Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, thuhej në një prej pankartave.
Sipas prokurorëve, të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarë politikë dhe civilë që konsideroheshin bashkëpunëtorë ose tradhtarë gjatë kohës kur vepronin në radhët e UÇK-së.
Pjesa më e madhe e stafit të gjykatës, e mbështetur nga Bashkimi Evropian, përbëhet nga ndërkombëtarë për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Në vitin 2022, gjykata dënoi dy drejtues të një organizate të veteranëve të luftës në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve, pasi kishin publikuar dokumente konfidenciale të rrjedhura.
Thaçi po ashtu përballet me një proces të veçantë gjyqësor për akuza që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve, i cili pritet të nisë më vonë gjatë këtij muaji.
Ai ishte student kur u kthye nga ajo që e ka përshkruar si mërgim politik në Zvicër për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Gjatë konfliktit fitoi nofkën “Gjarpri”, për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur forcave serbe.
Thaçi gëzoi mbështetjen e liderëve perëndimorë, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999, në cilësinë e drejtorit politik të UÇK-së. Ai shihej si një nga figurat që mund ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë.
Pas luftës, Thaçi u ngjit në majat e politikës kosovare, por dha dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u përballur me akuzat para gjykatës në Hagë.
Shumica e rreth 13 mijë personave që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë ishin shqiptarë etnikë. Konflikti përfundoi pas një fushate 78-ditore bombardimesh të NATO-s kundër forcave serbe. Rreth një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një hap që Beogradi vazhdon të mos e njohë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht viteve të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
Gazeta RD