Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes me grupin parlamentar u ndal dhe tek vizita (4 – 12 shtator) e tij në SHBA së bashku me kreun e PR-së Fatmir Mediu dhe një delegacion.
Ai nënvizoi se vizita e tij në SHBA duhet të shërbejë si një apel bashkimi për të gjithë demokratët që e kanë konsideruar ndalimin e vizës si një pengesë për bashkimin me ne.
Berisha: Zonja dhe zotërinj, siç jeni informuar, javën e kaluar ne, me një grup drejtuesish të PD, morëm pjesë në konventën e Partisë Republikane të zgjedhjeve afatmesme, i ftuar nga IDU për të marrë pjesë në këtë konferencë së bashku me zotin Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, anëtar i IDU si parti, njëlloj si ne.
Vetëkuptohet, pavarësisht nga komentet, kjo nuk ishte një vizitë personale, nuk ishte një udhëtim personal, nuk kishte asgjë personale në këtë udhëtim.
Ishte në respektim të një ftese dhe pjesëmarrje në aktivitetin më kryesor të partisë në pushtet, Partisë Republikane.
Para se të shkojmë aty, ne patëm një takim të shkëlqyer me diasporën dhe shpreh një mirënjohje të pakufishme ndaj tyre për pritjen që na organizuan, pritjen vëllazërore, angazhimin, mbështetjen e jashtëzakonshme.
Në konventë, faktikisht Dallasi ishte kthyer në kryeqytetin politik, të themi, të SHBA ato ditë.
Ndaj dhe ne patëm rast të bëjmë takime me personalitete të shquara, si të Kongresit të SHBA, por edhe të administratës së presidentit Trump.
Në të gjitha këto takime, ne kemi paraqitur realitetin shqiptar sipas mendimit tonë.
Dhe, jemi ndalur në dy çështje më themelore, narkoshtetin dhe farsën zgjedhore.
Mendoj se kemi gjetur mirëkuptim real me bashkëbiseduesit tanë.
Siç është faktuar dhe në qëndrimin e Sekretarit Rubio ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, që nuk dërgoi mesazh urimi, sepse sipas zëdhënësit të DASH, ai uron vetëm zgjedhjet e lira, pra e qartë që administrata njihte zhvillimet në procesin zgjedhor, dorën e zezë, siç e shprehu dje kryetari i komisionit të Helsinkit në Kongresin e SHBA, Joe Wilson që tha se janë përdorur nga Edi Rama, organizatat kriminale, faktorë të tjerë për të ndërhyrë në zgjedhjet.
Dhe, mendoj se këto takime ishin shumë të dobishme dhe shënojnë konsolidimin e një dialogu intensiv të PD me SHBA, bashkëpunimin me këtë vend të madh.
Por nga ana tjetër duhet të them këtu se ky udhëtim i imi duhet, dhe shpresoj të shërbejë, edhe si një apel bashkimi për të gjithë ata demokratë dhe demokrate, që gjer sot kanë konsideruar ndalimin e vizës për Sali Berishën si një pengesë për t’u bashkuar me ne.
Unë i ftoj ata të kthehen te kontributet e tyre.
Ata janë njerëz që kanë kontribuar.
Nuk e kam fjalën për aksionerët, bashkëaksionerët me qeverinë, se ata nuk vijnë edhe po t’u them unë edhe 100 herë, ata nuk i lënë aksionet e tyre.
Por e kam fjalën për shumë të tjerë, të cilët për mendimin e tyre janë distancuar nga partia, nga udhëheqja e saj, etj me radhë.
Është një moment që t’i ftoj me shumë sinqeritet, me shumë përzemërsi, dhe u ftoj ju të gjithëve që këtë qëndrim të mbajmë në mënyrë që këta zonja, zotërinj, që janë opozitarë, që qëndrojnë opozitarë, të rikthehen tek investimi i tyre, tek partia e tyre.
Gazeta RD