Në këtë takim, Berisha theksoi se problemi më madhor me pasoja shkatërrimtare mbi demokracinë, ligjin, shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë është narkoshteti i kryesuar nga Edi Rama, i pari dhe i vetmi në Evropë.
“Në këtë kuadër, sot Shqipëria është eksportuesja kryesore e kanabisit në Evropë. Kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit kryesorë të kokainës dhe ndër aksionerët kryesorë të tregut të saj në Evropë. Në Shqiperi ato administrojnë portet, të cilat aktualisht janë porte të lira për drogën.
Kartelet shqiptare të drogës në Shqipëri dhe në Amerikën Latine kanë lidhje direkte jo vetëm me policinë, gjykatat e prokurorinë, por kanë lidhje direkte të faktuara edhe me kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Ramën, i cili pret në zyrë përfaqësuesit e Sinaloas dhe, në kundërshtim me ligjin, u jep licencë për kazino dhe hotel me pesë yje. Dosjet gjyqësore kanë faktuar se zyra e kryeministrit organizon takime trilaterale, si për shembull në Aruba, mes trafikantëve të drogës, ndërtuesve shqiptarë dhe përfaqësuesve të tij direktë.
Pasojat më të rënda të narkoshtetit janë në ekonominë e vendit. Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër në botë, janë çvlerësuar euroja dhe dollari. Monedhat më të fuqishme në planet janë çvlerësuar në 10 vite përkatësisht me 32% dhe 35%, e po aq janë çvlerësuar edhe eksportet e vendit. Për rrjedhojë, prodhimi industrial në Shqipëri, sipas Eurostat-it, ka rënë me 15.3% me shume se ne cdo vend tjeter pas Ukraines. Kurse treguesi i ndërtimit, sektor ku lahen paratë e drogës, është tri herë më i lartë se mesatarja e BE-së.
Pasojat më të rënda të narkoshtetit pasqyrohen me shokun demografik të pashembullt në historinë tonë. Po sipas Eurostat-it, në 10 vitet e fundit emigruan vetëm në zonën Schengen 1,099,000 qytetarë. Nëse shtohen edhe ata që kanë emigruar në zona të tjera, del se 47% e shqiptarëve janë larguar nga vendi. Regjistri i Gjendjes Civile tregon se lindjet sot kanë rënë në nivelin e 100 viteve më parë, kur Shqipëria kishte nën 1 milion banorë.
Problemi madhor lidhur me narkoshtetin qëndron te mohimi i tij, dhe në fakt ky mohim është mbështetje e tij, me dashje apo pa dashje. Po kështu, ideja se narkoshteti në Shqipëri mund të çmontohet nga dy apo tre prokurorë nuk është aspak realiste. Qëndrime të hapura politike kundër tij dhe masa të tjera ndaj regjimit janë të domosdoshme” thuhet në njoftmin për median.
Në takim u diskutuan gjithashtu probleme të lidhura me farsën zgjedhore, korrupsionin e papërmbajtshëm dhe bllokimin e luftës kundër tij, si dhe mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në parlament. Berisha falenderoi me mirenjohje CDU, Fondacionin Konrad Adenauer ne Tirane dhe drejtorin e tij Dr Tomas Kunze per mbeshtetjen e cmuar qe i kanë dhene PDSH dhe vendit tone.
Gazeta RD
