Pacolli: Apel publik për qeverinë e Shqipërisë!

Pas urdhrit paraprak të arbitrazhit emergjent të ICC-së lidhur me ndërprerjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë apel Edi Ramës të ndryshojë qëndrim dhe të rikthehet te dialogu.

Në një reagim në Facebook, Pacolli thotë se MABCO nuk e ka kërkuar arbitrazhin, por është detyruar t’i drejtohet atij për të mbrojtur investimin dhe të drejtat e saj.

Pacolli kërkon rikthimin e legjitimitetit të VIA-s dhe vijimin e punimeve për përfundimin e aeroportit, duke paralajmëruar se zgjidhja përmes dialogut do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte kostot e konsiderueshme të procedurave ligjore.

Reagimi

APEL PUBLIK PËR QEVERINË E SHQIPËRISË

Pas vendimit të njëanshëm të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, MABCO, investitori dhe financuesi i këtij projekti, si dhe zotëruesi i 98% të kuotave të VIA-s, u detyrua, në përputhje me kushtet kontraktuale, t’i drejtohej arbitrazhit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe investimit të saj.

Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar.

I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.

MABCO NUK KA SYNUAR zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ARBITRAZHIT. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmanjen e pëngesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.

Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion.

Në këtë fazë, kërkojmë që në VIA të këthehet legjitimiteti, puna dhe investimi ynë të respektohen dhe që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë.

I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.

About Redaksia

Check Also

Burri i Drejtoreshës që vidhte paratë me thasë të Postës bëhet edhe ai Drejtor

Jo shumë larg pasi ish-drejtoresha e postës së Durrësit, Elisabeta Mataj u la në burg …