Pyetje: Ndërkohë mazhoranca i ka injoruar të gjitha përgjimet që janë publikuar dhe tashmë me refuzimin e kërkesës për komision hetimor. Çfarë do të bëjë opozita për të mbajtur gjallë, ose për të kërkuar llogari për atë që mund të jetë edhe trafik armësh?
Sali Berisha: Ai është trafik armësh, të garantoj, se nuk do thoshim kurrë është trafik armësh ose s’është. Ai është trafik armësh i mirëfilltë. Në qoftë se në lëvizjet e armëve nuk respektohen rregullat të caktuara, janë rregulla të përcaktuara, janë ndërkombëtare dhe kombëtare.
Atëherë në këtë rast padiskutim që kemi të bëjmë me trafik armësh, kemi të bëjmë me kontrabandë dhe trafik armësh.
Në këtë kuadër ne do bëjmë çdo përpjekje, brenda parlamentit, do bëjmë çdo përpjekje ndërkombëtare për të paraqitur rrezikshmërinë e lartë që ky person paraqet për NATO-n, për rajonin dhe për Shqipërinë. Këto do bëjmë.
Pyetje: Ndërkohë, a kanë kuptim seancat plenare në këtë situatë ku mazhoranca vijon të mos ju japë të drejtat që ju takojnë, siç është ajo e komisionit hetimor, dhe ju vetë e thatë pak më parë për situatën në të cilën është parlamenti…
Sali Berisha: Asnjë kuptim nuk kanë. Jam dakord me ju, asnjë kuptim. Seancat këtu nuk kanë asnjë kuptim, mbasi ky parlament ka humbur plotësisht legjitimitetin e tij.
Pyetje: Gjithsesi, ju do të vazhdoni të merrni pjesë në këto seanca të cilat i konsideruat të pakuptimta?
Sali Berisha: Unë them që ky parlament ka humbur çdo legjitimitet, që së pari buron nga zgjedhje të pandershme, nga farsa elektorale. Së dyti, me votën që bëri me tre mandatet për Lubi Ballukun, parlamenti faktikisht arriti në një stad që s’duhet të ekzistojë më, se janë dy faktorë që humbasin legjitimitetin.
Gazeta RD