Tabaku: A ndaluan shërbimet e NATO bashkëpunimin e kompanive italiane me Ron Yeffet e Kayo?

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është zhvilluar bashkëpunimi mes kompanisë KAYO, biznesmenit Ron Yeffet dhe kompanive italiane në sektorin e mbrojtjes.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku iu drejtua ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufit, duke kërkuar të dijë nëse kompanitë italiane që kanë zhvilluar bisedime me qeverinë shqiptare janë kushtëzuar që të bashkëpunojnë me KAYO-n dhe Ron Yeffet.

“A është e vërtetë që qeveria shqiptare ka zhvilluar bisedime me IVECO-n dhe kompani të tjera italiane, por ato janë kushtëzuar të zgjedhin si kontraktorë KAYO-n dhe Ron Yeffet?”, pyeti Tabaku.

Tabaku: KAYO tregoi se në Shqipëri, sipas këtij modeli, nuk ka rëndësi si bën biznes apo sa ke investuar. Për të ecur përpara duhet të njohësh një njeri që quhet Edi Rama. Asetet dhe financat publike janë nën sulmin e modelit KAYO. Ndërkohë që një familje mezi numëron lekët për faturat e ushqimeve dhe çmimin e naftës, 34 milionë euro nga taksat e shqiptarëve i jepen KAYO-s pa kontrollin dhe monitorimin e duhur, ndërsa pretendohet se po zhvillohet industria e mbrojtjes.

Pak muaj më parë shkova te familja Dervishi. Brenda natës, sipas asaj që më treguan, iu mor prona. Qeveria kishte vendosur që aty të ndërtohej fabrika e KAYO-s dhe familja u gjend pa pasuri. Ndërkohë, pasuri private dhe publike iu vunë në dispozicion një kompanie ku, sipas të dhënave që ne kemi, shteti zotëron më pak se 50 për qind. Si u përzgjodhën këta operatorë? Si u negociuan drejtpërdrejt kontratat? Si u garantua konkurrenca? Si u përdor ndihma shtetërore? Si u verifikua aftësia e individëve për të investuar në fushën e mbrojtjes? Cila është vlera reale e shtuar nga ky projekt, përtej 34 milionë eurove që, sipas nesh, kanë shkuar te një njeri i afërt me kryeministrin? Të gjitha këto pyetje lidhen edhe me detyrimet tona në procesin e integrimit europian, veçanërisht për transparencën dhe prokurimin publik.

Duhet të dimë si është e mundur që, sipas shifrave që kemi, 34 milionë euro nga taksat e shqiptarëve t’i jenë dhënë KAYO-s brenda dhjetë muajve. Ky nuk është rasti i parë.

Prandaj kam një kërkesë dhe një pyetje për ministrin e Mbrojtjes: A është e vërtetë që qeveria shqiptare ka zhvilluar bisedime me IVECO-n dhe kompani të tjera italiane, por ato janë kushtëzuar të zgjedhin si kontraktorë KAYO-n dhe Ron Yeffet?

About Redaksia

Check Also

Burri i Drejtoreshës që vidhte paratë me thasë të Postës bëhet edhe ai Drejtor

Jo shumë larg pasi ish-drejtoresha e postës së Durrësit, Elisabeta Mataj u la në burg …