Aktivistja Arvina Lleshi ka rikujtuar kërkesat e protestës, duke nisur nga dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, deri te ndryshimet kushtetuese dhe anulimi i disa ndryshimeve ligjore.
Në fjalën e saj, ajo kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake, me mandat 12-mujor.
Një tjetër kërkesë e renditur prej saj lidhet me ndryshime kushtetuese, të cilat duhet të garantojnë barazinë e shtetasve shqiptarë para ligjit dhe të miratohen përmes referendumit popullor.
Mes propozimeve janë edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Ajo kërkoi gjithashtu shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Arvina Lleshi: Rikujtojmë edhe njëherë kërkesat e kësaj proteste: dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe të qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike, tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë, ndër të tjera, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme.
Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra për ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, të rinj dhe qytetarë apolitikë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Gazeta RD