Vendimet e Gjykatës Speciale/ Berisha: Asgjë nuk e nxin luftën çlirimtare të Kosovës

Kryetari i PD, Sali Berisha ka folur gjatë bashkëbisedimit të tij me qytetarët edhe për vendimet e Gjykatës Speciale.

Berisha tha se, asgjë nuk e nxin luftën Çlirimtare të Kosovës, duhet një ekip i fuqishëm dhe kompetent për të bërë apelimin.

Berisha: Natyrisht, java që lamë pas nuk ishte një javë e mirë për shqiptarët.

Ish-udhëheqja politike e UÇK dhe Kosovës mori nga Gjykata e Dhomave të Specializuara verdikte ndër më të rëndat.

Duhet të sqarohemi, asnjeri dhe askush nuk mund të jetë kundër dënimit të krimeve konkrete, vrasjeve konkrete, akteve të tjera.

Dhe, në këtë kuadër, në çdo rrethanë drejtësia duhet të japë fjalën e saj.

Por në këtë rast, duhet të jemi të hapur, nga ai lexim i vendimit të shkurtuar nga gjykatësi Çarls Smith, krijohet përshtypja se të akuzuarit u dënuan për linja komandimi dhe kjo natyrisht është absolutisht e paqëndrueshme në rast se ajo nuk është e faktuar me dokumente.

Sepse është shumë e njohur, vërtet UÇK ishte një lëvizje e fuqishme guerile, por ajo nuk ishte një ushtri e rregullt siç e paraqiti në vendimin e tij.

Përfaqësuesit e saj në Tiranë, z. Thaçi, z. Krasniqi kanë qenë pa dyshim figurat kryesore, por distanca me terrenin ishte shumë e madhe.

Ndaj, përveç kësaj, shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë që arkitektët e Operacionit famëzi Patkoi, operacionit të spastrimit masiv etnik dhe të gjenocidit në Kosovë, të marrin dënime shumë më të lehta se sa çlirimtarët e Kosovës.

Pra, edhe njëherë, ne kemi mbështetur dhe mbështesim ndëshkimin e autorëve konkretë dhe të krimeve konkrete.

Por linjat e komandës dhe dënimi me linja komande nuk ka një bazë solide dhe mendoj se në këtë kuadër, problem shumë serioz përbën kuadri ligjor mbi të cilin ka vendosur ligjvënësi gjykatën.

Meqë jemi tek gjykata, jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi.

Në qoftë se Serbia e ngriti në Beograd, Kroacia në Zagreb, kjo gjykatë e Kosovës u ngrit në Hagë për një motiv, për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kjo është e vërteta.

Dhe gjykata nuk mund të mos ngrihej.

Gjykata u ngrit edhe për një arsye të dytë, në mënyrë që tribunali për ish-Jugosllavinë të mos aplikohej më tutje në rastin e Kosovës.

Pra, nuk është një akt i paprecedent, secili nga vendet… por problemi është se Kosova ishte e pushtuar, Kosova ishte viktimë e një agresioni barbar, e një pushtimi barbar. Nuk mund të akuzosh tjetrin se ka ngritur institucionin e zbulimit. Të akuzosh se ka marrë në pyetje.

Po cila ushtri në luftë, cila lëvizje guerile në luftë nuk merr në pyetje?

Pra, shumë elementë që dëgjuam nga vendimi i shkurtuar, vendimin e gjatë nuk e kam parë, ishin larg në vlerësimin tonë justifikimit të atyre dënimeve që dëgjuam.

Duke shprehur këtë, shoh një diskutim intensiv për këtë problem tashmë që ka vetëm përgjigje juridike.

Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme.

Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën.

Ndaj dhe ajo që unë mendoj është e domosdoshme, një ekip mbrojtje sa më kompetent dhe i fuqishëm, ndonëse unë nuk kam asnjë fakt aktual të them se mbrojtja aktuale nuk ishte e fuqishme, por pasi të shqyrtohet vendimi përfundimtar i plotë, unë mendoj se apeli që duhet të ndiqet pa humbur kohë pasi vetë gjykata ka përcaktuar afate.

E përfundoj këtë, asgjë nuk mund të errësojë, nuk mund të zvogëlojë lavdinë e luftëtarëve të lirisë, e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila është pa dyshim faqja më e ndritur e luftërave shqiptare për liri dhe dinjitet që nga koha e Skënderbeut.

Ajo luftë, në kombinim të plotë me ofensivën ajrore të NATO-s, të udhëhequr nga presidenti Bill Klinton, çliroi Kosovën nga pushtimi serb dhe në atë rrugë e sipër ajo u bë e pavarur.

Ndaj dhe nuk duhet askush të mendojë se lufta çlirimtarë e luftëtarëve të lirisë mund të nxihet ose mund të damkoset. Aspak. Aspak!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Bajram Begaj ka plaçkitur prona dhe i ka ndarë me Ramën, atë e kap gjyqi ushtarak 

E. Breçani: Doktor, si ka mundësi që një president të veprojë sikur të ishte sekretari …