Spahia: Shqipëria s’mund të ndërtojë shtetin evropian mbi themelet e narkoshtetit

Në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ngriti shqetësimin për gjendjen e demokracisë, shëndetësisë dhe politikave sociale në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Spahia deklaroi se procesi i integrimit evropian duhet të matet jo vetëm me ligjet e miratuara, por me ndikimin konkret që ka në jetën e qytetarëve. Ai akuzoi qeverinë për centralizim të pushtetit dhe mungesë të instrumenteve efektive të kontrollit parlamentar.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua shëndetësisë. Spahia tha se financimi publik për shëndetësinë në vitin 2026 është 2.97% e PBB-së, ndërsa shpenzimet nga xhepi i qytetarëve arrijnë në 59.7%. Sipas tij, kjo situatë e bën aksesin në kujdesin shëndetësor të kushtëzuar nga mundësitë ekonomike të pacientëve.

Deputeti demokrat foli edhe për varfërinë dhe politikat sociale, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka ende një minimum jetik zyrtar dhe se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë dhe fëmijëve janë të ekspozuar ndaj varfërisë dhe përjashtimit social.

Fjala e plotë

Faleminderit z. kryetar!

Të nderuar anëtarë të delegacionit të Parlamentit Evropian, të nderuar kolegë deputetë!

Nuk është koha për fjalë të tepërta, po për të folur qartë dhe prerë. Sepse kur shëndeti dhe dinjiteti i qytetarëve cenohen, heshtja dhe propaganda kthehen në bashkëfajësi.

Në procesin e anëtarësimit në BE, të drejtat tona themelore nuk maten me numrin e ligjeve të miratuara, por me fuqinë transformuese që ka procesi i anëtarësimit në jetën dhe mundësitë reale për qytetarët shqiptarë.

Për fat të keq, Shqipëria po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një shtet të centralizuar, ku kryeministri kontrollon pothuajse çdo pushtet, ndërsa qytetarëve dhe opozitës u mbeten gjithnjë e më pak instrumente për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj politikave publike.

Shëndetësia është shembulli më i qartë. Financimi publik në vitin 2026 është vetëm 2.97% e prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë në masën 59.7%, nivelin më të lartë në Evropë. E thënë ndryshe, ne shpenzojmë për shëndetësinë 590 dollarë për frymë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është 7 herë më shumë, ose 4,200 dollarë për frymë.

Kjo e shndërron të drejtën për kujdes shëndetësor në një shërbim që kushtëzohet nga fuqia e xhepit të pacientit. Kush paguan, mbijeton. Mungojnë barnat, mungojnë pajisjet, personeli, ndërsa mbi 400 milionë euro janë shpenzuar në 10 vjet për PPP-të dhe koncesionet korruptive. Ky është një sistem ku financohen kontratat, por jo pacienti.

Por ky nuk është thjesht korrupsion; është produkt i një narkoshteti, ku ndërthurja e pushtetit politik me krimin e organizuar, ekonominë e drogës, korrupsionin dhe klientelizmin deformon prioritetet e shtetit.

Narkoshteti nuk deformon thjesht proceset zgjedhore apo konkurrencën, e konfirmuar kjo nga raportet ndërkombëtare, por narkoshteti vjedh edhe politikat sociale. Çdo euro që humbet në korrupsion, tenderat klientelistë dhe interesat e lidhura me pushtetin janë më pak para për pensionet, të sëmurët, familjet në varfëri apo personat me aftësi të kufizuara.

Shqipëria ende nuk ka një minimum jetik zyrtar. Varfëria është në nivelin 23.5%, rreziku për përjashtim social mbi 40%, dhe 1 në 4 fëmijë rrezikon varfërinë. Ndërkohë, numri i familjeve përfituese dhe fondi i ndihmës ekonomike janë ulur me rreth 35% në 4 vite. Me pak fjalë, politikat sociale kanë dështuar, pasi ato nuk po nxjerrin qytetarët nga varfëria; përkundrazi, qytetarët po braktisen nga vetë skemat e mbështetjes.

Por narkoshteti kërkon edhe pushtet të pakontrolluar. Prandaj, problemi i të drejtave themelore sot nuk mund të ndahet nga mohimi sistematik i të drejtave kushtetuese të opozitës. Mazhoranca po i pamundëson opozitës ushtrimin efektiv të kontrollit parlamentar, deri tek refuzimi i komisioneve hetimore për çështje që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie në interesin më të lartë publik.

Kur shumica i mohon opozitës instrumentin kushtetues të hetimit parlamentar, ajo nuk po mbron institucionet, po mbron pushtetin nga kontrolli, transparenca dhe llogaridhënia.

Të njëjtën filozofi po shohim edhe tek reformat territoriale. Mazhoranca po kërkon të imponojë e vetme hartën dhe modelin e saj, duke e kthyer një reformë që do duhej t’u përkiste qytetarëve në një instrument të pushtetit. Kjo reformë e njëanshme jo vetëm cenon konsensusin politik, por largon më tej pushtetin vendor nga komuniteti, dobëson përfaqësimin dhe u mohon qytetarëve mundësitë reale për të ndikuar mbi politikat lokale në shërbim të tyre.

Ndaj duhet ta theksojmë qartë se Shqipërisë i duhet një integrim evropian i vërtetë, i bazuar mbi vlerat e parimet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. Shqipëria duhet të çmontojë këtë model keqqeverisës, në mënyrë që të sigurojë ndarje reale të politikës nga krimi, luftë ndaj korrupsionit, respektim të të drejtave kushtetuese të opozitës e çdo qytetari, kontroll parlamentar efektiv, decentralizim real dhe shërbime publike që transformojnë jetën e qytetarëve.

Nuk mund të ndërtohet një shtet evropian mbi themelet e një narkoshteti, dhe nuk mund të ketë integrim evropian pa demokraci, pa kontroll të pushtetit dhe pa dinjitet për qytetarët.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha thirrje shqiptarëve: Mos i lini studentët vetëm, ata po luftojnë për të gjithë ne! Nesër në orën 10:00 të gjithë para universitetit, deri në fitore

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u është drejtuar shqiptarëve me një videomesazh, …