Reagimi i Ramës/ Do të zgjedh drejtuesin e ri të SHISH, e vlerësoj Vlora Hysenin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke njoftuar se ajo do të lirohet menjëherë nga detyra.

Në një reagim nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rama tha se është informuar për vendimin e SPAK dhe se pret që çdo dyshim ndaj Hysenit të hetohet dhe të zbardhet përmes procesit gjyqësor.

“Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor”, shkroi Rama.

Kryeministri tha se, pavarësisht respektit që shpreh për Hysenin dhe punën e saj në krye të SHISH, drejtësia duhet të jetë e lirë të hetojë çdo person, pavarësisht funksionit që mban.

“Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, u shpreh ai.

Rama veçoi edhe vlerësimet që, sipas tij, Hyseni ka marrë nga agjencitë partnere gjatë drejtimit të shërbimit inteligjent shqiptar.

“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar”, shkroi kryeministri.

Në reagimin e tij, Rama komentoi edhe mënyrën se si është trajtuar politikisht dhe mediatikisht masa e sigurisë ndaj Hysenit. Ai kritikoi gjykimet publike përpara se të shprehet gjykata.

“Është e pashmangshme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur ‘litarin’ si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur gjithashtu se drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit do të zgjidhet pas kthimit të tij në Shqipëri dhe pas konsultimit me Presidentin e Republikës.

“Sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen disa orë pasi SPAK njoftoi për masat e reja të sigurisë në kuadër të një fraksioni të hetimit për dosjen e AKSHI-t. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra. Sipas njoftimeve të SPAK, ajo dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të të dhënave sekrete”.

About Krye Redaktor

Check Also

Materialet sekrete të Shërbimit Informativ në makinën e Agasit

Hetimi i SPAK për ish-drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka sjellë në …