Debatet për Reformën e re Territoriale kanë përfshirë mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste lidhur me propozimin për shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së tij, Bozdo e cilësoi këtë nismë si një vendim të pastër politik të kryeministrit Edi Rama për të goditur demokracinë vendore dhe shërbimet ndaj qytetarëve, ashtu siç ndodhi sipas tij me reformën e vitit 2015.
Më tej, Bozdo u ndal te procedura e ndjekur nga mazhoranca, duke denoncuar faktin se projektligji i paraqitur në Komisionin e Ligjeve është tërësisht fals dhe i pambështetur në studime teknike apo shifra zyrtare.
Reagimi i plotë
Sot në Komisionin e Ligjeve, duke shqyrtuar propozimin e Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive, në “emër” të një Reforme Territoriale që u ndërpre në mënyrë brutale nga vendimi politik i Edi Ramës për të masakruar përsëri, njësoj si me Reformën Territoriale 2015, komunitete, shërbime dhe demokracinë vendore!
Si përfaqësues i Beratit, kërkova që Poliçani dhe Dimali të jenë përsëri bashki, sepse shkrirja e tyre dëmton pafund komunitetet, banorët dhe cilësinë e jetës në këtë qark!
Kërkova gjithashtu krijimin e Bashkisë Otllak dhe Bashkisë Shpirag, si mundësi për zhvillim ekonomik dhe social të banorëve të këtyre zonave!
Nga ana tjetër, i shpjegova Komisionit të Ligjeve që produkti apo propozimi ligjor që ai shqyrton sot, është fals. Ai nuk vjen nga të dhënat e Komisionit të.Reformës Territoriale. KRT.
Kjo sepse KRT iu ndërpre puna brutalisht në mes, sepse ai nuk arriti të bëjë as edhe 1/3 e punës së tij, se madje në këtë komision nuk pati as edhe diskutim të vetëm profesional, me shifra dhe ide, për të ardhmen e pushtetit vendor në Shqipëri.
Së fundmi, theksova faktin se kjo reformë politike territoriale do ta dëmtojë edhe më shumë Shqipërinë se ajo e vitit 2015, se banorët do ti braktisin edhe më shumë këto zona, se me sytë mbyllur prej politikës së keqe, PS po e shkatërron Shqipërinë përsëri, për të pafundmen herë!
Gazeta RD