Kryetari i PD Elbasan: Të mos ketë derë të mbyllur për të rinjtë! Ripërtëritja e PD ka nisur!

Në foltoren e ripërtëritjes së Partisë Demokratike në Elbasan, Alis Narazani, kryetar i degës së PD Elbasan, përcolli një mesazh të qartë për të ardhmen e strukturave të partisë: ripërtëritja duhet të jetë një proces konkret, i mbështetur te përfshirja e të rinjve dhe te përvoja e demokratëve që kanë kontribuar ndër vite.

Në prani të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Narazani vuri theksin te hapja e garës, marrja e përgjegjësive nga brezi i ri dhe ruajtja e lidhjes me historinë e strukturave demokratike. “Ripërtëritje nuk do të thotë zëvendësim”, u shpreh ai, duke e përmbledhur vizionin e tij me formulën: “Eksperienca me rininë, tradita me risinë, rrënjë me degë të reja.”

Alis Narazani, kryetari i degës së PD, Elbasan

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar kryetarë të degëve të Partisë Demokratike të qarkut Elbasan, të nderuar deputetë, zoti Alizoti drejtues politik, i dashur doktor Berisha, kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës shqiptare, mirë se erdhët në Elbasan! Sot është një ditë e veçantë për mua, jo vetëm se flas për herë të parë para jush si kryetar i degës, por sepse para meje shoh demokratë themelues që kanë qëndruar pranë kësaj force politike në ditët më të vështira, por edhe shumë të rinj dhe të reja që duan të angazhohen dhe të marrin përgjegjësi. Dhe pikërisht këtu dua të ndalem, tek ripërtëritja e Partisë Demokratike. Por fillimisht dua të them diçka që për mua është shumë e rëndësishme.

Në këndvështrimin tim, ripërtëritja e Partisë Demokratike ka filluar që në zgjedhjet për kryetarë të degëve që u zhvilluan para disa muajsh në të gjithë Shqipërinë. Ka filluar me hapjen e garës dhe me mundësinë që shumë të rinjve iu dha, të kandidojnë të barabartë përballë votës së demokratëve. Dhe këtu dua të falënderoj nga zemra doktor Berishën për mundësinë që më dha mua dhe shumë të rinjve për të garuar dhe për të marrë këtë përgjegjësi.

Kjo është diçka për t’u vlerësuar sepse ripërtëritja nuk bëhet vetëm me fjalë, bëhet duke hapur dyert dhe duke dhënë mundësi. Dhe pikërisht sot, në Elbasan kemi një tjetër dëshmi. Pas zgjedhjes sime si kryetar, proceset vazhduan me zgjedhjen e kryesisë së re sipas parimit një delegat, një votë. Dhe sot e them plot krenari para jush, se kryesia që doli nga këto zgjedhje ka moshën më të re historike! Po kështu në çdo seksion dhe grup-seksion, në zgjedhjet që janë bërë janë zgjedhur fitues djem e vajza të rinj, nga Forumi Rinor, por dhe nga jashtë strukturave tona. Ku padyshim si mentorë të tyre gjatë këtyre proceseve kanë patur kryetarë seksionesh e grup-seksionesh që për vite me radhë kanë drejtuar strukturat tona dhe sot gjej rastin t’i falënderoj.

Faleminderit të gjithë atyre që sot nuk janë më në vijën e parë të frontit, por gjithsesi janë mes nesh për të kontribuar akoma. Kjo është ripërtëritja në praktikë, sepse ne nuk duam që të rinjtë vetëm të dëgjohen, ne duam që ata të marrin përgjegjësi. Por të dashur miq, ripërtëritje nuk do të thotë zëvendësim. Nuk do të thotë të harrojmë ata që ishin para nesh, përkundrazi. Ne kemi nevojë për eksperiencën, sakrificën dhe kontributin e demokratëve që kanë qenë në ditët më të vështira. Ne nuk duam të shkëputemi nga ajo që kemi qenë.

Ne duam të marrim eksperiencën e së shkuarës dhe ta kthejmë atë në forcë për të ardhmen. Sepse detyra jonë është e qartë: të ruajmë atë që është ndërtuar, të forcojmë atë që kemi dhe t’ia dorëzojmë një ditë këtë parti brezit tjetër edhe më të madhe, edhe më të fortë, edhe më të hapur. Prandaj modeli ynë duhet të jetë i qartë: eksperienca me rininë, tradita me risinë, rrënjë me degë të reja. Kjo është ripërtëritja dhe kjo duhet të jetë

Modeli ynë duhet të jetë i qartë. Eksperienca me rininë, tradita me risinë, rrënjë me degë të reja. Kjo është ripërtëritja. Dhe kjo duhet të jetë frymë në të gjithë Partinë Demokratike. Sepse një parti që kërkon të ndërtojë të ardhmen duhet të ketë kurajo të rinovojë veten.

I nderuar doktor Berisha. Sot ju presim në Elbasan në një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike. Vizita juaj e aq shumë pritur në SHBA vjen në një moment kur ripërtëritja e partisë po ndodh realisht. Prandaj edhe një herë e them me plot bindje, se duhet të vazhdojmë t’i mbajmë dyert hapur, të kërkojmë njerëz të rinj e të fuqizojmë forumin rinor. T’i japim përgjegjësi atyre që kanë vullnet dhe aftësi. Dhe mbi të gjitha, të mos presim që dikush tjetër ta bëjë ripërtëritjen për ne.

Nga Elbasani ta çojmë këtë frymë në çdo degë të Partisë Demokratike. Le të mos ketë degë ku dera është e mbyllur për të rinjtë. Le të mos ketë strukturë ku mungon energjia e brezit të ri. Le të mos ketë demokrat që dëshiron të kontribuojë dhe mos gjejë hapësirë. Sepse ripërtëritja nuk është një fjalë që e themi sot, është një përgjegjësi që duhet ta përmbushim nga sot. Dhe këtë përgjegjësi duhet ta marrim të gjithë, për një Parti Demokratike që nderon historinë, hap dyert dhe ndërton të ardhmen. Le ta bëjmë bashkë e le ta bëjmë ashtu siç duhet. Rroftë Partia Demokratike, rroftë rinia që sjell shpresë dhe energji, rroftë Shqipëria.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Protestuesit sfidojnë shiun, marshojnë nëpër Tiranë: Rama jepe dorëheqjen!

Me mbylljen e fjalimeve përballë Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në Tiranë, në ditën e …