Nënkryetarja e Partisë Demokratike Erisa Bajaziti, u takua me një zyrtare të lartë të Komisionit Evropian. Bajaziti u takua në Bruksel me Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian
Në një mesazh, Bajaziti shkruan se së bashku diskutuan për kontributin dhe rolin e PD në procesin e integrimit.
“Qëndrimi ynë është pro-europian, për një integrim të bazuar në meritë. Drejtësia e pavarur dhe institucionet e forta janë themeli i gjithë procesit,” shprehet Bajaziti.
Reagimi i nënkryetares së PD, Erisa Bajaziti:
Këtë javë pata një takim konstruktiv në Bruksel me znj. Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian (DG ENEST).
Biseduam për vendin ku ndodhet sot procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe për kontributin dhe rolin e Partisë Demokratike në këtë proces.
Integrimi është një projekt kombëtar, ku çdo aktor politik dhe shoqëror duhet dhe mund të japë kontributin e tij. Qëndrimi ynë është pro-europian, për një integrim të bazuar në meritë. Drejtësia e pavarur dhe institucionet e forta janë themeli i gjithë procesit.
Opozita ka nevojë për hapësirë për të ushtruar rolin e saj brenda institucioneve që funksionojnë. Vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Matja e vërtetë e suksesit qëndron në atë se sa prej tyre zbatohen në jetën e përditshme të qytetarëve.
Folëm edhe për protestat dhe rëndësinë që kërkesat e qytetarëve të dëgjohen.
Gazeta RD