Ndër vite janë regjistruar dëme kolosale në pyje, në vepra të mëdha shtetërore, vepra ujitëse, në godina etj. Zjarret dhe përmbytjet ndër vite kanë shkaktuar mjaft dëme. Edhe infrastruktura rrugore, e pasiguruar, është eskpozuar vazhdimisht ndaj rreziqeve të ndryshme. Publiku është njohur me shumë ndërhyrje të detyruara riparuese që janë marrë përsipër nga buxheti i shtetit.
Korporata Energjetike Shqiptare, e vetëdijshme se Shqipëria është një vend i ekspozuar përballë rreziqeve të mëdha, nga tërmeti, zjarri, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave, duke e ditur përgjegjësinë e saj i siguron prej vitesh këto asete fizike. Çfarë do të thotë kjo? Një aset publik i dëmtuar, në rast se është i siguruar, një pjesë e kostos së tij përballohet nga kontrata e sigurimit. Në rast të kundërt, barra bie mbi buxhetin, që do të thotë mbi taksapaguesin.
Buxheti i shtetit nuk duhet të përdor fondet për të rivitalizuar ekonominë e dëmtuar, pas çdo ngjarjeje apo fatkeqësie. Një pjesë e kësaj ekonomie do të duhej të ishte e siguruar. Institucionet shtetërore duhet t’i sigurojnë asetet e tyre. Praktika botërore sjell shembuj konkretë: pronat shtetërore të pasiguruara nuk ekzistojnë. Shqipëria duhet të rihapë diskutimin e sigurimit të aseteve publike.
Cilat janë asetet fizike të KESH?
Hidrocentralet (HEC-et), turbinat, digat dhe rezervuarët, pajisjet elektrike, ndërtesat dhe infrastruktura e prodhimit të energjisë janë asetet fizike të cilat Korporata Energjetike Shqiptare siguroi. Ato janë pasuri publike, pronë e publikut shqiptar, e ndërtuar në breza dhe që sot përbën një sektor strategjik për vendin: energjetikën. Vlera totale e mbulimit me sigurim për këto asete shkon deri në 550 milionë euro.
Çdo vit KESH shpall tenderin e sigurimit financiar, me qëllim që rreziku i zjarrit dhe i katastrofave natyrore t’u delegohet kompanive të sigurimit.
Kjo do të thotë se vlera e dëmit nuk do t’i rëndojë buxhetit të shtetit, por sipas parashikimeve në kontratë atë do ta marrë përsipër kompania e sigurimeve. Kriteret teknike dhe ligjore për të garantuar sigurimin e këtyre veprave janë të forta dhe shpesh filtrat ligjorë dhe teknikë bëhen skualifikues.
Në risigurimin e aseteve të KESH kompanitë më të mëdha të botës
Në risigurimin e aseteve të KESH janë kompanitë më të mëdha në botën e sigurimeve dhe risigurimeve. Kjo e përligj edhe çmimin e risigurimit, i cili reflektohet edhe në çmimin e marrjes në sigurim. Risiguruesit më të mëdhenj të botës ofrojnë në bllok mbulimin e aseteve fizike të KESH dhe risiguruesi lider i këtij grupi është Hannover Re, me standardet më të larta të garancive financiare dhe i vlerësuar AA me perspektivë stabël nga S&P.
Sigurimi i veprave të tilla, për shkak të vlerave të larta dhe njohurive e kapaciteteve të veçanta që kërkon, nuk është për të gjithë. SIGAL Insurance Group ka qenë ndër vite fituese e projekteve të kësaj natyre: projekte madhore, delikate dhe strategjike. SIGAL ka qenë më parë edhe siguruese e projektit TAP, me vlerë mbulimi deri në 1.5 miliardë euro. Përvoja, kapacitetet teknike dhe njerëzore dhe sidomos risigurimi te gjigantët botërorë të sigurimeve, i japin SIGAL mundësinë të marrë përsipër vepra të kësaj rëndësie.
Për sa u takon veprave të mëdha publike e strategjike, SIGAL spikat jo vetëm në marrjen në sigurim, por po ashtu edhe në këshillimin për mitigimin, minimizimin e rreziqeve si edhe menaxhimin e riskut.
Sigurimi, si aset i rëndësishëm për ekonominë, në rastin konkret bëhet mburojë për investimet publike, ofron shtresë financiare mbrojtëse, shmang përdorimin e fondeve publike për humbje të paparashikuara që në rastin e veprave madhore janë shumë milionëshe dhe garanton vazhdimësinë e shërbimeve publike.
Shtrembërimi mediatik, që sigurimin e digave si vepra madhore për të mos prekur buxhetin e shtetit në rast dëmesh e raporton si “sigurim zyrash”, është në rastin më të mirë padituri.
550 milionë euro si vlerë mbulimi në rast dëmi nga zjarri apo katastrofat, si sigurim i objekteve të një rëndësie të tillë është shërbim me vlerë të madhe për publikun shqiptar.
Gazeta RD