Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se struktura të rëndësishme të sigurisë kombëtare janë nën ndikimin e krimit dhe se opozita është përgjuar e monitoruar.
Në një intervistë me gazetaren Elda Mengën për Top Channel, Noka u ndal te funksionimi i institucioneve të sigurisë, duke deklaruar se përgjegjësia për situatën nuk mund të mbetet kolektive.
Më tej, Noka theksoi një operacion përgjimi, duke përmendur Elvis Lilën, Jurgen Kolën dhe Vlora Hysenin. Sipas Nokës, këta persona kanë drejtuar një operacion për monitorimin e ambasadave dhe opozitës.
“Elvis Lila dhe Jurgen Kole, së bashku me Vlora Hysenin, janë grupi që kanë drejtuar operacionin për të përgjuar dhe monitoruar ambasadat e rëndësishme të vendit, për të përgjuar dhe monitoruar opozitën e vendit”, tha ai.
Noka kërkoi gjithashtu përgjegjësi për personat që kanë rol në këto zhvillime, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj institucioneve që duhet të kontrollojnë veprimtarinë e tyre.
“Do t’i bëjë audit vetvetes? Ata janë të gjithë për të shkuar prapa hekurave”, u shpreh ai.
Në intervistë, Noka foli edhe për raportet brenda qeverisë, duke veçuar kryeministrin Rama dhe Belinda Ballukun. Ai theksoi se Balluku vijon të ketë ndikim të fortë mbi kryeministrin.
“Belinda Balluku vijon të ketë të kapur për fyti Edi Ramën. Këta të tjerët pastaj janë zara atje poshtë”, deklaroi Noka.
Gazeta RD