Tenderi i hemodializës mbi 50 milionë euro anulohet pas shpalljes së fituesit/ Spahia: Ministrja të japë llogari…

 

Deklaratë për media deputeti i PD, Bardh Spahia:

Kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë që kur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, deklaroi në foltoren e Kuvendit se do të verifikonte tenderin për kontratën e re katërvjeçare të hemodializës. Procedura është anuluar, por ministrja ende nuk ka bërë publike çfarë zbuloi nga verifikimi, nëse ai është kryer dhe kush mban përgjegjësi.

Procedura, me fond limit prej 4,57 miliardë lekësh pa TVSH, mbi 50 milionë euro, u hap më 17 gusht dhe tenderi u zhvillua më 1 shtator. Në të mori pjesë vetëm një ofertues, operatori ekonomik Diaverum AB. Shtojca nr. 14, e datës 10 shtator 2026, me titull «Formulari i njoftimit të operatorëve ekonomikë të suksesshëm në marrëveshjen kuadër, pas publikimit të të cilit fillojnë afatet e ankimimit», dokumentonte shpalljen e këtij operatori si fitues dhe nisjen e afateve të ankimimit. Sot, ky dokument nuk gjendet më në dosjen e procedurës së publikuar në sistemin e prokurimit publik.

Pak ditë më parë, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore njoftoi anulimin e tenderit, duke dhënë dy arsye: dokumentet e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme dhe në garë nuk ishte dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.

Këto dy arsye kërkojnë shpjegim të menjëhershëm. Nëse dokumentet kishin gabime kaq të rëndësishme, si u miratuan dhe si arriti procedura deri në shpalljen e një operatori fitues? Nëse nuk kishte asnjë ofertë të përshtatshme, mbi çfarë baze u publikua formulari i njoftimit të operatorit të suksesshëm? Ministria nuk mund t’i lërë qytetarët të nxjerrin vetë përfundime nga dokumente që duken në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Mungesa e konkurrencës në një tender mbi 50 milionë euro duhej të ishte gjithashtu një shqetësim serioz për ministren. Por në vend të një shpjegimi për këtë çështje, për anulimin dhe për dokumentin që nuk gjendet më në sistem, kemi heshtje. Kjo heshtje ngre dyshime për arsyet e vërteta të rihapjes së mundshme të procedurës dhe për ndikimin e interesave politike në një shërbim jetik për pacientët.

Zonja ministre, ju duhet të përgjigjeni publikisht:

1. Cilat janë konkretisht gabimet në dokumentet e tenderit, kush i konstatoi dhe kush mban përgjegjësi që procedura vijoi deri në shpalljen e fituesit?

2. Si shpjegohet pretendimi se nuk pati asnjë ofertë të përshtatshme, kur më 10 shtator u publikua njoftimi i operatorit të suksesshëm, Diaverum AB, dhe përse Shtojca nr. 14 nuk gjendet më në dosjen e publikuar? Ftojmë SPAK të hetojë lidhjet e këtij operatori me Klodian Allajbeun, pasi ky i fundit ka qenë i lidhur me operatorin fillestar të konçesionit të hemodializes , DiaVita përmes Spitalit Amerikan. Në 2019 Diaverum International AB bleu 100% të Diavita. Për rrjedhojë, Allajbeu ka një lidhje historike përmes strukturës fillestare të pronësisë .

3. Kur do të bëni publik vendimin e arsyetuar të anulimit, përfundimet e verifikimit që paralajmëruat në Kuvend dhe planin për të garantuar vazhdimësinë e hemodializës për pacientët?

Ministrja Spahiu dhe drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo vendim dhe dokument të kësaj procedure. Nëse anulimi është bërë nën presion për të ndryshuar operatorin ekonomik, kjo duhet të hetohet dhe të sqarohet deri në fund.

Zonja Spahiu, detyra juaj si ministre, por mbi të gjitha si mjeke, është t’u jepni llogari qytetarëve dhe të mbroni interesin e tyre, jo t’ia nënshtroni shëndetësinë interesave të Edi Ramës.

Pacientët kanë nevojë për siguri se trajtimi i tyre do të vazhdojë pa ndërprerje.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë ndodhi me këtë tender dhe kush do të mbajë përgjegjësi.

About Redaksia

Check Also

DASH ngre alarmin për Shqipërinë: Korrupsioni po tremb investitorët!

Korrupsioni vijon të jetë një nga pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit …