Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Korçë tha se, Ripërtëritja e PD-së ka vetëm një qëllim të vetëm: të ripërtërijë Shqipërinë në të gjitha aspektet.
Berisha prezantoi disa prej objektivave që, sipas tij, opozita synon të zbatojë në rast se merr drejtimin e vendit, duke përmendur dyfishimin e pagave dhe pensioneve, minimumin jetik dhe rimbursimin e ilaçeve.
Kryetari i PD-së tha gjithashtu se partia e tij do të ndjekë një politikë të taksave të ulëta dhe të lirisë ekonomike.
Berisha: Do të thoni ju, po si mundet një njeri t’u përgjigjet problematikave të tilla të 700 mijë, 800 mijë qytetarëve?
Po absolutisht mundet, sepse ajo qeveri që nuk i ka njerëzit numra, ajo që qeveria që nuk i ka njerëzit etiketa, ajo mendon në radhë të parë vetëm për ata, si t’ua qetësojë dhimbjet e varfërisë, si t’u japë mundësi të mjekohen.
Dyfishohen rrogat, dyfishohen pensionet, jepet minimumi jetik, rimbursohen të gjitha ilaçet.
Para një jave shkruanin, për të rritur një fëmijë kushton 66 përqind të rrogës.
Po mo ka mundësi shteti që të mos kushtojë asnjë qindarkë, që t’ia paguajë të gjitha.
Dhe këto do i bëjmë ne. Absolutisht. Sepse, miq është ai virtyt që mban njerëzit të lidhur njëri me tjetrin, që bën njerëzit të ndjejnë përgjegjësi për njëri-tjetrin, për vuajtjet, për dhimbjet, për suksesin, për dështimin.
Ai është zhdukur me këtë propagandë dhe me këto qëndrime.
Jo, ne do bëjmë gjithçka për rikthimin e tij.
Dhe unë u garantoj se nëse PD ka ndërmarrë ripërtëritjen si moton e saj më kryesore, ka vetëm një qëllim të vetëm për të ripërtërirë Shqipërinë në të gjithë aspektet.
Për t’u rikthyer shqiptarëve pasuritë që ata kanë.
Për asgjë shqiptarët nuk duhet ta votojnë ne për ato që kemi bërë.
Ne kërkojmë të na votojmë për ato që do bëjmë.
Po!
Por u them një gjë ama, në rast dyfishuam rrogat dhe pensionet, në rast se e zgjatëm në një vit lejen e lindjes, në rast se morëm një seri masash të tjera, e bëmë jo se nuk kishim ku t’i shpenzonim ato para, por e bëmë se donim që në radhë të parë t’i shpenzonim tek njerëzit.
Donim në radhë të parë t’u jepnim dinjitetin që meritonin.
Donim që shqiptarët të paguheshin më mirë se maqedonasit, se shqiptarët në Kosovë, se malazezët, se serbët, se boshnjakët, se bullgarët, se rumunët.
Pse? Jemi më të pasur se ata ne në pasuri natyrore. Nuk ka asnjëri prej tyre pasuritë tona. Jo, nuk i ka.
Ndaj dhe ne qëndrojmë fuqishëm dhe ne jemi parti e taksave të ulëta.
Po pse jemi parti e taksave të ulëta ne? Edhe ne na duhen paratë.
Por në filozofinë tonë, paratë janë më të vlefshme në xhepin tënd o biznesmen se në arkën time.
Dhe kjo filozofi është filozofia e lirisë. E lirisë ekonomike.
Dhe ne qëndrojmë fuqishëm prapa këtyre parimeve.
Gazeta RD