Nga Bujar Leskaj
Më 13 gusht 1961, Republika Demokratike e Gjermanisë filloi ndërtimin e murit që ndante Berlinin, barriera më famëkeqe dhe simboli i Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë më dysh: nga njëra anë Perëndimi demokratik e nga ana tjetër, Lindja komuniste. Mendja e sëmurë dhe perverse e funksionarëve të Partisë Komuniste Lindore, satelite në orbitën e Moskës, bëri që të ngrihej një mur 155 km i gjatë, me pretekstin zyrtar: “mbrojtjen nga sulmet e Perëndimit”, por që, realisht, shërbeu vetëm për të mos lejuar ikjen e gjermanolindorëve.
Sot, në 3 tetor 2026 Gjermania feston 36 vjetorin e bashkimit.
36 vjet më parë Gjermania do të bashkohej pas rënies së Murit të Berlinit, ngjarje që u kthye në një simbol dhe të rrëzimit të regjimit komunist.
28 vjet, 2 muaj dhe 26 ditë ngeli në këmbë Muri, i cili ndante Berlinin, Evropën dhe botën.
Rënia e tij u bë simbol i fuqishëm i përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Më 3 Tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt.
Bashkimi i Gjermanisë ishte procesi i bashkimit të dy republikave gjermane: Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane, në një shtet të vetëm. Ky bashkim nuk realizoi vetëm ëndrrën, dëshirën dhe aspiratën 45-vjeçare të gjermanëve, por edhe dëshirën, ëndrrën e aspiratën e të gjithë Europës dhe botës përparimtare, e cila për 45 vjet kishte qënë e ndarë në dysh, si pasojë e Luftës së Ftohtë.
Gjermania vuajti për gati 45 vjet ndarjen e saj në dy shtete: njëri në pjesën perëndimore u kontrollua nga aleanca perëndimore udhëhequr nga SHBA, kurse shteti tjetër, në pjesën lindore nga Bashkimi Sovjetik.
Gjithçka nisi me rënien e Murit të Berlinit, më 9 Nëntor 1989. Deri më 3 Tetor 1990 kishin kaluar 323 ditë.
Ditët që nga rënia e Murit të Berlinit, e deri në bashkimin e Gjermanisë, 11 muajt e procesit të bashkimit, janë pranuar nga politikanë, diplomatë, historianë, si ditët më intensive, më aktive dhe më rezultative të politikës dhe diplomacisë gjermane të pasluftës: 9 nëntor 1989 – 3 tetor 1990.
Muri për plot 28 vjet ishte bërë pengesë, ankth dhe makth i ndarjes së familjeve, të afërmve e miqve në të njëjtin qytet. Por, në fakt Muri ishte vijë ndarëse e dy botëve. Dhe kjo nuk mund të pranohej nga bota përparimtare.
Më 1987, presidenti amerikan, Ronald Regan, nga Berlini i kishte kërkuar Mikhail Gorbaçovit që: “Në emër të paqes, begatisë për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore ta shembte murin e ndarjes!”
Ashtu edhe ndodhi.
Meritat u përkasin, jo vetëm qytetarëve gjermanolindorë, por edhe liderit sovjetik Mikhail Gorbaçov dhe, padyshim, kancelarit gjerman të kohës Helmut Kohl, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në rënien e Murit të Berlinit dhe bashkimin e Gjermanisë dhe me të drejtë është quajtur “Kancelari i rënies së Murit dhe bashkimit të Gjermanisë.”
Në kohë rekord qeveria e tij, negocion me qeverinë e re të Republikës Demokratike Gjermane dhe paralelisht me forcat fituese të Luftës së Dytë Botërore, për të diskutuar traktatet, që bënin të mundur bashkimin e Gjermanisë. Për Kancelarin Helmut Kohl, Gjermania e Bashkuar do të ishte gjithmonë faktor stabiliteti, paqeje dhe zhvillimi. Ai do të deklaronte: “Ne, gjermanët kemi nxjerrë mësime nga Historia. Jemi një popull paqësor dhe që e do lirinë. Kurrë nuk kemi për t’ia dorëzuar demokracinë tonë armiqve të paqes dhe të lirisë. Për ne dashuria për atdheun, dashuria për lirinë dhe fryma e miqësisë së mirë janë gjithmonë të pandara nga njëra-tjetra”.
Me hapjen e kufirit për gjermanët, kushtet e vazhdimit të ekzistencës së Murit, nuk ekzistonin më. Në këtë mënyrë, rënia e Murit është përveçse triumfi i njerëzve që “luftuan për lirinë dhe bashkimin” rrugëve të Leipzigut, Berlinit, Dresdenit, të inkurajuar edhe nga lëvizja e Solidarnosit në Poloni, nga ndryshimet në Hungari, edhe nga kursi reformator i Gorbaçovit, por veçanërisht shenja paralajmëruese e bashkimit të Gjermanisë.
Shembja e Murit dhe bashkimi i dy Gjermanive ishin edhe një sinjal i qartë ndryshimi për përmbysjen e regjimeve komuniste në vendet e tjera të ish- Bllokut lindor, përfshi këtu edhe Shqipërinë.





Gazeta RD